✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Intervista: Avni Ponari i SIGAL shpjegon në detaje produktin AUTOSOS

Sigurime.Online, portali i vetëm shqiptar i specializuar në lajmin e industrisë së sigurimeve dhe risigurimeve, zhvilloi një intervistë me CEO-n e SIGAL Insurance Group, z. Avni Ponari. Intervista monotematike u ndal në detaje të imtësishme te produkti i sigurimit motorik vullnetar AUTOSOS, për të cilin SIGAL Insurance Group ka ekskluzivitetin në tregun shqiptar.

Sigurime.Online:  Zoti Ponari, përshëndetje! Një histori që u bë virale në rrjetet sociale më tërhoqi vëmendjen: një vajzë tregonte se kishte marrë shërbimin e karroatrecit brenda vetëm 25 minutash, në Valbonë, në zemër të Alpeve. Si arrin SIGAL AUTOSOS të garantojë një ndërhyrje kaq të shpejtë në zona të largëta? A keni një rrjet partnerësh të shpërndarë gjeografikisht apo duhet të mbështeteni te karroatrecët që nisen nga Tirana?

Ponari: Po, kjo është e mundur. Ky nuk është as rasti i parë, as i fundit dhe as i vetmi.

SIGAL ka disa kontrata për të garantuar ofrimin e shërbimeve AutoSOS në çdo zonë të vendit, në kohën më të shpejtë të mundshme. Meqenëse jemi te Alpet, kemi kontrata me shërbime karroatreci në Bajram Curr, Valbonë, Pukë dhe Fushë-Arrëz.

SIGAL bashkëpunon me partnerë për shërbimin e karroatrecit, si dhe me servise të lëvizshme që mundësojnë riparimet në vendngjarje. Ky rrjet mbulon të gjitha qytetet dhe akset rrugore kombëtare në Shqipëri, duke garantuar asistencë rrugore në të gjithë territorin e vendit.

LEXO EDHE: https://sigurime.online/perfitimet-nga-autosos-ne-sigal-deshmia-karroatreci-erdhi-ne-kohe-rekord/

Sigurime. Online: A ofrohet shërbimi AUTOSOS edhe jashtë Shqiperisë? Çfarë ofron?

Ponari: SIGAL AutoSOS ofron shërbim të asistencës rrugore në Shqipëri dhe në të gjitha vendet e Europës. Kjo mundësohet përmes partnerit tonë europian, me përvojë shumëvjeçare në fushën e asistencës rrugore, i cili ofron këto shërbime në të gjithë kontinentin.

AutoSOS Europe ofron asistencë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke përfshirë: Mbështetje telefonike; Riparim në vend për defektet që mund të riparohen në rrugë; Transport të automjetit me karroatrec; Akomodim në hotel për drejtuesin dhe pasagjerët e automjetit;Vënie në dispozicion të një automjeti alternativ në rast aksidenti, kur ky shërbim përfshihet në mbulim; Organizim të transportit drejt destinacionit me mjete të tjera udhëtimi, si tren apo avion.

Sigurime.Online: Sa kohë duhet të presë një klient derisa t’i mbërrijë asistenca?

Ponari: Koha e mbërritjes varet nga vendndodhja ku ndodh defekti apo aksidenti. Megjithatë, falë rrjetit të partnerëve të SIGAL në të gjitha qytetet dhe përgjatë akseve kryesore kombëtare, asistenca mbërrin relativisht shpejt, zakonisht brenda 20–30 minutash.

Sigurime.Online: Tani dua të ndalem te kostot dhe çmimet, duke e nisur me mbulimin e shpenzimeve. Cilat janë vlerat që mbulohen nga shërbimi i karroatrecit?

Ponari: Vlerat e mbulimit varen nga paketa që përzgjedh klienti, në përputhje me nevojat e tij. Paketa Bazë mbulon deri në 5,000 lekë për transportin me karroatrec dhe është e përshtatshme kryesisht për automjetet që qarkullojnë brenda qytetit. Paketa Standard ofron dy shërbime në vit, me mbulim të kostos së transportit deri në 10,000 lekë për çdo shërbim, deri në servisin më të afërt. Paketa Premium ofron dy shërbime në vit, pa limit në vlerën e mbuluar për transportin me karroatrec.

Sigurime.Online: Me sa kam lexuar, kur është e mundur, SIGAL AutoSOS ofron edhe riparimin e automjetit në vendngjarje. Sa kushton ky shërbim?

Ponari: AutoSOS ofron riparim në vendngjarje, me mbulim sipas paketës së përzgjedhur nga klienti: Paketa Standard ofron 2 shërbime në vit, me mbulim të kostove të transportit deri në 10,000 lekë, deri në servisin më të afërt. Paketa Premium ofron 2 shërbime në vit, me mbulim deri në 25,000 lekë. Shërbimi i asistencës dhe riparimit në vend, kur është e mundur, ofrohet falas nga SIGAL AutoSOS, ndërsa koston e pjesëve të këmbimit e përballon vetë klienti.

Sigurime.Online: A paguaj diçka shtesë kur kërkoj asistencë apo shërbimi është plotësisht i përfshirë në çmimin e policës?

Kjo varet nga paketa e përzgjedhur. Nëse klienti ka zgjedhur paketën AutoSOS Premium, transporti me karroatrec në çdo pikë të Shqipërisë është falas, pavarësisht se ku ka ndodhur defekti apo aksidenti.

Ndërsa, nëse ka përzgjedhur një nga paketat e tjera, klienti paguan diferencën për çdo shpenzim që tejkalon limitet e përcaktuara në kontratë, siç u shpjegua më sipër.

Sigurime.Online: A më shoqëron dikush deri në destinacion nëse makina nuk mund të riparohet, apo transportohet vetëm automjeti dhe unë duhet të organizoj vetë udhëtimin?

Ponari: Shërbimi i karroatrecit mundëson transportin e automjetit dhe shoqërimin e drejtuesit deri në servisin më të afërt ose në destinacionin e përzgjedhur nga klienti, në varësi të paketës së zgjedhur.

Sigurime.Online: Sa herë mund ta përdor AutoSOS gjatë vitit?

Ponari: AutoSOS mund të përdoret për dy shërbime në vit, me përjashtim të paketës AutoSOS Bazë, e cila ofron një shërbim në vit.

Sigurime.Online: A mund ta blej AutoSOS edhe nëse sigurimin e makinës e kam te një kompani tjetër?

Ponari: Po, shërbimin AutoSOS mund ta blini edhe nëse automjeti juaj është i siguruar pranë një kompanie tjetër. Megjithatë, nëse sigurimin TPL, KJ apo Kasko e blini pranë SIGAL, përfitoni një ulje të konsiderueshme në çmimin e AutoSOS.

Sigurime.Online: Sa kushton shërbimi për një vit, nëse mund t’Ju pyes shkoqur?

Ponari: Patjetër. Asnjë problem. Çmimi i AutoSOS Shqipëri varet nga paketa që përzgjedh klienti. Paketa Bazë kushton 2,000 lekë; me sigurimin TPL të SIGAL, ofrohet për 1,000 lekë. Paketa Standard: 3,000 lekë; me sigurimin TPL të SIGAL, ofrohet për 2,000 lekë. Paketa Premium: 6,000 lekë; me sigurimin TPL të SIGAL, ofrohet për 5,000 lekë.

Sigurime.Online: Po shërbimi i asistencës rrugore jashtë Shqipërisë, sa kushton?

Ponari: AutoSOS Europe kushton 60 euro. Për klientët që kanë sigurimin KJ pranë SIGAL, çmimi është 50 euro, ndërsa për klientët me sigurim Kasko pranë SIGAL, çmimi është 30 euro.

Sigurime.Online: Z. Ponari, tani dua të ndalem te disa pyetje shumë konkrete, ndoshta edhe bazike, por besoj se lexuesit do ta gjejnë veten te to. Mund të përgjigjeni edhe thjesht me po ose jo. Nëse gjatë rrugës më duhet një gomë e re, a ma ofron këtë shërbim AutoSOS?

Ponari: Po. SIGAL AutoSOS ofron shërbimin e zëvendësimit të gomës, duke dërguar asistencën deri në vendndodhjen e automjetit. Koston e gomës së re e përballon klienti.

Sigurime.Online: Nëse më mbaron karburanti në rrugë, a aktivizohet AutoSOS?

Ponari: Po. SIGAL AutoSOS ofron edhe shërbimin e furnizimit me karburant. Shërbimi i asistencës ofrohet falas nga SIGAL, ndërsa koston e karburantit e përballon klienti.

Sigurime.Online: Po defektet mekanike dhe elektrike, a përfshihen në shërbim?

Ponari: Po. Përfshihen edhe defektet mekanike dhe elektrike që mund të riparohen në vend, si për shembull zëvendësimi i rripit të dinamos.

Sigurime.Online: Nëse humbas çelësat dhe nuk mund ta hap makinën, a aktivizohet shërbimi AutoSOS?

Ponari: Hapja e automjetit në këto raste është një shërbim i specializuar, që ofrohet nga koncesionarët ose serviset e specializuara. Megjithatë, AutoSOS mund të vijë në ndihmë duke transportuar automjetin deri te ofruesi i këtij shërbimi.

Sigurime.Online: Nëse dëshiroj të negocioj kushtet e sigurimit, duke pranuar edhe ndryshimin e çmimit, a mund ta personalizoj paketën sipas nevojave të mia?

Ponari: Patjetër. Brenda paketave që ofrohen, mund të diskutohen dhe përshtaten shërbimet, limitet e mbulimit dhe frekuenca e përdorimit të tyre. SIGAL Insurance Group prej kohësh i kushton rëndësi personalizimit të ofertave, në përputhje me nevojat e klientëve.

Sigurime.Online: Edhe një pyetje të fundit. Në Shqipëri, biznesi i automjeteve me qira është zgjeruar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. A ofroni edhe AutoSOS ditor për ata që kanë disa automjete në dispozicion për t’i dhënë me qira?

Ponari: Po. Ne ofrojmë edhe AutoSOS ditor, me mbulim në të gjithë Shqipërinë. Shërbimet janë të njëjta me ato të paketës Standard, me një shërbim gjatë periudhës së përzgjedhur dhe me të njëjtat limite mbulimi.

Primi është 1 euro për çdo ditë përdorimi, ndërsa limiti i mbulimit është deri në 10,000 lekë për shërbim, si për transportin me karroatrec, ashtu edhe për riparimin në vend. SIGAL Autosos është një lloj partneri shumë i dobishëm për këtë lloj biznesi. Kemi histori të shumta suksesi.

Sigurime.Online: Ku mund ta blejmë? 

Ponari: Fizikisht? Në çdo pikë të SIGAL nëpër Shqipëri. Online në sigal.al, te sigurimet motorike do të gjeni edhe AUTOSOS.

Sigurime.Online: Ju falënderoj për intervistën.

Fund. 

Advertisement