Connect with us

Politike

Kathimerini: Pse Edi Rama po bën të fortin me Athinën

Kathimerini

Në Athinë ka nisur të shprehet ankthi se Fredi Beleri, i zgjedhuri (por i palejuar të bëjë betimin, pasi është në paraburgim që prej 13 majit) kryebashkiak i Himarës, mund të humbasë postin e tij, si pasojë e natyrshme e metodologjisë që po aplikon në tremujorin e fundit qeveria e Edi Ramës. Është karakteristike se në darkën informale me krerët e Ballkanit Perëndimor u ftua presidenti shqiptar Bajram Begaj dhe jo Rama, pasi çështja “Beleri” është e hapur. Begaj nuk e pranoi ftesën, një fakt që duket se do të përkeqësojë më tej klimën mes dy kryeqyteteve. Madje, Athina duket se ka dashur të tregojë me këtë iniciativë, në të cilën është parashikuar të marrë pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, se rruga e anëtarësimit në BE për fqinjët, kalon ende përmes Greqisë – një mesazh që për momentin i drejtohet kryesisht Tiranës.

Thuhet se Kryeministri i Shqipërisë i ofroi garanci palës greke në prapaskenë menjëherë pas zgjedhjeve të dyta greke se “çështja Beleri do të zgjidhej”. Sot kuptohet se ai thjesht mund të ketë bërë blof për të blerë kohë që të plotësohen 3 muaj paraburgim dhe të kalojë në fazën tjetër që është përjashtimi automatik i Belerit nga detyra. Sipas Kodit Zgjedhor shqiptar, kryetarit të bashkisë i kërkohet të ketë një adresë banimi brenda kufijve të bashkisë së tij. Fredi Beleri tashmë ka një adresë atë të burgut të Vlorës ku mbahet, pasi çdo i burgosur pasi ka kaluar 3 muaj merr adresën e qendrës së paraburgimit.

“Teknikisht”, sipas ligjit, 3-mujori përfundon të dielën e 20 gushtit. Për pasojë, Ministria e Brendshme e Shqipërisë nga e sot mund të pretendojë se Beleri nuk mund të betohet si kryetar bashkie pasi nuk jeton brenda kufijve të bashkisë së tij dhe të shkarkohet automatikisht nga detyra.

Protesta

Vendosmëria e qëndrimit të Athinës u manifestua javën e kaluar me një demonstratë në mbështetje të Belerit, në të cilën morën pjesë kryebashkiaku i Athinës Kostas Bakojanis dhe kryetari i Selanikut Konstantinos Zervas. Në konsultim me Pallatin Maximos dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme ata u përpoqën t’i transferonin Edi Ramës mesazhin se Greqia nuk do ta pranojë një metodë të tillë pa shtruar pyetjen për cilësinë e demokracisë në Shqipëri.

“Demokracia nuk është e burgosur”, – tha Kostas Bakojanis, duke lënë të kuptohet se Greqia do të denoncojë Shqipërinë në institucionet evropiane dhe do të ndikojë negativisht në raportin e ardhshëm për Ballkanin që do të mbahet në tetor. Komisioneri Margaritis Schinas, pjesëmarrës në demonstratë, deklaroi se “ky rast nuk duhet të bëhet pengesë për ambiciet europiane të Shqipërisë”.

“Mesazhi është dërguar” edhe në Tiranë, por nuk është e sigurt që Edi Rama do të ndryshojë qëndrim. Çfarë është ajo ku bazohet obsesioni i kryeministrit shqiptar? Në çfarë mbështetet ai për të rrezikuar marrëdhëniet e mira deri vonë greko-shqiptare?

Makis Voridis dhe Stavros Papastavrou e kanë studiuar çështjen me detaje. Veçanërisht Voridis që është futur në thellësi të historisë së konfliktit, pasi ka folur edhe me avokatët që mbrojnë Belerin. Kryebashkiaku i zgjedhur (dhe ish-presidenti i Omonias) po mbahet në bazë të një dosjeje në dukje të dobët dhe të rreme. Dyshohet se bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi, i cili po ashtu është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, ka tentuar para zgjedhjeve të blejë votat e 14 zgjedhësve për 50 euro secili. Nuk ka asnjë provë, vetëm pretendohet se transaksioni ka ndodhur në tualetin e vendtakimit.

“Para jush edhe Erdogani është kampion i demokracisë”, – ishte deklarata e fundit e Belerit nga burgu drejtuar Ramës. Athina e kupton që pavarësia e gjyqësorit shqiptar nuk duhet vënë në pikëpyetje, prandaj edhe retorika ka ndryshuar pak.

“Lëreni mënjanë lirimin me kusht, vetëm lëreni Belerin të bëjë betimin dhe kjo mund të bëhet edhe nga burgu”. Ky është mesazhi i fundit i qeverisë greke, burime pranë të cilës theksojnë se betimi nuk i “prish punë” krimit të pretenduar. Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis i ka kërkuar vazhdimisht homologes së tij shqiptare Olta Xhaçka që thjesht të lejojë Belerin të betohet. Por duket se nëse bëhet kjo, atëherë plani i Edi Ramës rrëzohet. Kryeministri shqiptar thuhet se i kishte dhënë garanci palës greke se çështja do të zgjidhej.

Pretendimet e minoritetit

Kryeministri shqiptar akuzohet se ka mbështetur (moralisht) biznesmenë të mëdhenj shqiptarë që duan të sekuestrojnë titujt e pronësisë së grekëve, të cilat nuk janë përcaktuar kurrë saktësisht pas rënies së regjimit komunist. Janë përcaktuar vetëm tituj në përdorim, të cilët blihen lehtësisht nga interesat e mëdha. Titujt mund të “konvertohen” në tituj pronësie me të drejta të rregullta shfrytëzimi në Rivierën e famshme të Himarës nëpërmjet vendimeve të bashkisë. Sipas këtij interpretimi, zgjedhja e Belerit kërcënon planet e establishmentit shqiptar. Beleri nuk admirohet nga shqiptarët. Ai mësohet se ka pasur të paktën kontakte si 20-vjeçar me organizatën MAVI – Fronti Çlirimtar i Vorio Epirit. Megjithatë, ajo që e bën atë të padëshiruar në Tiranë nuk është “e kaluara e tij superpatriotike”. Ka edhe diçka tjetër…

Beleri u zgjodh me mbështetjen e partisë së ish-kryeministrit Sali Berisha (duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të kahershme mes tyre). Edi Rama dhe Berisha janë armiq të betuar, duke bërë që Himara të behët një tjetër fushë e konfliktit të tyre – me viktimën Belerin. Ekspertët e Ballkanit thonë se Rama “pëlqen” të luajë një lojë kaq të ashpër me Athinën, sepse Berisha është një “person i padëshiruar” për Uashingtonin. Më 19 maj 2021, Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, deklaroi drejtpërdrejt se Berisha është i padëshirueshëm për SHBA-në sepse është i përfshirë në raste korrupsioni. Madje, sipas disa burimeve edhe Fredi Beleri nuk ka leje hyrjeje në SHBA.

Rama përmend faktin se është gjykata e pavarur që vendos për Belerin. Ajo u krijua në vitin 2019, pas presionit të SHBA për të reformuar drejtësinë shqiptare. Ky është i famshmi SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit) që përfshin tre organe, Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit, Zyrën e Hetimit Kombëtar dhe Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Më 2 gusht u njoftua se Beleri do të gjykohej për “korrupsion aktiv në zgjedhje” nga Gjykata Speciale e Shkallës së Parë.

Duhet shtuar se ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe në veçanti ambasadorja e gjithanshme Yuri Kim, e cila u largua vetëm më 10 korrik (dhe u gradua Ndihmëssekretare e Shtetit për Evropën dhe Azinë), luajti një rol të rëndësishëm në ndërtimin e SPAK, por dhe më gjerë në reformimin e drejtësisë shqiptare (dhe shpeshherë ishte cak i komenteve kritike nga anti-amerikanët shqiptarë…). Mjafton të themi se në faqen e ambasadës amerikane, aktualisht gjendet gjerësisht një shpallje për plotësimin e 6 vendeve vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorinë e Lartë të vendit.

Rrjedhimisht, Edi Rama po rrezikon sepse (ndoshta mendon se) po mbështetet te amerikanët që e kanë Berishën (dhe Belerin) “leckë të kuqe”. Një skenar më “i avancuar”, i cili përfshin shkarkimin e Belerit (me ose pa lirim me kusht) dhe më pas zëvendësimin e tij në krye të Himarës nga një minoritar “i moderuar” jashtë rrethit Berisha, është diskutuar në disa kryeqytete dhe mund të realizohet, por për momentin, Athina këmbëngul të mbështesë Belerin dhe nuk dëshiron ta miratojë atë në asnjë rrethanë.

Politike

A do të jetë Argita Malltezi pasardhësja e Berishës në politikë? Noka zbulon bisedën private

Që pas arrestimit të liderit të opozitës, Sali Berisha, vajza e tij, Argita Malltezi ka filluar të jetë më e pranishme në skenën politike. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur noka, ditën e sotme ka folur në lidhje  me mundësinë që Argita Mallezi të marrë rolin e të atit Sali Berishë në politikë. Noka tha në “News 24”, se ai ka qenë ndër politikanët në radhët e demokratëve që i ka kërkuar të bijës së ish-kryeministrit të angazhohet me kohë të plotë.

Megjithatë ai u shpreh se ajo e ka refuzuar këtë kërkesë.

Çfarë simbolizon pjesëmarrja e Argita Malltezit në protestat e opozitës?

Noka: Argita Berisha është një demokrate që ka mbështetur historiksht çdo kauzë të partisë së saj Nuk ka ose duket çudi prezenca e saj në protesta. Unë kam qenë një nga politikanët e kësaj force që ia kam kërkuar angazhimin me kohë të plotë, por ajo e ka refuzuar. Megjithatë kontributi i saj është jashtëszakonisht i vlefshëm.

Sa gjasa ka të jetë pasardhëse e të atit pas vitit 2025?

Noka: Synimi ynë sot është të organizohemi, të mobilizohemi, të ngrihemi dhe të përballemi të rrëzojmë regjimin më korruptiv pas diktaturës. Pastaj gara për PD, ajo e ka një kryetar sot, kur mos të ketë do flasim. PD ka një kryetar. E kam thënë dhe e them, kam qenë i pari që i kam kërkuar që në 2013 një angazhim më të plotë të zonjës Malltezi në PD.

Do ishit dakord të ishte pasardhëse?

Noka: Për sa koh të jetë Sali Berisha kryetar unë nuk harxhoj kohë të diskutoj asgjë tjetër për kryetar

Continue Reading

Politike

‘Reagim ndaj një shpifësi të shpërfytyruar!’

Nga Sali Berisha

Reagim! Reagim ndaj një shpifësi të shpërfytyruar!

Sot Edi Rama nxori në treg shpifjen e rradhës. Sipas tij Sali Berisha nuk donte lirimin e të burgosurve politikë. Një shpifje të tillë banale nuk e ka nxjerrë nga goja njeri tjetër kurrë, përveç shpifësit të shpërfytyruar Edi Rama.

Në dhjetor të vitit 1990 në burgjet dhe kampet e Shqiperisë kishte mijëra e mijëra të burgosur dhe të internuar politik. Partia Demokrtatike në të gjitha protestat e saj në mbarë vendin doli me sloganin “Lironi vëllezërit tanë” dhe denoncoi në arenën ndërkombëtare mashtrimin e etërve të Edi Ramës se Shqipëria kishte vetëm 100 të burgosur politikë.

Me protestat dhe denoncimet e saj arriti t’i imponojë regjimit lirimin e të burgosurve politik të cilet nga burgjet dhe kampet u anëtarësuan në radhët e PD-së dhe u zgjodhën në të gjitha strukturat drejtuese të saja.

Shpifjet dhe trillimet e Edi Ramës dëshmojnë thjesht pafytyrësi. Por pavarësisht nga kjo i kërkoj atij nëse i ka mbetur ndonjë grimcë njerëzore në amoralitetin e tij, të denojë firmat prej xhelati të babait të tij biologjik, piktorit kriminel Kristaq Rama, për varjen publike të poetit disident Havzi Nela dhe ekzektutimin e qytetarëve të thjeshtë të pafajshëm si kundërshtarë të diktaturës hoxhiste.

Continue Reading

Politike

Haklaj: Meta ndihmoi Gruevskin të arratisej, e shoqëroi me makinë në Malin e Zi…

Azgan Haklaj anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, tha se Ilir Meta ka ndihmuar ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski që të arratisej nga vendi.

‘Meta shoqëroi me makinë Gruveskin në Malin e Zi. Ka takuar Gruveskin, s’ka siguruar dot azil politik.’- tha Haklaj.

Nikola Gruevski, është dënuar me burg në Maqedoninë e Veriut, por është strehuar nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, në Hungari.

Continue Reading

Politike

Duka kundër Berisha-Metës për sulmet ndaj drejtësisë: I thonë SPAK-ut, ‘skap’

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ka dalë kundër sulmeve që Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë bërë ndaj SPAK-ut.

Në një intervistë për emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, i pyetur se si e gjykon punën e bërë nga SPAK deri më tani, ai u shpreh se nga ana e SPAK është punuar. Duka theksoi se ka ikur koha e pandëshkueshmërisë.

“Në fakt ka një ndryshim të madh drejtësia tani, me çfarë ka qenë më parë. Mirë që arritëm këtu, që asnjë të mos jetë i paprekshëm. Duhet që të shpejtohen në kohë dhe të mos kenë ndikim politik. Se dalin këta të opozitës që i thonë SPAK-ut, skap. Unë kam përshtypje pozitive, por duhet që të kemi durim.

Ne kemi ngjarje të kaluara që politikanët nuk kanë lënë gjë pa bërë, sikur e kanë pasur Shqipërinë të tyren, por kjo kohë ka ikur. Edhe Rama nëse ka bërë gjë se ka të lehtë, edhe mund ti dal. Sepse po shohim që në SPAK po shkojnë njerëz shumë të rëndësishëm. Kanë shkuar ministra, kryetar bashkish”, tha ai.

Teksa foli për zgjedhjet e ardhshme, ai tha se partitë e vogla e kanë të vështirë mbijetesën nëse nuk ka koalicione.

“Partitë duhet që të hyjë me identitetin e tyre në zgjedhje. Nëse nuk ka koalicione, atëherë partitë e vogla, do hyjnë me lista të hapura dhe mbijetesa është shumë e vështirë. Duhet që të kenë identitet partitë.

Ndër të tjera, Duka ka mbështetur propozimet e Lulzim Bashës për zgjedhoren.

“Basha ato tezat që ka nuk është se i ka gabim. Ne në tryeza kur jemi ulur kemi ngulur këmbë tek listat e hapura dhe vota e  emigrantëve”, tha ai.

I pyetur se nëse vulën e Partisë Demokratike e merr Lulzim Basha nga gjykata, ai do të shkoj nga grupimi i Bashën, Duka tha se nuk do të shkon nga shkon vula. Duka ka bërë thirrje për bashkim të opozitës në një grupim të madh.

“Unë nuk shkoj nga vula atje, ta ketë kush të dojë. Ne duhet që të bashkohemi në grupimin më të madh opozitar. Nuk shoh ndonjë frymë të re unë, nuk kam punë as me Bashën dhe as me Berishën”, tha ai.

A i takon një opsioni për të kandiduar i vetëm në zgjedhje, ai u shpreh se dëshira është, por sipas tij është e pamundur me këtë kod zgjedhor.

“Është kjo dëshira që ne të kandidojmë vetëm, por nuk dalim dot. Me këtë kod është e pamundur”

Continue Reading

Politike

‘Arsyet pse mbështeta VMRO’/ Meta: E vërteta e raportit tim me Gruevskin

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një intervistë për ‘TV Shenja’ në Maqedoni ku ka treguar pse mbështeti VMRO gjatë zgjedhjeve dhe të vërtetën e raportit të tij me Gruevskin.

Meta shprehet se nuk ka ndërhyrë në garën midis partive shqiptare në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se ajo që ka vlerësuar tek VMRO, ishte qëndrimi më i qartë i saj, përsa i takon Ballkanit të Hapur, dhe një mbështetje shumë e qartë, për Procesin e Berlinit.

Përsa i takon zotit Gruevski, Meta tha se nuk ka pasur ndonjë raport të veçantë me të.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Ekziston një dilemë tek ne, se përse, duke pasur partitë shqiptare, ju e përkrahni atë partinë maqedonase?

Ilir Meta: Së pari, unë nuk kam ndërhyrë aspak për sa i takon garës midis partive shqiptare. Këtë gjë nuk e kam bërë asnjëherë, dhe as  nuk kisha ndërmend të shprehja, ndonjë simpati në atë preferencën time, në garën midis partive politike maqedonase, apo partive të tjera në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Por, natyrisht nuk mund të rrimë indeferentë, kur nuk kemi të bëjmë thjesht me një çështje të brendshme të politikës suaj, por kemi të bëjmë dhe me një zgjedhje, përsa i takon politikës rajonale.

Dhe, ajo që kam vlerësuar tek VMRO., që në një qëndrim më të qartë, përsa i takon Ballkanit të Hapur, dhe një mbështetje shumë e qartë, për Procesin e Berlinit.

Ndërkohë, që dihet nga ana tjetër, që ka pasur një qëndrim shumë miqësues në favor të Ballkanit të Hapur, me përjashtim të zotit Pendarovksi, Presidentin Pendarovski, i cili mendoj, ka mbajtur qëndrim shumë të drejtë, shumë parimor.

Dhe, unë kam vlerësimet më të mira për të, dhe për të gjithë historinë e tij mjaft  positive, për shumë çështje delicate.

Pyetje: Ka qenë vetëm Ballkani i Hapur, një nga arsyet që ju keni përkrahur, VRMO-DMNE, apo dhe keni ndonjë afërsi mes partisë suaj?

Ilir Meta: Kjo është arsyeja kryesore, se nuk kam pasur asnjë arsye të karakterit personal. Sepse duhet të jem shumë i sinqertë me ju, në raportet e mia dhe me zotin Cervenkovski kur ka qenë lider, kanë qenë të shkëlqyera.

Me zonjën Shekerinska kanë qenë të shkëlqyera. Me Vlado Buçskovksin mos gaboj, dhe ai SDM kanë qenë të shkëlqyera. Me të gjithë politikanët, e sidomos përfshirë Zaev, kam pasur marrëdhënie shumë të mira, dhe jam shumë falenderues për respektin që ai ka treguar ndaj meje.

Apo dhe me zotin Kovaçeskvi kur e kam takur ditën e parë si kryeministër, kam një përshtypje shumë të mirë, por Ballkani I Hapur në dëm të gjithë rajonit mendoj unë, e në mënyrë të veçantë në dëm të shqiptarëve.

E sidomos, synonte asgjësimin e  Kosovës.

Pyetje: Zoti Meta, megjithatë koha e Nikolla Gruevskit, konsiderohet si nga më të errëtat në Maqedoninë e Veriut. Ju dhe atë herë keni pasur një lloj afërsie me të. Udhëheqësia aktuale e VMRO-DMNE, a dallon nga ajo e kaluara?

Ilir Meta: Nuk është detyra ime të flas, për çështje që I takojnë të kaluarës, ato I gjykojnë qytetarët e Maqedonisë, dhe mendoj se ata kanë dhënë verdiktin e tyre, në një mënyrë plebishitare.

Përsa i takon zotit Gruevski, nuk kam pasur ndonjë raport të veçantë me të. Raportet e mia kanë qenë të shkëlqyera. Kur kam qenë Kryeministër, me zotin Ljubco Georgevski kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Derisa ndodhi pastaj situata e krizës në Maqedoni, dhe ai humbi atë ekuilibrin mendoj unë, sepse dhe kriza ishte shumë e rëndë.

Por, përsa I takon zotit Gruevski, periudha e tij ka qenë një nga periudhat më të errëta. Në një aspekt po. Unë mendoj se këtu problem kryesor ka qenë nepotizmi, dhe besimi me sa duket i tepruar, I një kushëriri, që nuk ka nevojë që t’ia përmend emrin.

Por, mua më ka bërë shumë përshtypje, në të gjitha takimet që kam pasur me Nikolla Gruevskin, si me asnjë politikan tjetër.

60 minuta bisedë me të, 55 minuta ishin për ekonominë, ishin për investimet e huaja, dhe për tërheqjen e turistëve. Dhe, mendoj se ka qenë një periudhë e ndritur për Maqedoninë, përsa  i takon klimës së biznesit, dhe përsa I takon tërheqjes së investimeve të huaja.

Sepse, nga vendin 94 që ishte në botë, arriti të jetë vendi i 10 në botë, dhe vendi i 5-të në Europë, pas vendeve të Europës Veriore. Dhe unë kam qenë që në vitin 2013, momentin që kemi bërë koalicionin me zotin Rama, kam vizituar vetë Shkupi 1 dhe Shkupi 2, dhe jam mahnitur, bëhet fjalë për para 11 vitesh.

Kam insistuar fort që, këto gjëra ne mund t’i bëjmë shumë lehtë në Durrës, mund ti bëjmë shumë lehtë në Fier që është buzë detit, apo në Vlorë, apo në Lezhë, kudo.

Sepse, kur Maqedonia e Veriut përdor faktin që është 200 e ca km. larg Durrësit, për të tërhequr investitorët e huaj. Përse ne që jemi në Durrës mos e bëjmë këtë gjë?

Por, nuk ka pasur asnjë vullnet nga zoti Rama, dhe nga qeveria e tij, apo Rilindjes, siç e quaj unë, për një gjë të tillë.

Për të shndërruar Shqipërinë në një vend që prodhon, në një fuqi eksportuese, siç praktikisht u realizua të jetë projekti i tij  për Maqedoninë, nëpërmjet Invest Maqedonia mos gaboj, që ka qenë një eksperiencë shumë e mirë.

Apo, programet e tij në fushën e bujqësisë, ku mbështetja për të erdhi në mënyrë progresive, dhe të pandalshme.

Pra, mendoj për çdo politikan duhet të vlerësojmë, atë që është arritur, dhe duhet të mësojmë nga gabimet që ai ka bërë, sikurse ne të gjithë bëjmë gabimet tona.

Përsa i takon udhëheqjes së re të Maqedonisë VRMO., unë mendoj që është një udhëheqje fantastike, është mjaft serioze, nga përvoja që unë kam pasur në komunikim me ta.

Janë shumë të drejtpërdrejtë, dhe janë po po, jo jo. Dhe unë besoj se ata, do të përmirësojnë ndjeshëm pozitën e Maqedonisë përsëri, sidomos përsa i takon klimës së biznesit, dhe tërheqjes së investimeve të huaja.

Pyetje: Përmendëm, që zgjedhjet tashmë kanë përfunduar, dhe kanë filluar dhe negociatat mes VRMO. dhe DPMNE, dhe vlejnë. Ndërkohë fituese, tek pjesa  shqiptare në këto zgjedhje,  ishte Fronti Europian. Si e konsideroni anashkalimin e ligjimitetit shqiptar?

Ilir Meta: Shiko, nuk dua të hyj në këto çështje të brendshme të Maqedonisë. Unë jam I bindur në çdo rast, se shqiptarët do të jenë garancia për rrugën euro-atlantike të Maqedonisë, që tashmë është anëtare e NATO-s.

Dhe për rrugën europiane që ka nevojë të marri një ritëm të ri. Dhe unë besoj shumë, se lidershipi I ri, i ka të gjitha kapacitet për ta përshpejtuar këtë rrugë europiane.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING