Aktualitet
Hetime për helmimin e 52 studentëve/ Drejtori i AKU-së thirret në prokurori
Drejtori i AKU-së Tiranë, Ersid Hasanllari, është thirrur në Prokurorinë e Tiranës në kuadër të hetimeve për helmimin e 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë.
Prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, pritet të marrë sqarime lidhur me procedurat e ndjekura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe vonesën në dorëzimin e rezultateve të analizave pranë organit të akuzës, ndonëse AKU i bëri publike ato një ditë më parë.
Sipas rezultateve të publikuara nga AKU, nga nëntë mostrat e marra në kompaninë e kateringut “SORI-AL”, tetë kanë rezultuar brenda standardeve, ndërsa një kampion me makarona të gatshme, i marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë në Sauk, ka rezultuar i kontaminuar me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.