Politike
Braçe shuan zërat: Kandidimin tim nuk e kam diskutuar me Ramën
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar në lidhje me ambicien për kandidimin e tij të mundshëm për Bashkinë e Tiranë.
Ai thekson se nuk ka pasur asnjë bisedë me Kryeministrin Edi Rama lidhur me këtë çështje dhe se kandidimi i tij nuk është nxitur nga kreu i qeverisë.
“Nuk kam folur me Edi Ramën për kandidimin tim dhe nuk më ka nxjerrë Edi Rama t kandidoj”, shprehet ai, duke shtuar se qëndrimi i tij bazohet në parime dhe në nevojën për një proces demokratik brenda partisë.
Braçe thekson po ashtu se ideja për të kandiduar është artikuluar më herët në strukturat e Partisë Socialiste dhe vjen si përgjigje ndaj kërkesave të qytetarëve dhe socialistëve të Tiranës.
Gjithashtu ai mohon që kjo lëvizje të jetë një sulm ndaj Ramës apo ndaj figurave të tjera politike, duke theksuar se fokusi i tij mbetet tek çështjet dhe problematikat e qytetit.
“Nuk merrem me njerëzit, por me parimet dhe çështjet që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, shprehet Braçe, duke shtuar se shqetësimi i tij kryesor është gjendja aktuale e Tiranës.
Sipas tij, qyteti ndodhet në një situatë problematike, me mungesë qeverisjeje dhe rënie në shërbime dhe zbatim të ligjit.
“Kush më njeh e di fare mirë që nëse do të ishin këto arsyet, unë i pari do të refuzoja, siç e kam bërë shpesh në kohë të ndryshme. Dua tu kujtoj se mendimin për të kandiduar e kam shprehur qartë në mbledhjen e Asamblesë së PS-së të njësisë 5; pra në strukturat e PS-së jo jashtë saj, ka qenë një mendim i pjekur dhe një përgjigje për mijëra njerëz të këtij qyteti që kam takuar në lagjet e rrugët e tij, përgjigje edhe ndaj mijëra socialistëve të këtij qyteti me të cilët e kam diskutuar këtë”.
Po ashtu thekson se synimi i tij është përmirësimi i shërbimeve dhe rikthimi i funksionimit normal të institucioneve vendore.
Braçe deklaron se objektivi i tij është t’i shërbejë qytetit dhe qytetarëve, duke u fokusuar te puna dhe jo te përplasjet politike.
“Dua ta them, i jam përgjigjur nevojave të këtij qyteti prej një viti, në mënyrë sporadike edhe më herët. Tani është më rëndë: ky qytet as po vetëqeveriset dhe as po qeveriset prej një viti. Është në rënie të lirë në çdo aspekt, veçanërisht ligji e rregulli. Ky është shqetësimi im, atë dua të përball; reformimi i plotë i proceseve dhe rikthimi i një shërbimi më të mirë për ta bërë qytet të të gjithëve, jo thjesht të atyre që vetëm përfitojnë”, shton ai.