Aktualitet
I ‘larë’ në gjak/ Kush është Sino Llanaj, biznesmeni i njohur që u arrrestua sot, konfliktet e hershme
Biznesmeni Sino Llanaj është arrestuar sot nga policia pasi mësohet se ka ndërtuar pallat në pronë publike. IKMT ka bllokuar 4 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi pa leje, ndërsa ka nisur procedura për shembjen e objektit.
Por biznesmeni Sino Llanaj është një emër i njohur në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, por edhe në kronikat e ngjarjeve problematike që kanë përfshirë këtë sektor vitet e fundit. Ai është administrator dhe bashkëpronar në disa kompani ndërtimi, ndër to “Star Construksion”, me veprimtari në Tiranë dhe Vlorë.
Llanaj ka ndërtuar kryesisht në zonat periferike të Tiranës dhe në qytetin bregdetar të Vlorës, por aktiviteti i tij është shoqëruar me konflikte ligjore, probleme me lejet e ndërtimit dhe hetime penale. Në publik, ai njihet si një figurë e kontestuar në botën e ndërtimit, për shkak të përplasjeve të shpeshta me ortakë, autoritetet ligjore dhe banorët.
Ngjarjet që e kanë vënë në qendër të vëmendjes
Në vitin 2024, Sino Llanaj u ndalua nga policia në autostradën Fier–Vlorë, gjatë kontrolleve për zbardhjen e vrasjes së Gëzim Sinomatit. Gjatë kontrollit në automjetin e tij, policia gjeti një armë zjarri pa leje, të fshehur në kroskot me qese plastike.
Një tjetër ngjarje e bujshme daton më 13 janar 2021, kur Llanaj u plagos me armë zjarri në zonën e Ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, pas një konflikti me ortakun e tij në kompaninë “Star Construksion”, Albert Allmuça. Përplasja nisi për ndarjen e një pallati 11-katësh në ndërtim dhe përfundoi me disa të plagosur, mes tyre edhe një kalimtar i rastit dhe roja e kantierit.
Konflikti midis ortakëve ndikoi edhe tek 120 familjet që prisnin prej më shumë se një dekade të hynin në banesat e tyre. Çështja u zgjidh përkohësisht pas ndërhyrjes së qeverisë, megjithëse proceset gjyqësore për hipotekat vijojnë ende.
Në vitin 2022, një tjetër incident u raportua kur automjeti i vëllait të tij, Dritan Llanaj, iu dogj qëllimisht në garazhin e një pallati të ndërtuar nga familja Llanaj në Tiranë. Zjarri përfshiu disa mjete të tjera në të njëjtin ambient.
Hetimet për mashtrime
Sino Llanaj është përfshirë edhe në hetime për mashtrime me shitjen e apartamenteve, në raste ku dyshohet se të njëjtat prona janë shitur më shumë se një herë ose janë transaksionuar në kundërshtim me lejet ligjore të ndërtimit.