✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Veliaj në burgun e Fierit, këshilltarët e Tiranës kërkojnë transparencë dhe respektim të të drejtave të tij

Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit, lidhur me transferimin e Erion Veliajt nga paraburgimi në Durrës në atë të Fierit dhe kushtet e mbajtjes së tij.

Në dokument, ata kërkojnë transparencë për arsyet e transferimit, respektimin e të drejtave ligjore dhe njerëzore të kryebashkiakut të Tiranës, si dhe verifikimin e çdo kufizimi të mundshëm të komunikimit me familjarët dhe mbrojtësit ligjorë. Sipas kërkesës, fakti që Veliaj është i paraburgosur nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor apo për kufizimin e të drejtave që i garantohen me ligj.

“Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, vijon të jetë titullari i zgjedhur i institucionit, me një mandat të konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Pavarësisht gjendjes së tij të paraburgimit, mandati kushtetues dhe ligjor i Kryetarit të Bashkisë nuk është ndërprerë. Për rrjedhojë, funksionimi i institucionit duhet të garantohet në përputhje me kompetencat që ligji i njeh kryetarit dhe organeve të tjera të vetëqeverisjes vendore.

Transferimi i fundit i z. Veliaj nga institucioni i paraburgimit në Durrës në atë të Fierit ka krijuar një rrethanë të re, duke e larguar atë më tej nga selia e institucionit që drejton dhe duke ngritur shqetësime të arsyeshme për mundësinë e komunikimit, administrimit të dokumentacionit dhe ushtrimit të kompetencave të tij.

Kjo distancë shtesë, së bashku me kufizimet që burojnë nga regjimi i paraburgimit, kërkon një vlerësim konkret të pasojave që mund të ketë mbi funksionimin e Bashkisë Tiranë.

Lidhur me transferimin dhe kushtet e mbajtjes së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ne, këshilltarët e Bashkisë së Tiranës, shprehim shqetësimin tonë të thellë për transferimin e papritur të Kryetarit të Bashkisë, z. Erion Veliaj, nga institucioni i paraburgimit në Durrës në atë të Fierit, si dhe për kushtet e rënda në të cilat raportohet se po mbahet.

Shqetësimi ynë bëhet edhe më serioz pas vizitës së Avokatit të Popullit në institucionin e Fierit, ku janë ngritur çështje që kërkojnë verifikim dhe ndërhyrje të menjëhershme institucionale.

Erion Veliaj është një qytetar i paraburgosur, i cili gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të gjitha të drejtat që Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut i njohin çdo individi. Ai është gjithashtu Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, mandati i të cilit është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese.

Asnjë masë paraburgimi nuk mund të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor apo poshtërues, për kufizime arbitrare të komunikimit me familjen dhe mbrojtësit ligjorë, apo për pengesa të pajustifikuara në marrjen e kujdesit shëndetësor.

Për këto arsye, kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve:

Transparencë të menjëhershme mbi arsyet ligjore dhe faktike të transferimit.

Garantimin e kushteve të qëndrimit në përputhje me standardet ligjore dhe evropiane, si dhe vlerësimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore.

Respektimin e plotë të së drejtës së komunikimit me familjarët dhe mbrojtësit ligjorë.

Verifikimin dhe heqjen e çdo kufizimi të pajustifikuar që pengon ushtrimin e të drejtave të tij.

I kërkojmë Avokatit të Popullit të bëjë publike, brenda kufijve ligjorë, gjetjet dhe rekomandimet e inspektimit të kryer dhe si anëtarë të Këshillit Bashkiak, kemi gjithashtu përgjegjësinë të kërkojmë që situata e krijuar të mos prodhojë pengesa të paligjshme për funksionimin e Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimin e kompetencave të kryetarit të saj.

Ne nuk kërkojmë privilegje për Erion Veliajn. Kërkojmë respektimin e ligjit, dinjitetit njerëzor dhe të drejtave që i takojnë çdo qytetari.

Drejtësia nuk mund të ushtrohet duke cenuar dinjitetin njerëzor. Dhe asnjë institucion publik nuk mund të qëndrojë indiferent përballë pretendimeve serioze për shkeljen e këtyre të drejtave.

Advertisement