Aktualitet
HAPEN DYERT PER 20 MIJE PUNETORE TE HUAJ
Shqipëria synon të hapë rreth 20 mijë vende pune për punëtorë të huaj në sektorët e turizmit, hotelerisë dhe shërbimeve, sipas një njoftimi të bërë publik nga Departamenti i Punëtorëve Migrantë të Filipineve.
Lajmi u bë i ditur pas një takimi të zhvilluar mes ambasadorit jorezident të Shqipërisë në Filipine, Ermal Muça, dhe zyrtarëve të lartë të institucionit filipinas.
Sipas deklaratës, gjatë takimit palët ranë dakord të forcojnë më tej marrëveshjet për lëvizjen e fuqisë punëtore dhe të përmirësojnë mekanizmat që mbështesin punësimin e sigurt dhe të rregullt të punëtorëve jashtë vendit.
Ambasadori Muça theksoi se marrëdhëniet në rritje mes dy vendeve në fushën e punësimit sinjalizojnë zgjerim të mundësive për punësim ndërkombëtar, të mbështetur nga procese më të qarta, kushte të drejta pune dhe garanci më të forta kundër rekrutimit të paligjshëm.
Autoritetet filipinase e cilësuan zhvillimin si një mundësi të re për qytetarët e tyre që kërkojnë punësim të sigurt dhe etik jashtë vendit, duke nënvizuar se bashkëpunimi me Shqipërinë mund të krijojë mundësi të reja jetese për shumë familje filipinase.