Shkrime
Kur Bela kërkon shpëtim nga Veliaj
Nga Armand Shkullaku
Edi Rama ka nxituar të interpretojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për qëndrimin në detyrë të Erion Veliajt, jo si një akt që mbron të zgjedhurit lokalë nga arbitrariteti i kryeministrit, por si një rrugë shpëtimi për të pandehurën e fundit të qeverisë së tij dhe të tjerët që presin në radhë.
Pra thelbi i vendimit në fjalë ka të bëjë me përcaktimin njëherë e mirë nga Gjykata Kushtetuese, se i zgjedhuri vendor shkarkohet vetëm në kuadrin që ka përcaktuar Kushtetuta dhe jo në varësi të interpretimit të ligjeve të tjera. Kaq. Nëse të zgjedhurit lokalë apo ministrat merren të pandehur, kapen duke vjedhur apo abuzuar me detyrën e tyre, hetohen të lirë apo në burg, kjo nuk është çështje kushtetuese dhe as premisë për të vendosur ndonjë precedent siç do të kishte dashur kryeministri.
Pikërisht kjo e papërmbajtur dëshirë e kryeministrit për të mos u shtuar numri i të “rënëve në detyrë”, lexohej qartë në paralelizmin e sforcuar që ai bën mes mbajtjes në detyrë dhe mbajtjes në qeli të Erion Veliajt. Sipas logjikës së Ramës, një zyrtar i lartë, edhe kur merret i pandehur dhe akuzohet për vepra të rënda, mund të rrijë në detyrë përsa kohë nuk ka një vendim fajësie të formës së prerë. Dhe këtu është fare e qartë që halli nuk është tek Velija apo Tirana që nuk paska kryetar në zyrë. Për tetë muaj kryeministri nuk e pati këtë shqetësim, madje me shumë pasion ndau nga koha e tij e çmuar orë të tëra duke drejtuar mbledhjet e bashkisë. Rama po përpiqet që nëpërmjet atij që gjendet në burgun e Durrësit, t’i paraprijë ndonjë mase shtrënguese për zëvendësen e tij. Si në një mallkim, Erion Veliaj edhe në burg po “shfrytëzohet” për fatin dhe karrierën e Belës.
Kryeministri prej kohësh ka inicuar një fushatë të kujdesshme, më shumë nëpër mjedise të mbyllura se sa në publik, se arrestimet e SPAK pa u provuar përfundimisht fajësia e një zyrtari të lartë, janë abuzive. Se prokurorët nuk mund të marrin njerëz në detyrë dhe t’i lenë qytetarët pa drejtim, se këto veprime po paralizojnë administratën etj, etj. Madje, njerëz pranë tij thonë se Rama u ka lënë të kuptohet edhe partnerëve ndërkombëtarë që sponsorizojnë SPAK, se nuk ka ndërmend të heqë imunitete e të lëshojë njerëz përsa kohë ata prezumohen të pafajshëm.
Ky shqetësim i kryeministrit duket se është theksuar kohët e fundit. i njëjti njeri që thuajse me gëzim deklaronte se ai dhe PS nuk janë zyrë avokatie, se secili duhet të përgjigjet para drejtësisë, se ai dhe PS mbështesin pa kushte punën e SPAK dhe gjykatave, se po të kishte qenë ai vetë prokuror, ish zëvendësi i tij (të cilit ia hoqi imunitetin plot gaz e hare) do ta kishte pësuar më keq, pra po i njëjti njeri tani mendon se duhet të marrë rolin e avokatit për të mbrojtur bashkëpunëtorët në organizatën e tij.
Gjithë kjo metamorfozë është pasojë e emrit dhe rastit të Belinda Ballukut. Së pari, sepse si asnjëherë më parë SPAK po heton jo thjesht një njeri shumë të afërt të kryeministrit, por po e heton për procedurat e një tenderi dhe jo për pllakat e shtëpisë apo markat e të brendshmeve. Dhe, të gjithë e dinë, se edhe hetimi më i përciptë i një procedure të çon tek vendimmarrja e liderit maksimal. Së dyti, nëse SPAK po shkon tek procedurat dhe jo thjesht tek një hetim pasuror, shtohet dyshimi se faktorë të tjerë me ndikim mbi organin e akuzës mund të kenë hyrë në lojë. Dhe së treti, Balluku nuk duket se është ushtari i bindur i organizatës që është i gatshshëm të lyejë shkallët e pallatit në 4 të mëngjesit dhe të mos i ndihet zëri i gojës. Nëse zhurma e prangave i afrohet pranë veshit, zëvendësja mund të mos jetë e gatshme të bëhet kurban për pushtetin e bossit të saj.
Të gjitha këto dilema e kanë shtyrë Ramën të bërtasë fitore ndaj humbjes në Gjykatën Kushtetuese. Ai dhe altoparlantët e tij mediatikë, po mundohen që vendimin për mosshkarkimin e Veliajt ta përkthejnë si liri për të vjedhur e abuzuar duke qëndruar në detyrë, pavarësisht se mund të jesh marrë i pandehur. Dhe dy ekstremet ku e zhvendosin Rama dhe mediat e tij interpretimin e Kushtetueses, janë ndër të tjera edhe një dëshmi e fortë e regjimit ku jetojmë. Ata flasin ose për zyrtarë në burg ose për zyrtarë në detyrë, duke mos e përmendur fare (ndoshta as nuk u shkon ndërmend) një parim universal të botës demokratike: dorëheqjen.
Largimi me vullnet nga një post zyrtar përsa kohë je nën një akuzë penale, është jo vetëm një akt moral por edhe një përgjegjësi ndaj atyre që të kanë besuar. Gjykata Kushtetuese nuk pengoi Veliajn të jeptë dorëheqjen dhe të hetohej si qytetar i lirë duke i hapur rrugën zgjedhjeve në Tiranë. Ajo pengoi Ramën ta shkarkonte. Po ashtu SPAK nuk e ndalon Belindën të dorëhiqet dhe të merret me mbrojtjen e saj për të provuar pafajësinë. As nuk e detyron Ramën ta mbajë ministre e zëvendës kryeministre ndërkohë që është e pandehur. Prandaj çdo përpjekje për të interpretuar akuzat apo arrestimet si tentativa për të lënë qytetarët pa njerëz në krye të punëve, janë qesharake dhe dëshpëruese njëkohësisht. Më mirë do ishte të mos vidhnin dhe qytetarët do ishin plotësisht të kënaqur.