Connect with us

Kosova

‘Besa, besë’, Kosova thirrje për të bojkotuar produktet serbe

“Mos bli produkte serbe – Besa, besë”, me këtë thirrje po synohet që Kosova të bojkotojë produktet serbe. Fushata, e cila ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve që të mos blejnë produkte të importuara nga fqinji verior, ka filluar të japë rezultate konkrete. Megjithatë, importi nga Serbia ka qenë i lartë edhe vitin e kaluar, duke arritur në mbi 371 milionë euro

Në Kosovë vazhdon të ketë shumë produkte serbe. Blerja e këtyre produkteve nga qytetarët e Kosovës është rritur edhe në vitin 2022. Importet nga Serbia në vitin që lamë pas janë rritur rreth 21.7%, apo mbi 66 milionë euro.

Në vitin 2022, Kosova ka importuar mallra në vlerë 371.6 milionë euro nga Serbia, e cila, sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës llogaritet të jetë partneri i katërt tregtar i vendit në këtë aspekt.

Për t’i ulur këto shifra dhe për të ndalur blerjen e produkteve serbe, në Kosovë ka nisur një fushatë ndërgjegjësuese me moton “Mos bli produkte serbe – Besa, besë”.

Nismëtari i fushatës për bojkotimin e produkteve serbe, Burim Piraj, bën thirrje që të mos konsumohen prodhimet e Serbisë. Ai ka thënë se qëllimi i fushatës është që qytetarët e Kosovës të vetëdijesohen, që të mos blejnë produkte të cilat importohen nga fqinji verior.

Sipas tij, nisma për bojkotim ka filluar prej 15 muajsh dhe po vërehet dukshëm efekti i kësaj fushate.

“Më 24 shtator 2021 kam krijuar një grup, në mënyrë që të vetëdijesohen popullata që të mos blejnë prodhime serbe. Grupit ia kam vënë emrin ‘Mos blini prodhime serbe’.

Në 15 muaj, nuk ka pasur një ditë të vetme që nuk jam marrë me atë grup. Ka pasur njerëz në atë grup që më kanë mbështetur dhe më kanë thënë se ‘do të kishte sukses’. Sot grupi ka një këshill prej 15 anëtarësh ku bëjmë politikat dhe strategjinë e grupit”.

Por hovin e fushatës, sipas Pirajt, e ka dhënë situata në Veri të vendit.

“Ideja ka qenë e kahershme. Që nga paslufta, nuk kam konsumuar produkte serbe dhe e kam menduar se do të bëhen gjëra të tilla që njerëzit nuk do të blejnë produkte serbe.

Dhe nuk do të ketë nevojë që të bëhet fushatë, sepse kanë kaluar dy dekada, kur erdhi situata e aplikimit të reciprocitetit për dokumentet e udhëtimit dhe targat e automjeteve, kur ne na kërcënonte Serbia me tanke, e rreshtonte ushtrinë në kufi. Për mua ka qenë shumë e sikletshme të shoh njerëzit se s’po i blejnë nëpër markete produktet serbe, sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Atëherë kam menduar që do të duhet të bëhet një nismë dhe të ndërmerret diçka që kjo situatë të ndryshojë. Të ndërmerret diçka që njerëzit të vetëdijesohen për atë se çfarë po blejnë. Fushata jonë ka arritur të ketë jehonë të kënaqshme, sidomos pas barrikadave në Veri.

Por edhe para se të ishin barrikadat ka pasur rritje të interesimit të qytetarëve për moskonsum. Ne kemi vërejtur që qytetarët jo me vullnet blejnë prodhime serbe”.

Piraj thotë se shteti serb ka investuar shumë në marketimin e prodhimeve të tyre, saqë, sipas tij, me anë të ekonomisë të mundohet ta pushtojë Kosovën.

“Serbia ka subvencionuar në të gjitha format që ta ketë tregun e Kosovës. Ka subvencionuar aq shumë, si në materiale ndërtimore, materiale elektrike, ushqimet dhe krejt gjërat i ka subvencionuar që ta ketë tregun e Kosovës.

Sa më shumë shitet në Kosovë, aq më shumë ka mundësi punësimi në Serbi. Sa më shumë shitet në Kosovë, aq më shumë rritet buxheti i Serbisë.

Sa më shumë shitet në Kosovë, aq më shumë ka mundësi të blihet armatim nga buxheti që krijohet nga paraja, e cila vjen nga Kosova. Dhe kjo ka sjellë që nëpër markete të ketë sa më shumë ekspozim të prodhimeve serbe dhe të ketë marketing”.

Nga viti 2006, asnjë produkt i Serbisë në market

 “Market Plus”, në Ferizaj, është një nga marketet në Kosovë, i cili që nga viti 2006 ka bojkotuar të gjitha prodhimet serbe.

Madje në hyrje të marketit dhe në çdo pjesë tjetër, shkruan “Made in Kosova”.

Remzi Bytyqi, menaxher i këtij marketi, ka thënë se brenda një afati shumë të shkurtër i kanë bojkotuar produktet, siç thotë ai të “armikut”.

“Në vitin 2006 u kemi thënë stop të gjitha produkteve të Serbisë, ku me nismën e pronarit kemi pasur afat 15 ditë për ta asgjësuar atë produkt të armikut dhe që nga viti 2006 nuk posedojmë asnjë produkt të armikut”.

Bytyqi ndihet i lumtur që në hapësirat e tyre u kanë dhënë mundësi prodhuesve vendas që të prezantojnë prodhimet e tyre.

“Në kuptimin e plotë të fjalës kemi pasur vetëm lehtësi, sepse u kemi dhënë mundësi të gjithë prodhuesve vendorë t’u jepet hapësira për ekspozimin më të mirë për shitje. Prodhuesit vendorë janë të kënaqur, edhe klientët janë të kënaqur me ekspozimin e produkteve vendore, por edhe me çmimin e këtyre produkteve në krahasim me produktet e importit”.

Përveç prodhimeve vendore, ai thotë se nga cilat shtete importojnë më së shumti.

“Produktet vendore janë numër një, pastaj fillon Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, e shtetet e Bashkimit Europian të gjitha, me përjashtim të Serbisë që nuk diskutohet asnjë produkt të ekzistojë te ‘Plus Marketi’”.

Bytyqi thotë se edhe marketet e tjera vendore kanë kërkuar bashkëpunim për t’u furnizuar me prodhime vendore, në mënyrë që ta kenë më të lehtë bojkotimin.

Opozita e akuzon pushtetin për importin nga Serbia

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se në vitin 2022, Serbia ka rritur importet në 70 milionë euro.

Në një postim të partisë së Lumir Abdixhikut, thuhet se politikat e gabuara të qeverisë Kurti, vazhdojnë të favorizojnë praninë ekonomike të Serbisë në Kosovë.

“Në vitin 2022, Serbia ka rritur importet për plot 70 milionë euro. Me 370 milionë euro import në vit, Serbia në mandatin e kësaj qeverie, ka arritur rekord të ri. Politikat e gabuara të Qeverisë Kurti vazhdojnë të favorizojnë praninë ekonomike të Serbisë në Kosovë.

Ankesat për të kaluarën nuk e përmirësojnë ekonominë dhe nuk i zgjidhin problemet e së ardhmes. Kemi nevojë për veprime konkrete dhe jo premtime e fjalë boshe!”.

Kurse deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka publikuar disa të dhëna që, sipas tij, tregojnë rritjet e importeve të Kosovës me shtetin serb.

Shala ka publikuar disa grafika, duke shtuar se importet nga Serbia në periudhën janar – nëntor të vitit 2022, përbëjnë vlerën më të lartë që nga viti 2019.

“Importet nga Serbia në Kosovë në periudhën janar – nëntor të vitit 2022 janë 341.7 milionë euro dhe përbëjnë vlerën më të lartë të importeve që nga viti 2019.

Trendi i rritjes së importeve nga Serbia nën Qeverisjen Kurti është në përmasa të jashtëzakonshme dhe rritja nga viti 2019 në vitin 2020, kur fillon kjo qeverisje, është +25.47%.

Rritja e importeve serbe nga viti 2020 në vitin 2021 është 82.30% apo +124.2 milionë euro, ndërsa nga viti 2021 në vitin 2022 është 24.20%, apo +66.6 milionë euro.

Në total, rritja e importeve serbe nën këtë qeverisje është 126.4%, apo +190.8 milionë euro, nëse krahasohet viti 2022 me vitin 2020, kur në pushtet erdhi Kryeministri aktual”, ka thënë ai.

Mbi 767 milionë nga Serbia, 642 milionë nga Shqipëria  

Raportet tregtare mes Kosovës e Shqipërisë janë kritikuar çdo herë. Edhe shifrat tregojnë se këto raporte nuk janë aq të mira.

