Connect with us

Shkrime

A mjafton kaq për të thirrur BASHKIM?

Nga Andi Bushati

Në PD po ndodh ajo që dukej e pamundur dy vite më parë, kur vëllezërit armiq demokratë luftuan me hunj dhe gaz lotësjellës kundër njëri tjetrit. Mbështetësit e Gazmend Bardhit që përfaqësojnë pak më tepër se 20 deputetë, janë rikthyer në mënyrë simbolike në selinë zyrtare duke e njohur atë si shtëpinë e demokratëve. Ata kanë zhvilluar aty një tubim të përbashkët me deputetët berishistë dhe më pas kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të zgjedhur vetëm nga Rithemelimi. Po ashtu, së bashku, kanë vendosur që deputetët të zbresin në bazë për të organizuar mitingun e 20 shkurtit.

Nga pikpamja formale, PD ngjan e unifikuar dhe në sipërfaqe të gjithë ata që po i fryjnë burive të  bashkimit duket se kanë të drejtë. Por përtej kësaj fasade, jo gjithçka është krejtësisht rozë. Sepse këto flukse që ndoshta i bën njësh beteja kundër Edi Ramës, ndahen mes tyre nga hendeqe të mëdha.

Fryma e atij që jemi mësuar ta konsiderojmë për lehtësi emërtimi si “grupimi Bardhi” ka në themel të tijin një sërë tezash që janë katërcipërisht të papajtushme me frymën e idhtarëve të Berishës. Ata mohojnë të njohin gurin kilometrik që përçau PD, dhe që ishte shpallja non grata e Sali Berishës. Ata nuk e konsiderojnë veprimin e sekretarit Blinken si produkt të një lobimi të fëlliqur nga Tirana e për pasojë, vazhdojnë të këndojnë skenarin idiotesk të partneritetit me aleatin tonë strategjik edhe kur përfaqësuesit e tij bëjnë gafa kolosale në këtë vend. Si rezultat i këtij pro amerikanizmi qesharak, ata janë të kujdeshëm edhe jo kritikë ndaj SPAK-ut edhe kur ky i fundit dëshmon se është i zhytur kokë e këmbë në axhendën e pushtetit.

Një tjetër pikë e diskutueshme e tyre është se ata nuk e njohin Berishën si lider të padiskutueshëm të PD dhe aq më pak e pranojnë atë si kandidat për kryeministër. Shumë prej eksponentëve në grupin parlamentar, janë të bindur se lideri historik nuk mund ta shpjerë më PD-në në fitore dhe e quajnë të pa imagjinueshme që ish presidenti dhe dy herë kryeministri i larguar nga pushteti me mbi 1 milionë vota, ti prijë edhe njëherë fushatës së ardhme elektorale.

Nga ana tjetër, foltoristët, që tashmë kanë uzurpuar karriget dhe postet kryesore në parti,  duke u votuar vetëm nga pjesa berishiste e opozitës, flasin me gjuhën e të qenit shumicë. Ata janë radikalë jo vetëm në betejën ndaj Ramës, por edhe ndaj kujdo që e ndihmon atë, qofshin këta prokuror të Posaçëm, qofshin diplomatë të kallëpit, Lu, Kim apo Escobar.

Kritikave për gjithë pushtetshmërinë e Berishës, ata i përgjigjen me argumentin numerik se në demokraci vendosin votuesit. Kërkesave për zvoglimin e rolit të liderit historik, ata i kundërvënë si argument primaret, parimin një anëtar një votë dhe asnjëri prej tyre nuk guxon të shqiptojë se Berisha mbi 80 vjeçar, për më tepër i izoluar, nuk do ti prijë fushatës së ardhshme.

Pra, nëse e shohim pak ftohtë dhe me distancë logjike, askush nuk mund të thotë se si mund të ngjizen dy grupe me mentalitet krejt të ndryshëm. Të parët flasin në emër të një PD-jë të hapur ndaj publikut, të dytët në emër të antarësisë. Njëra palë e vë theksin tek mos konfrontimi me institucionet e drejtësisë, tjetra tek radikaliteti i qëndrimeve që duan militantët. Të ardhurit rishats duan dëshpërimisht një aleancë me diplomatët perendimorë, qëndrestarët u kujtojnë se ata i kanë shërbyer më së shumti regjimit të Edi Ramës dhe kanë goditur pareshtur opozitën. Ata që shohin nga e ardhmja, megjithëse i’a njohin forcën Berishës, nuk e perceptojnë më atë si shpresë, ata që privilegjojnë historinë, këmbëngulin se pa të nuk ka më PD.

Kjo papërpuethshmëri në koncepte është e tillë edhe në qëllime. Sot është Berisha që ka nevojë për “grupin Bardhi”, për t’u pranuar si lider, për të çarë vargonjtë e izolimit dhe për të forcuar aksionin opozitar. Por ama nesër, kur të trokasin votimet dhe hartimi i listave të deputetëve, do të jenë jenë të ardhurit e fundit ata që do të duan rezervuarin e madh të militantëve të Berishës, për të vijuar karierrën politike.

Prandaj pyetja që shtrohet është: si mund të unifikohen këto teza dhe interesa në një trup të vetëm? Për këtë sllogani i betejës kundër Ramës nuk mjafton. Aq më pak lufta e karrigeve dhe bilbilave apo një protestë e vetme si ajo e 20 shkurtit.

Për këtë duhet një pakt politik. Grupi Bardhi duhet të pranojë se është pakicë. Si të tillë pjestarët e tij, duhet të jenë të gatshëm “të hanë bar” dhe të njohin një ‘non grata’ si liderin e tyre. Duan, s’duan, ata duhet të denoncojnë lojën politike të SPAK-ut me shefin e opozitës. Ata duhet të pohojnë me gojën plot se cilës anë i përket vula dhe përfaësimi dhe të bien dakord se prijësin e fushatës së ardhshme e përcakton shumica.

