Kosova
A lirohet menjëherë Thaçi nëse shpallet i pafajshëm?
Gjykata Speciale në Hagë më 16 shtator do ta shpallë aktgjykimin në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Por, edhe nëse ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpallet i pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi. Arsyeja është se ndaj Thaçit po zhvillohet paralelisht edhe një proces tjetër në Hagë, nën akuzat për pengim të drejtësisë.
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, një i akuzuar i paraburgosur që shpallet i pafajshëm lirohet menjëherë, përveç nëse mbahet ligjërisht në paraburgim për një çështje tjetër ose është duke vuajtur dënim për vepra të tjera penale.
Në rastin e Thaçit, vendimi për vazhdimin e paraburgimit, nëse ai shpallet i pafajshëm në rastin kryesor, do t’i takojë gjyqtarit të vetëm që po shqyrton rastin për pengim të drejtësisë. Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se paraburgimi i Thaçit është urdhëruar në të dyja proceset.
“Prandaj, nëse zoti Thaçi shpallet i pafajshëm në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, çështja nëse ai do të vazhdojë të mbahet në paraburgim do të vendoset nga gjyqtari i vetëm që po shqyrton rastin për pengim të drejtësisë”, ka thënë Doyle.
Vendimin e fundit për vazhdimin e paraburgimit, të dhjetin me radhë, gjyqtari e ka marrë më 31 korrik. Në të është vlerësuar se ende ekziston rreziku që Thaçi të pengojë procedurat ose të kryejë vepra të tjera penale. Thaçi mund të paraqesë parashtresat e tij për këtë çështje deri më 7 shtator.
Nëse ai nuk e bën këtë, Prokuroria duhet të paraqesë qëndrimin e saj deri më 14 shtator, ndërsa Thaçi mund të përgjigjet deri më 21 shtator.