Nga Shqipëria, Kosova ka importuar mallra në vlerë 642.6 milionë euro, brenda viteve 2020-2022, ndërsa ka importuar nga Serbia në Kosovë për të njëjtën periudhë, mallra në vlerë 767.7 milionë euro.

Nga shteti serb janë importuar 125.1 milionë euro më shumë mallra për këtë periudhë, sesa nga shteti amë, Shqipëria.

Importet nga Serbia në vitin që lamë pas janë rritur rreth 21.7% apo mbi 66 milionë euro.

Gjatë vitit 2022, Kosova ka importuar mallra në vlerë 371.6 milionë euro nga Serbia. Në vitin 2021, Kosova kishte importuar nga Serbia mallra në vlerë 305.4 milionë euro.

Në vitin para pandemisë (2018) Kosova kishte importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 386.4 milionë eurosh.

Gjatë viteve të pandemisë dhe Taksës 100% (2019 dhe 2020) Kosova kishte nivelet më të ulëta historike të importeve nga Serbia.

Një vit më pas, importet shkuan në 173.4 milionë euro, kurse në vitin 2021, Kosova importoi nga Serbia mallra në vlerë 305.4 milionë euro.

Marrë nga Monitor.al

Kosova

Gabriel Escobar flet për Asociacionin, thotë janë të lidhura me Këshillin e Evropës

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, para largimit nga detyra, ka folur në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe kontestin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Escobar para gazetarëve ka sqaruar qartë pritshmëritë e SHBA-ve nga të dyja palët: Zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Ohër.
“U ra dakord që të gjitha elementet e asaj marrëveshjeje të zbatoheshin menjëherë, duke kërkuar nga Kosova të formojë Asociacionin, dhe nga Serbia që të mos i bllokojë rrugën Kosovës në organizatat euroatlantike dhe ndërkombëtare,” theksoi Escobar.

Ai shprehu zhgënjimin e tij që të dyja palët kanë dështuar në respektimin e këtij angazhimi, por mbetet optimist se rikthimi i marrëveshjes në rrugën e duhur do të kontribuojë në pajtimin dhe marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy shteteve.

Në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe shqetësimet e ngritura rreth Asociacionit, Escobar u shpreh se SHBA-ja nuk ka të drejtë vote, por di se ka anëtarë të shqetësuar se disa prej kërkesave nuk janë përmbushur nga Kosova.

 

 

Ai përsëriti qëndrimin amerikan se Kosova duhet të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e Kombeve të Bashkuara, dhe nënkuptoi rëndësinë e dëgjimit të partnerëve evropianë nga ana e Kosovës në këtë rrugëtim.

“Tani, është qëndrimi amerikan që Kosova duhet të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e Kombeve të Bashkuara. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Por ndërkohë, në rrugën evropiane, mendoj se është e rëndësishme që Kosova të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me partnerët e tyre evropianë, ndërsa ne forcojmë kandidaturën e Kosovës për të gjitha strukturat euroatlantike”, pohoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë në qendër të pyetjeve gjithashtu në lidhje me Asociacionin dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, duke e përjashtuar të parin si pjesë të rrugës së Kosovës për në këtë institucion.

Escobar theksoi se këto janë shumë të lidhura, duke iu referuar zotimeve të qarta të Kosovës për trajtimin e minoriteteve dhe përfshirjen e Asociacionit.

“Epo, shiko, mendoj se janë shumë të lidhur. Dua të them, njëra është se Këshilli i Evropës ka të bëjë me trajtimin e minoriteteve, dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e minoriteteve, dhe kjo përfshin asociacionin. Tani, ky është një angazhim i kahershëm dhe është i shkruar në Planin e Ahtisaarit; është shkruar në Marrëveshjen e Brukselit; dhe Ohrit. Dhe kështu jemi – luftojmë të kuptojmë pse Kosova nuk e përmbush detyrimin e saj ligjor, dhe nuk e ka bërë dhe nuk ka sinjalizuar në shumë mënyra se është e përkushtuar ta bëjë këtë. Dhe shqetësimi është se pas anëtarësimit do të sjellë vetëm vonesa më të mëdha, dhe kjo është – ky është besimi i disave”, shtoi Escobar.