Në këmbim të këtyre koncesioneve të forta, që bien ndesh me bindjet e deritanishme, ata duhet të rimarin vendet e tyre në PD, në kryesi, Këshill Kombëtar dhe listat e ardhshme të deputetëve. Por kjo kalon automatikisht përmes insitucionalizimit të një fraksioni. Vetëm një i tillë mund ta bashkojë realisht PD-në.

Vetëm të organizuar brenda tij, ata që nuk besojnë tek Berisha, do të vijojnë qoftë dhe si kritikë të tij, të garantojnë të ardhmen e tyre politike.

Vetëm kështu PD-ja mund të zgjidhë, jo konfliktin e viteve të fundit, por atë që e ka shoqëruar që prej fillim viteve ’90, atë të një partie ku janë të parfaqësuar edhe demokratët anti berishistë. Pra formuala është: pakica duhet të sakrifikojë duke njohur shumicën dhe kjo e fundit të bëjë të njëjtën gjë duke i siguruar minorancës të gjithë të drejtat që bëjnë të mundur një unifikim të pathyeshëm politik.

Pa e hedhur këtë hap, sa do të bukura të duken ngjarjet që ndodhën këtë të hënë, ato nuk do të kenë efekt. Ato ato mund të zhbëhen me të njëjtën lehtësi që u ngjizën, kur një apo disa deputetë të largohen me porosi të aleatit strategjik, apo disa të tjerë të sakrtohen nga listat para zgjedhore, me sebepin se njerëzit nuk i duan, ngaqë kritikojën Berishën.

Këto anomali mund të shmangen vetëm me një formulë, atë të krijimit të fraksionit, i cili i garanton të gjithëve të bëjnë përpara, pa mohuar vetveten.

Shkrime

Hetimi pasuror/ Ç’po bën SPAK me Erion Veliajn

Një gjë është e qartë. Prokuroria e Posaçme është duke verifikuar pasurinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarëve të afërm të tij. Në një dokument të siguruar nga një bankë e nivelit të dytë konfirmohet kërkesa që prokurori i SPAK, Ols Dado u ka drejtuar të gjitha bankave të kësaj kategorie në Shqipëri, që të japin informacion për pasurinë e kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes se tij, Ajola Xoxa, vëllait, Arbër Veliajt dhe nënës së tij, Shqiponjë Veliaj.

Në shkresën e SPAK thuhet se “Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka regjistruar procedim penal”. Nuk është e qartë, nëse ky procedim penal ka nisur drejtpërdrejt me emrin e Erion Veliajt apo ai po hetohet si pjesë e dosjes së inceneratorëve, apo asaj 5 D. Nga emri i prokurorit Dado që ka nënshkruar kërkesën për hetim pasuror, nuk kuptohet mirë nëse kjo po kryhet në kuadër të dosjes për djegësin e Tiranës apo në kuadër të skandalit 5D të drejtorëve të bashkisë. Dado nuk është i përfshirë në hetimin e asnjërës prej këtyre dy çështjeve.

Në kërkesën e SPAK për bankat, kërkohet që të vendoset në dispozicion çdo informacion që lidhet me veprimet bankare dhe transaksionet financiare të kryera brenda dhe jashtë vendit për personat e cituar më lart. Gjithashtu SPAK ka kërkuar informacion edhe nëse këta persona që kanë edhe aktivitete komerciale, bashkëshortja e Veliajt në fushën e artit dhe i vëllai me një kompani të shpërndarjes së reklamave kanë marrë kredi si dhe historiku i shlyerjes së saj.

Gjithashtu përpos shkresës drejtuar bankave të nivelit të dytë Syri Tv ka njoftuar mëngjesin e së mërkurës dhe një dokument i ngjashëm për Veliajn dhe familjarët e tij i është dërguar nga SPAK edhe tek Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë.

Më 30 mars Erion Veliaj u pyet për më shumë se 8 orë në SPAK për çështjen e inceneratorit të Tiranës për tre çështje kryesore, për shkresat dërguar ministrave të financave si nismëtar i inceneratorit, për shkresën e famshme, kur pasi i mohohet nga ministria e financave, Veliaj merr personalisht angazhimin financiar për ndërtimin e inceneratorit si dhe për enigmën e depozitimit të dherave, që i kanë dhënë mundësi bosëve të inceneratorëve të përfitojnë rreth 60 milionë euro shtesë nga intertet që depozitonin aty, ata që hapnin gropa ndërtimi në Tiranë.

Deri më tani fati i atyre për të cilët SPAK ka nisur hetim pasurie nuk ka qenë i mirë, por askush nuk e mohon edhe hipotezën se kjo mund të jetë një manovër për ta pastruar kryebashkiakun sipas metodës “e hetuam thellësisht por doli i pastër”.

Nga ana politike kryeministri Rama ka lëshuar mesazhe kontradiktore në raport me mbrojtjen apo shitjen e atij që konsiderohet si delfini i tij. Ai njëherë ka thënë se i vetm që nuk lëshon është djali i vet i vogël, por nga ana tjetër u bashkua me “fjalë dhe presje” me mesazhin publik të Veliajj që pretendonte se ai vetë nuk dinte gjë për drejtorët që kanë vjedhur pas shpinës së tij në bashki.

©LAPSI.al

Continue Reading

Shkrime

Prapaskena Kosovë, profesori i ashpër me ndërkombëtarët

Franca, Gjermania dhe Italia kanë ngulur këmbë në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ato mbështesin draft-statutin e propozuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Javë më parë, Kurti i ishte drejtuar liderëve të këtyre tre vendeve me një letër, duke sqaruar pse Qeveria e Kosovës nuk mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese atë draft-statut dhe kishte propozuar ta shkruajë një të ri me kryetarët e tanishëm të komunave me shumicë serbe.

Çështja e Asociacionit arriti të ndikoje edhe në agjendën e KiE-së duke mos u lejuar Kosova të vazhdoje procesin dhe duke kushtëzuar me Asociacion.

E në lidhje me këtë temë ka folur profesori universitar Dr. Enver Bytyçi.

Ai tha se kushtëzimi i Kosovës me krijimin e asociacionit të Komunave me Shumicë Serbë për pranim në Këshillin e Evropës ishte një mëkat dhe një ngjarje e hidhur, e padrejtë. Profesori theksoi që ajo që zhgënjeu më shumë në këtë mes është qëndrimi i SHBA dhe Gjermanisë.

“Kushtëzimi i Kosovës me krijimin e ansociacionit për pranim në Këshillin e Evropës ishte një mëkat dhe një ngjarje e hidhur, e padrejtë, jo produktive dhe e shëmtuar. Fatkeqësisht këtë kushtëzim e reklamuan tri vende perëndimore, të cilat jo vetëm e kanë njohur shtetin e Kosovës, por edhe betohen çdo ditë se do të punojnë për formësimin e plotë të saj. Ajo që zhgënjen më shumë lidhet me faktin se këtij kushtëzimi iu bashkuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania. Franca është e njohur për qëndrimet e saj pro Serbisë. Për mua nuk ka rëndësi shumë arsyeja pse këto shtete penguan anëtarësimin e Kosovës, se është ose jo Serbia lobuese te ato për te realizuar politikën e saj të bllokimit.

Që Serbia është kundër Kosovës, kundër pavarësisë dhe shtetësisë së saj, kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, kjo është e njohur tashmë. Serbia kurrë nuk do të pajtohet me Kosovën shtet Sovran e të pavarur, edhe nëse bisedimet zgjasin 100 vjet” u shpreh Bytyci, sipas te cilit janë çuditshme veprimet e ndërkombëtarëve dhe sipas tij, ato mbetet enigma, duke mos kuptuar qasjen që të njëjtat kanë me Serbinë.

“Ajo që më trishton ka të bëjë me faktin se ndërsa Kosova e Serbia kanë pranuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, e cila detyron Serbinë të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë dhe OKB-në, janë vetë sponsorët e asaj marrëveshje që pengojnë Kosovën në këtë rrugëtim. Janë Gjermania dhe Franca ato që me bekimin e SHBA-ve hartuan Marrëveshjen e Brukselit, të cilën Kurti dhe Vuçiq e pranuan në shkurt 2023. Pranuan gjithashtu sekuencimin e zbatimit të saj në mars të atij viti. Tani janë këto vende, të cilat shkelin një marrëveshje, të cilën vetë e hartuan dhe e imponuan.
Pse po e bëjnë këtë? Sepse duan që t’i japin akses Serbisë të jetë e pranishme në Kosovë. Kjo si kusht që ajo “të afrohet me Perëndimin”! Por në fakt kjo nuk do të ndodhë, edhe nëse Perëndimi ia jep krejt Kosovën Serbisë. Pakti Perëndim-Serbi jo vetëm që është i pandershëm, por edhe jo produktiv, jo realist, jo i zbatueshëm. Aleksandër Vuçic e konfirmoi këtë që po them, kur krijoi qeverinë e re me të gjithë anëtarët e kabinetit besnikë të deklaruar të Moskës. Vetë bën sikur është besnik i Kinës” – deklaroi Butuci

Sipas profesorit Perëndimi ka filluar ta mbështes Vuçicin, në vend qe të merret me padrejtësitë e tij. Ai gjithashtu u shpreh skeptik për vëmendjen e duhur ndaj Kosovës në procesin e dialogut………………………

“Në rastin konkret po përkrahet politika e një presidenti autokrat të lidhur me grupe mafioze e kriminale, madje dhe me grupe terroriste, nëse kemi parasysh shkrimet e medieve perëndimore. Pra po përkrahen politikat e tij destruktive e mashtruese të Vuçici i cili sundon me mjete dhune në vendin e tij dhe kërcënon çdo ditë paqen dhe stabilitetin e rajonit. Refuzimi i shqyrtimit të vendimit të Asamblesë Parlamentare nga ana e Komitetit të Ministrave për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ishte thjesht një akt i paprecedentë. Dhe më e keqja është se këtë refuzim e kushtëzojnë me praninë e Serbisë në Kosovë, jo me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.

Se duan që Serbia të jetë prezent dhe të ketë mundësi që në të ardhmen e afërt ta shpërbëjë shtetin e Kosovës përmes Asociacionit dhe jo që qytetarët me etni serbe të gëzojnë të drejtat e tyre. Të drejta, të cilat ata i kanë të garantuara me Planin Ahtisaari dhe me kushtetutën e ligjet e tjera të Kosovës. Nuk ka asnjë pakicë në shtetet evropiane, sado e madhe të jetë, të drejta aq sa kanë serbët në Kosovë” – potencoi Enver Bytyci

 

Continue Reading

OPINION

20 fakte nga Spahiu: A ka Shqipëria familje mafioze apo banda kriminale?

Nga Kreshnik Spahiu

Ja çfarë kuptuam nga përgjimet. Ku ndryshon krimi organizuar shqiptar nga mafia italiane apo mafia ndërkombëtare?

Padyshim që mafia egziston kudo edhe në Shqipëri, por përgjimet e fundit të 7 bandave kryesore në Shqipëri zbuluan qartazi dobësitë e tyre dhe provuan se ato janë shumë poshtë dhe larg një organizimi 100% mafioz.

Qytetarët e thjeshtë në zhargonin ditor, për çdo bandë pëdorin termin “Mafia”, por në thelb ka disa ndryshime esenciale si koncept juridik. 7 bandat shqiptare të arrestuara apo shpallura në kërkim nga SPAK, qartazi janë të dhunshme dhe i përkasin krimit të organizuar por ato nuk mund të quhen kurrësesi “Familje mafioze” për këto arsye:

– Ato nuk kanë një organizim strukturor të centralizuar në formë piramidale me detyra dhe funksione të ndara. Ato nuk kanë as Kanun, as Kod, as “parime” mbi të cilat verpojnë.

– Ato nuk kanë rrugulla dhe norma sesi të organizohen në kohë dhe hapësirë, si të komunikojnë, funksionojnë, antarësohen, punojnë dhe ndajne fitimet apo aksionet e tyre. Ndrageta ndau në vitin 2022 për 1000 antarët e saj jashtë italisë 2.3 milon euro fitim vjetor.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë si Mafia e huaj ekskluzivitete në ekonomine shqiptare ashtu sic ndodh ne Itali, Rusi, Meksike etj ku mafia kontrollon sektore monopol në transport, buqesi, industri, eksport. Ne disa raste ato quhen “Agromafia”, “Ekomafia”, Telemafia”, “Mafiabank”. I vetmi ekskluzivitet ishin lojrat e fatit për Ervis Martinajn nga qeveria demokratve por që nga 2014 u shkri si aktivitet. Bandat shqiptare kanë biznese por nuk kanë monopol të një sektori të ekonomisë së vendit.

– 7 bandat shqiptare nuk janë pronare apo aksionere as në banka, as nuk kanë kontroll në dhënien e fajdeve në qytete të caktuara. Atje ku ekziston mafia, shumica e qytetit jetojnë me para me fajde vetëm nga një famije.

– 7 bandat nuk kanë asnje kontrroll ekskluziv në një qytet të caktuar persa i përket “haraçit” qe paguajne bizneset më shume se taksa shtetit. Në disa qytete italiane 200.000 biznese paguajne “gjoben” e mbrojtjes mafies. 150.000 biznese nuk jane mbyllur nga zyra e taksave por nga mos pagesat mafies.

– 7 bandat shqiptare janë totalisht banale dhe amatore në mënyrën si funksionojnë. Kapot e tyre jo vetëm nuk janë diskretë dhe të fshehtë por sillen sikur janë play-boy filmash erotik duke dhe banal gjuajtur femrat e bukura ne instagram. Ata kanë me shumë dashnore sesa ushtarë apo staf te organizuar dhe strukturuar. Gjysma e tyre kanë rënë në kurthe nga të dashurat e tyre. Kapot e mafieve të huaja kanë familje të mëdha dhe shumë autoritet familjar duke bashkjetuar apo funksionuar në mënyrë patriarkale.

– 7 bandat shqiptare nuk kane qëndrueshmërinë e Familjeve mafioze që 100 vjet trashegohen dhe kanë lidhje gjaku apo lidhje “parimesh”. 7 bandat shqiptare çdo 7 dite ndryshonin aleancat dhe ja fusnin njeri-tjetrit. 7 kapot e bandave shqiptare jane banal, te pabese, injorante, mashtrues, llafazan, thashethemaxhi, halabakë, totalisht provincial dhe kanë dhunën primare jo influencen në shtet dhe popull.

– 7 bandat shqiptare jane të urryera në zonat e tyre dhe jo të pëlqyera apo solidare si Mafia. 7 bandat shqiptare nuk e mbrojnë komunitetin ku veprojnë por e dhunojnë. Mafia italiane apo ajo kolumbiane janë të dashura nga komuniteti sepse ndihmohen apo mbrohen shpesh prej saj.

– Dallimi mes bandave shqiptare dhe bandave italiane është që “halabakët” shqiptarë janë të fortit që ecin me xhama të zinj dhe makina të blinduara, ndersa kapot e mafias italiane ecin ne këmbë apo biçikletë duke i pershendetur gjithë qyteti, por duke mos i treguar askush nga banorët policisë se kush është ai “plaku me kollare” që po ha akullore në qendër të qytetit.

– 7 kryebanditët shqiptarë bënin lekë për tu dukur me veshje firmato dhe pushime në Ibiza. Familjet mafioze në botë bëjnë para që të mos duken dhe mos bien në sy.

– 7 bandat shqiptare ranë në rrjetën e policisë sepse të 7 shefat si amatore komunikonin drejtpërdrejt me njëri tjetrin dhe nuk përdornin filtra apo korrierë. Familjet mafioze nuk ka asnjë shanc që “krye-familjaret” të komunikojnë me telefona dhe pa kode.

– 7 kryebanditet shqiptarë janë komplet amator në krimet e tyre. Ata urdherojnë vetë, financojnë vetë, organizojnë vetë, ekzekutojnë vetë. Mjafton kaq për të kuptuar sa larg organizimeve mafioze ata janë. Në botë ka me dhjetra organizata mafioze, drejtuesit e të cilave kanë urdhëruar me qindra vrasje por personalisht nuk kanë prekur pistoletë me dorë.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë si mafia nderkombetare një sistem paralel fiskal apo bankar. Ato vazhdojnë të mbajnë paratë nëpër fuçi djathi apo gropa në bahçen e shtëpisë.

– 7 bandat shqiptare ndryshe nga mafia nderkombëtare nuk kryejnë atentate politike apo shtetrore. Nga përgjimet nuk rezulton asnjë aksion dhune apo vrasje për kundershtar politik.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë një listë pagesash masive ne shtet ashtu sic kishte Al Capone apo cdo mafie tjetër qe paguajnë mbi 300 pokitikane, gjyqtare, prokurore, police, doganiere me page fikse cdo muaj. Pagesat qe bejne bandat shqiotare kur kane halle nuk quhen finacim i organizuar mafioz. Magesat mujore janë element organizimi dhe jo rryshfeti spontan.

– E fundit 7 bandat shqiotare nuk kanë një sistem organizimi formal si çdo mafie italiane me hierakinë e urdhërave, vendimeve dhe kopetencave: 1- Shefi, 2- Këshilltari, 3- Zv/shefi, 4- Kapitenët, 5- Ushtarët/ekzekutorët. 6- Financieri, 7-Aksionerët. 8-Antarët.

– 7 bandat banale shqiptare nuk kanë arritur dot të krijojnë “legjislacionin” e tyre që të ishte i detyrueshëm në qytete të vaktuara ku ata të ofronin si mafia italiane mbrojtje ekstra ligjore për komunitetin.

Të gjitha këto fakte janë relativisht të debatueshme por kryesisht provojnë se krimi organizuar në Shqipëri është i dhunshëm, është brutal, është famëkeq, është i rrezikshëm, është i fortë, është vrastar por në thelb është larg një strukturimi mafioz klasik. Ky është një lajm i mirë sepse me këputjen e disa kokave, bandat e tyre shpërbëhen dhe çmontohen. Ato nuk trashegohen në drejtim, dhe struktura e tyre nuk mund te vazhdoj funksionimin. Ato lindin dhe shuhen ose copëzohen me vrasjen e kryetarit. E njejta histori ndodhi me bandën e parë të Gaz Muçës, e cila u shkri me vrasjen e tij, dhe njesoj vazhdon me “Naim Zyberi”, “Haklat”, “Zani Çaush” apo deri në ditët e sotme “Ervis Martinaj”… Me zhdukjen e tyre, zhduken dhe bandat. E kundërta do ndodhte nëse do kishin krijuar disa familje mafioze. Tek mafia vdes kryetari por vazhdon trashëgimtari dhe ushtria e tij si shtet paralel me gjithë financat dhe asetet e trashëguara…….

Continue Reading

Shkrime

Lojërat e Vuçiç, as Lindje, as Perëndim, analiza e DW

Dushko Lopandiç, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha për DW, se politika e jashtme serbe “ka shumë ngjashmëri” me politikën e brendshme. Ashtu sikurse Partia Përparimtare Serbe që është një parti e ashtuquajtur “catch-all” – si një parti që kërkon votat nga të gjithë – edhe politika e jashtme dhe diplomacia janë shtrirë në të gjitha drejtimet.

Lufta kundër pranimit të Kosovës në KiE dhe kundër Rezolutës për Srebrenicën, zotimi për rrugën evropiane, vizita e liderit kinez, afërsia me Rusinë… A është politika e jashtme e Serbisë “skizofrene” apo me strategji?

Kemi te bejme me nje pranverë diplomatike te stuhishme në Serbi: Vizita e presidentit kinez, lufta kundër rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, vizita e Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm të Ukrainës, fushata kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, fjalimi i Vuçiçit në Rusi…

Ngjarjet e rëndësishme të politikës së jashtme janë rreshtuar. Disa do të thoshin, plot mospërputhje dhe çorientim i politikës së jashtme serbe, të cilën disa analistë e cilësojnë si “skizofrenike”. Deklarativisht ende në rrugën evropiane, Serbia ose, më saktë, presidenti i saj Aleksandar Vuçiç, po përpiqet të gjejë aleatë nga të gjitha anët. Për vëzhguesit nga jashtë duket kjo si një ylber i politikës së jashtme, ku nuk mund të gjesh ndonjë sistem.

Dushko Lopandiç, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha se
“Kjo diplomaci e gjerë përdoret në radhë të parë për të promovuar regjimin dhe për propagandë të brendshme. Ne kemi një politikë të jashtme shumë të pasuksesshme, persa i përket integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal. Regjimi po zbaton një lloj politike të jashtme propagandistike”.

Nga ana tjeter, Igor Novakoviç nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri u shpreh se në këtë politikë ka një sistem. “Fokusi tani është në dy boshte – me Amerikën dhe me Kinën”.

“Bashkimi Evropian është në vendin e tretë, ndërsa Rusia në vendin e katërt. Tani të gjitha letrat janë vendosur në njëfarë real-politikë, e cila bazohet në një lloj marrëdhënieje të caktuar transaksioni, që synon të mbajë në pushtet elitën ekzistuese.

Meqenëse ata kontrollojnë të gjitha proceset në vend, ata mund të udhëheqin një politikë të jashtme të tillë të plotë”- beson Novakoviç.

Dushko Lopandiç, nga ana tjetër, flet për improvizime – për vizitën e rëndësishme të presidentit kinez Xi,  si dhe për vizitën e delegacionit ukrainas, e cila “në radhë të parë ka të bëjë me marrëdhëniet me Amerikën”.

“Një ditë kritikohet BE-ja, ndërsa të nesërmen thuhet se jemi në rrugën evropiane. Është një lloj loje që ngre pyetjen e çmimit të një politike të tillë, e ky çmim nuk është i vogël”, paralajmëroi Lopandiç.

Vizita në Serbi e bashkëshortes së presidentit ukrainas, Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm, Dmitry Kuleba, është interesante për faktin se mediat e regjimit mezi raportuan për këtë vizitë. Igor Novakoviç vëren se “qeveria kontrollon në mënyrë të barabartë narrativën pro-ruse dhe pro-perëndimore në media. Kjo zvogëlon rëndësinë e Perëndimit dhe BE-së nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër parandalon disa manipulime më të thella nga pala ruse”.

Regjimi serb ka zhvilluar një fushatë antiperëndimore për një kohë të gjatë. Njëjohësisht ka bërë në masë të vogël një fushatë pro-ruse, thotë Dushko Lopandiç.

“Është vërtet interesante që kjo vizitë u regjistrua shumë pak, si shumë modeste, sepse aty nuk ishte vetëm gruaja e presidentit ukrainas, por edhe ministri i Jashtëm. Kjo është bërë edhe për faktin se opinioni publik ka një qëndrim kryesisht pro-rus. Në këtë kuptim, pranimi i krerëve të Ukrainës sigurisht që nuk është i popullarizuar për momentin”, theksoi Lopandiç.

E teksa ditët në vijim do të shënohen nga miratimi i paralajmëruar i Rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, Igor Novakoviç e vlerëson luftën e autoriteteve në Beograd kundër kësaj Rezolute si mbështetje për Milorad Dodikun.

“Paradoksalisht, kjo histori erdhi në momentin e duhur për Vuçicin dhe Dodikun, të cilët kanë shumë probleme të brendshme. Kjo temë tani mund të përdoret për të mobilizuar njerëzit”  – vlerësoi Novakoviç.

Diplomacia serbe bëri përpjekje të mëdha për të penguar edhe hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë që për momentin ia doli. Të premten (17 maj) Kosova nuk ishte në rend dite, sepse vendet e Kuintit këmbëngulën për fillimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që Prishtina e refuzon.

Bashkëbiseduesit e DW nuk janë të sigurt se kjo është një fitore diplomatike e Serbisë, por më tepër flasin për hapat e gabuar që ka bërë Prishtina. “Këtë rezultat e solli mosbashkëpunimi që Kurti po tregon prej vitesh me faktorin ndërkombëtar dhe mohimi prej tij i një pjese të Marrëveshjes së Brukselit”, potencoi Dushko Lopandiç.

Edhe Igor Novakoviç ka mendim të ngjashëm: “Kosova ndoshta do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe çdo lëvizje që sugjeron se Asociacioni mund të jetë diçka më shumë se një organizatë e zakonshme joqeveritare mund të jetë e dëmshme për Kurtin”. Në këtë mënyrë, autoritetet e Kosovës po sillen shumë ngjashëm me autoritetet serbe, mjaft transaksionale dhe të palëkundura”.

 

Continue Reading

Shkrime

Mesazhi i Escobar e ‘Dosja Britanike’, Berisha-Meta jo më deputetë?!

Nga Jakin Marena

Opozita vijon të jetë e ndarë në disa pjesë, si pasojë e situatës kaotike në të cilën gjendet PD, partia më e madhe opozitare në vend.

Themi se gjithçka vërtitet rreth PD, sepse partitë e tjera, të ‘vjetra’ apo të reja s’kanë asnjë peshë specifike politike që mund të sjellin përmbysje elektorale dhe për pasojë rrotacion pushteti, i cili me shumë gjasa do të vijojë të jetë në dorë të PS dhe për shumë mandate.

Demokratët janë në dilema të mëdha, dhe ku për shkak sentimenti apo dhe ‘genin’ specifik të shqiptarit, për t’u atashuar rreth më të fortit, më shumë janë të grumbulluar rreth Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.

Ndonëse janë pa asnjë shpresë për të ardhmen me një lider si Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania e Madhe, dhe i trajtuar si i tillë dhe nga vendet anëtare të BE ose jo, përfshirë dhe vendet e rajonit, me Kosovën në përbërje, ndonëse nën arrest shtëpiak për korrupsion e dosje të tjera si “Gërdeci”, “21 janari” dhe afera CEZ-DIA në ngarkim të tij ku më shumë dhe ku më pak, sërish demokratët që janë mbledhur rreth tij shpresojnë te ndonjë ‘tekë’ e fatit, ndërsa pjesa që i qëndron më afër, nuk kanë nga shkojnë, sepse kanë përfituar nga pushteti i tij.

Kalojnë nëpër mendje ardhjen në pushtet për herë të dytë më 2005 me votë, falë makinacioneve dhe përçarjes së PS që udhëhiqej nga Fatos Nano, teksa tetë vite më parë, më 1997, Berisha ishte hequr nga pushteti me pushkë, dhe shpresojnë se mund të përsëritet ky rast fatlum.

Për hir të së vërtetës lumi nuk lëviz dy herë në të njejtat brigje, sa herë që fryhet nga shirat por gjen rrugën më të shkurtër për t’u derdhur në det, por ama demokratët vazhdojnë shpresojnë me sytë ‘nga qielli’ dhe herë dhe të drejtuar nga kati i tetë i pallatit ku flet përnatë Berisha.

Gjithsesi janë të pashpresë për të ardhmen, dhe një grup më i paktët, sipas parimit të enëve kumunikuese lëvizin herë në krahun e PD zyrtare të udhëhequr nga Lulzim Basha, ‘birit plangprishës’ politik të Berishës, e herë tek Rithemelimi i udhëhequr nga ‘ati’ i tyre shpirtëror.

Në fund të herës demokratët kanë hyrë në vitin e ri zgjedhor, pa asnjë shpresë për të ardhur në pushtet, teksa po mbushin 12 vite në opozitë, dhe shumë prej tyre besojnë se PS dhe Edi Rama, kanë tërë mundësinë e Zotit për të qeverisur dhe mandate të tjerë, sa kohë që PD është në këtë shkallë degradimi politik. Por dhe në një krizë të fortë lidershipi.

Zhgënjimi shtohet akoma më tepër dhe për faktin se Berisha është i mbyllur në pallatin e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, me vendim gjykate nën arrest shtëpiak dhe vetëm Zoti e di se si do të dalë në fund të herës përballë akuzave të rënda që janë në ngarkim të tij, e që SPAK, sado ta ketë marrë me nge këtë punën e Berishës, një ditë do të duhet që dhe dosjeve të rënda që përmendëm më sipër, t’u vërë nga një emër sipër dhe për pasojë të thotë dhe përgjegjësin kryesor për ta përballur me akuzat.

Njëherësh, Rithemelimi është një grupim politik në të ‘zezë’, pasi s’njihet ligjërisht dhe sa herë që partitë thirren nën ‘shërbim’, pra për t’u ballafaquar me votën e shqiptarëve, ka qënë dhe do të jetë i detyruar që kandidatët e vet t’i regjistrojë në emër të Partisë së Lirisë së Ilir Metës, apo të ndonjë partie tjetër fantazmë me të cilën ka afri, nëse Meta tregon ‘oreks’ të madh politik.

Por dhe sikur Berisha të tërhiqet në këtë moment nga drejtimi i Rithemelimit për t’u marrë me punët e e veta në përballjen e rëndë dhe familjarisht më drejtësinë, gjasat janë të sigurta se sërish një ‘non grata’ do ta udhëheqë këtë grupim politik.

E pranoi vetë një natë më parë Argita Berisha Malltezi në një emision televiziv, se drejtimi i Rithemelimit nuk do të dalë jashtë familjes Berisha. Pra, në mungesë të të atit Argita do të marrë drejtimin e Rithemelimit, dhe kjo është e sigurtë. E kemi parë se pas të gjitha protestave dhe tek ‘Rrugica e Salës’ e para bashkisë, këto të fundit të dhunshme dhe me molotov, qëndron ‘dora’ e Argita Malltezit Berisha, një udhëheqëse në prapaskenë e këtij grupimi politik.

Nuk ka asgjë te keqe, kur e pranon dhe vetë. Madje dhe kur e bën të sigurtë ambicien e saj për të kapur drejtimin e Rithemelimit, pasi ka qënë dhe është pronë e Berishajve që në krye të herës, sepse si të tillë e ka trajtuar përmbi 30 e kusur vite në pushtet apo në opozitë.

E themi këtë dhe për faktin se për Berishën do dhe pak ditë që të skadojë afati 6 mujor ku ai do të humbasë mandatin e deputetit. Pasi s’ka asnjë gjasë të dalë dhe për shumë kohë nga arresti shtëpiak. Ndonëse nuk mungojnë zërat nga korridoret e Rithemelimit, ndoshta të hedhura dhe për konsum politik, që në ‘finishin’ e skadimit të afatit për djegien e mandatit të deputetit, Berisha do të bëjë një ‘kolpo’ politike të ngjashme me atë të 8 janarit kur sulmoi selinë e PD buzë Lanës, dhe do të kërkojë të jetë prezent me forcë në një seancë parlamentare. Megjithëse do të duhet të llogaritet si prezencë, dhe kjo bëhet nga administrata e Kuvendit. Por kjo do të kishte një kosto të lartë politike, dhe ata që e udhëzojnë mund ta groposin për të dytën herë, tashmë tamam, pasi mund t’i rezervojë arrestin me burg në qeli kësaj radhe, për shkelje të vendimit të Gjykatës dhe dhunë.

Por Berisha nuk ka asnjë shans që të jetë deputet në legjislaturën e re, të dalë pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Pasi duke qënë ose nën arrest shtëpiak, ose në qeli, pengesat mund të fillojnë që në KQZ dhe përfundojnë në Komisionin e Rregullores e Mandateve, që mund të sjellin bllokimin e dhënies së mandatit të ri të deputetit. Në mos dekriminalizimi gjendja e arrestit do të jetë penguese që Berisha të mos hyjë në Parlament si deputet.

Rithemelimi me kryetarin nën arrest shtëpiak, pa mandat deputeti dhe të ‘prekshëm’ nga drejtësia tashmë pasi është pa imunitet, do të jetë si një qenie pa kokë që lëviz në kaos dhe pa orientim.

As ngjitja e Argitës në krye të Rithemelimit nuk zgjidh punë. Përkundrazi e zhyt më tepër këtë grupim politik në greminë. Kjo ndodh për shkak se Argita si tërë familja e saj është shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Ka dhe bashkëshortin Jamarbër Malltezi në arrest shtëpiak për pastrim parash dhe përfitime nga vjehrri ish kryeministër Sali Berisha, me ngritjen e kullave shumëkatëshe dhe me vlera të forta monetare prej 5.4 milionë euro. Të pajustifikuara këto sipas drejtësisë.

Nëse Berisha, për shkak dhe të moshës biologjike pasi është 80 vjeçar, mund të jepte shpresa për Rithemelimin se do çlirohej një ditë nga lideri ‘non grata’ dhe nën arrest për korrupsion, marrja e drejtimit nga Argita vajza e tij, i humbet të gjitha këto shpresa për 20 vitet e ardhshme sëpaku, pasi mosha e saj është e re dhe ambicia e saj është e madhe për të mos e dorëzuar vetë lidershipin e Rithemelimit. Ia ka shuar shpresat dhe Gaz Bardhit e grupit të tij, pasi pikërisht për të trashëguar Rithemelimin nga Berisha në largim ka bërë tërë ato ‘pirueta’ duke ikur nga PD e Bashës dhe duke u rikthyer tek ‘armiku’ Berisha.

