Kronike
KRIM NE FAMILJE/ I RIU VRET NENEN ME THIKE
Një ngjarje e rëndë ka tronditur shqiptarët në Itali, ku një 39-vjeçare është vrarë me thikë nga djali i saj 21-vjeçar. Krimi ka ndodhur gjatë natës në banesën e familjes, në rrugën “Tagliata”, në qytetin Chiari, në provincën e Brescias.
Sipas raportimeve të mediave italiane, viktima është identifikuar si Meleqe Lusha, 39 vjeçe, ndërsa djali i saj, Eduart Xhani, 21 vjeç, dyshohet se e ka goditur për vdekje me thikë.
Pas ngjarjes, i riu është larguar nga banesa dhe më pas është paraqitur vetë pranë karabinierëve në Cremona, ku është vetëdorëzuar.
Mësohet se nënë e bir jetonin së bashku në të njëjtën banesë. Familja është me origjinë shqiptare, ndërsa 21-vjeçari kishte lindur në San Bonifacio, në provincën e Veronës.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e karabinierëve, të cilat kanë nisur hetimet për të rindërtuar rrethanat në të cilat ndodhi vrasja.
Motivi i vrasjes mbetet ende i paqartë, ndërsa autoritetet italiane nuk kanë dhënë deri tani detaje të tjera mbi rrethanat që çuan në ngjarjen tragjike.