Ai shtoi se diplomatët perëndimorë që kanë qenë në kontakt me Prishtinën përfaqësojnë plotësisht politikën e qeverisë kombëtare dhe se Kosova duhet të punojë ngushtë me partnerët evropianë dhe amerikanë për të përmbushur detyrimet ligjore ekzistuese.

“Tani, sa i përket mosmarrëveshjes me disa diplomatë perëndimorë, të gjithë diplomatët me të cilët është takuar përfaqësojnë plotësisht politikën e qeverisë kombëtare. Pra, Kurti do të dëgjojë të njëjtin mesazh nga të gjitha nivelet e qeverisë amerikane, italiane, franceze, gjermane. Pra, nuk është në të vërtetë – ne jemi vetëm lajmëtarët e një politike kombëtare. Kështu që unë do ta inkurajoja Kosovën që të punojë ngushtë me partnerët e saj evropianë dhe amerikanë për të gjetur një mënyrë për të ecur përpara në një detyrim ligjor ekzistues që do të duhet të bëhet gjithsesi. Pra, sa më shpejt ta bëjmë atë së bashku, aq më efektivë mund të jemi në ngritjen e një rasti për integrimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe njohjet shtesë për Kosovën”, shprehet zyrtari amerikan.

Përfundimisht, Escobar e inkurajoi Kosovën të vepronte në mënyrë proaktive për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian dhe për të shtuar njohjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Continue Reading

Kosova

“Një rajon, vizion i përbashkët”/ Kurti reagon pas takimit të liderëve në Samitin në Mal të Zi

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

Qyteti i vjetër e bregdetar i Kotorrit ishte pritës i takimit të radhës të liderëve të rajonit për të diskutuar mbi Planin e Rritjes, me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga BE-ja dhe ShBA-ja. Këtë herë, nën sloganin: “Një rajon, vizion i përbashkët”.
Ky organizim ishte një mundësi e mirë për të nënvizuar rëndësinë që Plani i Rritjes së BE-së ka për rajonin dhe progresin që Kosova ka bërë drejt finalizimit të Agjendës së Reformave e cila përmban pesë fusha të politikave, me 32 reforma në 17 sektorë, por edhe platforma për të përçuar mesazhin e nevojës për fqinjësi të mirë dhe njohje de-jure e de-facto, si bazë për paqe, siguri dhe integrimin e rajonit.
Për të luftuar krimin financiar dhe parandaluar pastrimin e parave, theksova që rajoni duhet të bëhet pjesë e institucionit të ri të BE-së, “Anti-Money Laundering Authority” (AMLA), kërkesë kjo që u bë pjesë dhe e Deklaratës së Përbashkët të këtij takimi.
Sot u zotuam dhe për aprovimin e Planit të ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal në samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Teksa ky proces shënon 10-vjetorin e themelimit, zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura është i domosdoshëm, përfshirë ajo për lëvizjen e lirë me letërnjoftim mes Kosovës dhe Bosnjës.
Falënderoj kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, për mikpritjen në këtë ngjarje si dhe për takimin tonë të parë bilateral. Forcimi i urave të bashkëpunimit me Malin e Zi është përkushtim i ndërsjellë, edhe si shtete partnere në rrugëtimin e përbashkët drejt integrimit evropian.
Deklarata e Përbashkët e liderëve të BP6:
Continue Reading

Kosova

‘Propozimi juaj s’mjafton’/ Berlini, Parisi e Roma i kthejnë përgjigje Kurtit, ja kë draft përkrahin

Pas letrës së dërguar nga Qeveria drejtuar Këshillit të Evropës, për t’i hapur rrugë anëtarësimit në KiE, Kosovës i është kthyer përgjigje.

Në letër theksohet se “ekziston rrezik real që pa progres vendimtar të Asociacionit, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.

“Fatkeqësisht, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të Asociacionit dhe rrezikojnë të minojnë më tej Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Së pari, projekt-statuti i paraqitur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht ‘propozim zotërinjsh’. Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Si e tillë, gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se nuk duam një Kosovë jofunksionale”, thuhet mes të tjerash.

“Fatkeqësisht, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të A/CSMM-së dhe rrezikojnë të minojnë më tej Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Së pari, projekt-statuti i paraqitur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një “propozim zotërinjsh”.

 

 

Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Si e tillë, ajo gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale”, thuhet mes të tjerash.