Por dhe tek aleati më i mundshëm, Ilir Meta kryetar i Partisë së Lirisë, situata nuk është aspak e qetë. Kjo duket hapur dhe nga luhatjet e humorit të Metës, i cili po përpiqet me të gjitha mënyrat që të jetë ‘mbret’ i rrjeteve sociale, me deklaratat që bën, mënyrën se si i qaset publikut, herë duke udhëtuar nëpër male, herë duke u kacavjerrur nëpër platforma metalike, herë në ambiente të mbyllura në palestra me veglat e forcës në dorë. Pa përjashtuar këtu qasjen sportive si tifoz i fortë i Celtic-ut, nën dëshirën e fortë për të imituar këmbënguljen proverbiale të malësorëve skocezë.

Dhe Meta ka dosje të hapura në SPAK, duke filluar nga verifikimi i pasurisë, lobimi në SHBA dhe ndërhyrjet estetike të tij dhe bashkësortes Monika Kryemadhi, por dhe për aferën CEZ-DIA e akuza të tjera të forta, të cilat do të duhet t’i vertetojë. Sepse nuk mund t’ia lërë të gjitha në kurriz bashkëshortes Monika, dhe për çështje burrërie sëpaku. Këtyre akuzave u qëndron afër dhe ajo që është bërë nga ana e Filip Talos si spiun i Sgurimit të Shtetit, e ku Autoriteti i Dosjeve e ka dhënë verdiktin e vet: Ilir Metaj ka spiunuar tek Sigurimi i Shtetit kur ka qënë student.

Meta ka hapur gjyq dhe kërkon të vërtetojë se është një adash i tij ai që i bëri gjëmën Talos. Hetimi ka nisur, Prokuroria e Tiranës thirri Talon, i cili u qëndron deklaratave që ka thënë në Autoritetin e Dosjeve dhe në ambasadë. Nuk dimë cilën deklaratë të marrim për bazë, atë që ka bërë në fillim apo atë që e bëri në atë version, por të ndryshuar. Koha do ta vertetojë. Në fund të herës ajo që dimë është se dhe PL rrezikon të jetë në Parlament, pa Metën në radhët e veta si deputet, pasi kreu i kësaj partie, në mos nga njëra akuza në tjetrën do ngecë e nuk e shkel derën e Parlamentit si deputet me mandat të certifikuar.

Ky është problemi për opozitën kryesore në vend, pasi dy grupimet më të mëdha politike, mund të prezantohen pas vitit 2025 me kryetarë ‘non grata’ në Parlament, pa asnjë mundësi që të shkelin në derën e Kuvendit. Dhe kjo ndikon fort tek mbështetësit e tyre.

Dhe një shpresë sado të vagët që ka Rithemelimi tek vendimi i Apelit më 11 qershor për çështjen e vulës dhe logos së PD, shanset më të mëdha janë që kjo mundësi t’i jepet Lulzim Bashës dhe PD zyrtare. Për të qënë ata posedues të vulës dhe logos së PD e për ta lënë sërish Rithemelimin në të ‘zezë’. Pra jashtë listës së partive politike të regjistruar ligjërisht.

Pasi pikërisht në ‘metrat’ e fundit të rrugës drejt zgjidhjes së çështjes së kujt i takon vula e logo e PD, Berishës apo Bashës, vjen dhe një mesazh, le ta quajmë i ‘koduar’, i të dërguarit special të SHBA për Ballkanin Escobar të hënën, i cili foli posaçërisht për PD, jo për Rithemilimin. Dhe për PD me vulë dhe logo të saj, pra kush do të quhet PD pas 11 qershorit, me sa duket ishte fjala, dhe se rreth kujt duhet të bashkohen të demokratët, ku dukshëm kiy emër nuk është Berisha.

Escobar, mes të tjerave tha se ‘…më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”. Vetëm emrin nuk i ka vënë Berishës, me sa duket është një zgjedhje e zyrtarëve amerikanë për të mos i përmendur as emrin njeriut që e kanë shpallur ‘non grata’ për korrupsion madhor, minim të demokracisë si dhe shantazhim të drejtësisë, Sali Berisha.

Mesazhi amerikan me sa duket është i qartë, PD duhet të jetë një forcë politike që të mos ketë në përbërje të saj njerëz që na kujtojnë kohët e këqija të viteve ’90, pra pa emrin Berisha në krye të saj. Njëherësh ky mesazh shkon indirekt dhe në drejtim të zgjidhjes së çështjes së vulës, e cila duhet të zgjidhet me drejtësi dhe të mos merret shembulli i gjyqtarit Zhukri. Tashmë Zhukri është jashtë sistemit të drejtësisë për të gjitha shkeljet e veta që ia konstatoi Vettingu.

Ndërkohë që vula me shumë gjasa mund të qëndrojë në duart e PD zyrtare, drejtimi i të cilës nuk ka shanse që të jetë në dorë të atyre që na ‘kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90”. Çka e bën akoma më të komplikuar situatën në grupimin më të madh opozitar Rithemelimi, që duhet të mendojnë një zgjedhje pa Berishën. I cili përpos mesazhit të zyrtarit të lartë amerikan, ka marrë dhe një mesazh të nxehtë nga Londra, për atë që quhet “dosja Britanike” dhe që ka të bëjë me shpalljen ‘non grata’ të Berishës atje. Të gjitha këto situata mund t’i çorientojnë akoma më shumë demokratët dhe tërë spektrin opozitar, teksa zgjedhjet parlamentare të 2025-ës janë në prag.

Që humbja e opozitës në këto zgjedhje është e sigurtë, këtë nuk e ka vënë askush në dyshim deri më tani. Misteri qëndron në faktin se sa e thellë do jetë kjo humbje, që ‘përkthehet’ automatikisht  në pyetjen se sa e thellë do të jetë fitorja e PS për të qeverisur në një mandat të katërt. Pasi sondazhet serioze deri më tani japin një fitore me mbi 84 mandate deputeti në këto zgjedhje për PS. Të presim, zgjedhjet nuk janë larg.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING