Bota
Kryeministri grek flet për sigurimin e vaksinës antiCovid: Vaksinimi i popullsisë nis në fillim të janarit
GREQI-Qytetarët grekë do të marrin vaksinën antiCovid-19 në fillim të muajit janar. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili dhe ka vënë në dukje dhe një rënie të numrit të infektimeve.
” Megjithëse po shohim disa shenja inkurajuese në drejtim të rënies së incidencës, ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për të shmangur rikthimin e epidemisë dhe për të ulur presionin në spitale. Kështu do të arrihet vaksinimi i organizuar i gjithë popullatës me kujdes dhe siguri, i cili do të fillojë nga fillimi i janarit,”-theksoi Kryeministri në takimin e Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë dhe zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas ditën e sotme ka njoftuar për masat e reja shtrënguese në Greqi. Festat e fundvitit do t’i gjejnë grekët të izoluar, ndërsa autoritet kanë zgjatur bllokimin deri më 7 janar. Shkollat, restorantet, sportet janë të mbyllura, deri më 7 janar. Edhe në vendimin e ri, qarkullimi do të jetë i ndaluar gjatë natës.