A/CSMM nuk është në asnjë mënyrë e krahasueshme me Republikën Srpska. Së dyti, dorëzimi i këtij drafti tek ekspertët e Këshillit të Evropës nuk do të përbënte një hap të domosdoshëm vendimtar pasi opinioni i tyre nuk do të jetë ligjërisht i detyrueshëm. Kjo mund të arrihet vetëm duke e dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në mënyrë që të jetë e pranueshme për Gjykatën. Siç u sqarua me Brukselin, nuk ka pengesa ligjore në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për marrjen e këtij hapi.

Së treti, propozimi juaj për përgatitjen e një drafti të ri në konsultim me kryetarët apo zëvendësit aktualë të komunave nuk është as i përshtatshëm dhe as i zbatueshëm për shkak të rrethanave aktuale në këto komuna.

Z. Kryeministër, le të jemi të qartë: Ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në A/CSMM, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare. Përparimi tani përgjatë linjave të sugjeruara nga Kuinti do të demonstronte përkushtimin tuaj ndaj të drejtave të pakicave, duke forcuar kështu pozitën e Kosovës dhe duke ri-energizuar Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Kjo është mënyra e vetme për të siguruar suksesin e aplikimit tuaj. Veprimet dhe vendimet tuaja në këtë moment kritik do të jenë vendimtare për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Topi është në fushën tuaj. Ne besojmë sinqerisht në udhëheqjen tuaj”, thuhet në këtë përgjigje.

Continue Reading

Kosova

Amerika “ultimatum” Vuçiçit/ Zyrtarja e lartë: Kujdes me Kosovën

Kosova ishte një nga temat qendrore të takimit mes zëvendesekretares amerikane të Shtetit për Çështje dhe Diplomaci Publike, Liz Allen në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic.

Në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit u tha se ata biseduan për “çështjet globale” dhe për përparimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkim Evropian, përfshirë përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Allen nënvizoi rëndësinë e përparimit të vazhdueshëm drejt normalizimit të marrëveshjeve me Kosovën përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, nënvizohet në njoftim.

Perënduimi vazhdon t`i kthehet thirrjeve për implementimin e marrëveshjes bazë të normnalizimit të marrëdhënieve dypalëshe, të arritur në 27 shkurt 2023 dhe Aneksit të zbatimit të saj, të vulosur 18 marsin e vitit të kaluar në Ohër. Edhe pse të pafirmosura, BE-ja i konsideron ujditë ligjërisht të detyrueshme, por palët nuk janë duke i zbatuar ato.

Në lidhje me planin 6 miliardë eurosh që iu referua Allen, BE-ja e ka bërë të qartë se për Kosovën dhe Serbinë, kushti për të përfituar nga kjo paketë është angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore. Vucic nga ana e tij, i kërkoi Allenit që SHBA-ja ta rrisë angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ta përdorë, sic tha ai, ndikimin e saj për të ruajtur stabilitetin e rajonit dhe për të krijuar mundësitë e një bashkëpunimi të sinqertë dhe përparim konkret.

Continue Reading

Kosova

Scholz i tregon derën Vuçeviç-it dhe vendos kushte për Serbinë

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se shteti që ai udhëheqë është i gatshëm që ta mbështesë Serbinë, derisa kjo e fundit vazhdon rrugëtimin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Këto komente, Scholz i ka bërë përmes një letre që ia ka dërguar kryeministrit të ri serb, Millosh Vuçeviç, i cili mori këtë pozitë vetëm para disa ditëve.

Në këtë letër, kancelari gjerman, Vuçeviç-it i ka uruar “suksese në dhe fat të mirë për sfidat që kemi përpara”.

“Gjermania është e gatshme t’ju mbështesë në të ardhmen ndërsa vazhdoni rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar Scholz.

Përveç këtyre, ai ka potencuar se Serbia e ka mundësinë që të bëjë progres të mëtejmë në rrugën e reformave, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit.

Ndryshe, Millosh Vuçeviç është zgjedhur së fundmi Kryeministër i Serbisë. Ai, po ashtu, është edhe kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS) – partia e Aleksandër Vuçiç-it.

Në pozitën e kreut të ekzekutivit serb, Vuçeviç ka ardhur pas fitores së SNS-së në zgjedhjet e kontestuara të 17 dhjetorit.

Politika e tij – posaçërisht me Kosovën – është e ngjashme me atë të paraardhësve të tij: mosnjohje e realitetit. Ai konsiderohet si njëri tejet i besuar i Vuçiç-it, andaj edhe përzgjedhja e tij si kryeministër nuk është e rastësishme.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING