Connect with us

Sport

Tallje epike e Infantinos me Italinë: Ata mund të kualifikohen nëse bëjmë Botërorin me 64 kombëtare

Mungesa e Italisë në Kupën e Botës prej vitesh vijon të ngjallë reagime dhe komente në botën e futbollit. Katër herë Kampionët e Botës rrezikojnë të mbeten jashtë turneut më prestigjioz të futbollit për herë të tretë radhazi, një situatë që i ka kthyer shpesh në objekt ironish dhe talljesh ndërkombëtare.

Së fundmi, edhe presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, iu bashkua komenteve me një batutë gjatë një interviste të dhënë për “CazéTV”, teksa diskutonte mbi mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të Kupës së Botës.

“Së pari duhet të shohim se si do të shkojë ky Botëror me 48 kombëtare. Është një event shumë i madh. Kemi diskutuar edhe mundësinë e një Botërori me 64 kombëtare, me një përfshirje edhe më të madhe të vendeve nga e gjithë bota”, deklaroi Infantino.

Kreu i FIFA-s sqaroi se ideja është diskutuar në strukturat drejtuese të organizatës, por theksoi se vëmendja aktualisht është tek edicioni i parë me 48 skuadra.

“Është diskutuar në Këshillin e FIFA-s, por tani le të shijojmë këtë Botëror me 48 ekipe”, shtoi ai.

Në fund, Infantino nuk i rezistoi tundimit për të bërë një koment ironik në adresë të kombëtares italiane.

“Ndoshta Italia do të kualifikohet me 64 kombëtare. Kush e di? Ndoshta mund ta çojmë numrin në 208 dhe të shohim nëse kualifikohet”, u shpreh ai me humor, duke iu referuar numrit të Federatave anëtare të FIFA-s.

Italia nuk ka marrë pjesë në dy edicionet e fundit të Kupës së Botës, pas eliminimeve në fazat kualifikuese për turnetë e vitit 2018 dhe 2022. Kjo mungesë e gjatë për një nga kombëtaret më të suksesshme në historinë e futbollit ka vazhduar të jetë temë diskutimi dhe ironie në arenën ndërkombëtare sportive.

Advertisement