Rajon
Pranvera ballkanike dhe Vuçiç/ Ora politike po troket edhe për mikun e Orbanit
Deklarata e Aleksandar Vuçiçit nga Pekini se mandati i tij “po mbaron së shpejti” dhe se “mund të japë dorëheqjen”, tingëllon si një fjali e thënë shkarazi, por në fakt tregon se protestat masive në Serbi po e shtyjnë pushtetin të reagojë më me nervozizëm se zakonisht.
Kur një president që ka mbajtur fort kontrollin, mbi institucionet, mbi mediat proqeveritare dhe mbi aparatin shtetëror, fillon të flasë për dorëheqje, ka dy shpjegime të mundshme.
E para: protestat po e bëjnë të kushtueshme qeverisjen dhe po e godasin te ajo që i duhet më shumë, te imazhi i stabilitetit dhe kontrollit.
E dyta: kjo mund të jetë edhe taktikë. Vuçiçi shpesh e përdor dramën politike për të testuar terrenin a do të tremben njerëzit, a do të ndahen protestuesit, a do të fillojnë të mendojnë “po ikën ky, çka pastaj?”. Pra, ideja e dorëheqjes mund të përdoret si presion psikologjik mbi shoqërinë dhe kundërshtarët.
Kur pushteti i quan protestat “boshe”, synon t’ua heqë kuptimin, të thotë se “këta s’kanë ide, s’kanë plan, veç bërtasin”. Por në realitet, protestat masive shpesh nuk dalin në rrugë me program qeverisës në xhep. Njerëzit dalin sepse janë lodhur nga korrupsioni, nga kapja e shtetit, nga presioni politik, nga propaganda, nga ndjenja se “s’ndryshon asgjë”.
Një gjë është e qartë, Vuçiçi po e pranon indirekt se protestat po e prekin. Kjo do të thotë se protesta ka hyrë në fazën ku pushteti duhet të zgjedhë, ose e shton presionin dhe i trajton si problem policor, ose bën lëshime të kontrolluara për t’i zbutur, ose tenton t’i kanalizojë në një lojë politike që e menaxhon vet; p.sh. ndryshime, riformatim, zgjedhje.
Pra kur një lider fillon të flasë publikisht për dorëheqje, edhe si “mundësi”, zakonisht është shenjë se situata nuk është aq e qetë sa do të donte ta paraqiste.