Kronike
I shumëkërkuari për trafikim të narkotikëve/ A do të ekstradohet Moisi Habilaj?!
Moisi Habilaj, një nga njerëzit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe më i komentuar për shkak të akuzave ndaj tij për trafikim ndërkombëtar të narkotikëve – dhe veçanërisht lidhjes familjare me ish-ministrin Saimir Tahiri, është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Borsh.
Ai ndodhej në një lokal veror nën shoqërinë e dy personave të tjerë dhe gjatë një operacioni të befasishëm të strukturave të Policisë së Vlorës, mbështetur nga agjentë të Forcës së Posaçme Operacionale, është prangosur në kushtet e flagrancës.
“Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, njoftoi Policia e Shtetit.
Gjithashtu, u njoftua se, ndaj Moisi Habilaj u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjykata e Krimeve të Rënda është transformuar në Gjykatë të Posaçme, pas Reformës në Drejtësi, dhe në Janar 2026, pas një sage disavjeçare, Moisi Habilaj u dënua me 15 vjet burgim në mungesë. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij zbriti në 10 vjet.
“Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Moisi Habilaj dënohet me 15 vjet burgim. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Moisi Habilaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 10 vite burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të vendimit dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, datë 28 Janar 2026.
Bëhet fjalë për katër dërgesa me drogë që janë dërguar në Itali, mes viteve 2013 dhe 2015, dhe një tentativë trafikimi që nuk është realizuar në vitin 2017.
Por, pavarësisht se Policia e Shtetit njofton se Moisi Habilaj është arrestuar për llogari të autoriteteve italiane dhe sapo të përfundojnë procedurat përkatëse ai do të ekstradohet, mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosin gjykatat shqiptare dhe Ministria e Drejtësisë.
Ligji për ekstradimin parashikon disa kritere specifike, kur zbatohet dhe kur pezullohet dorëzimi i personit të kërkuar.
Në Kodin e Procedurës Penale parashikohet qartë se kërkesa për ekstradim nuk pranohet “kur ka filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit”, si dhe mund të pezullohet dorëzimi i shtetasit të kërkuar “kur i ekstraduari duhet të gjykohet në territorin e shtetit shqiptar ose duhet të vuajë një dënim për vepra penale të kryera para ose pas asaj për të cilën është dhënë ekstradimi.”
Tashmë, do të jetë Gjykata e Posaçme ajo që do të bëjë vlerësimin e dënimeve të Moisi Habilaj në Shqipëri dhe Itali, dhe më pas do të bëjë vlerësimin e kushteve të ekstradimi, për të lejuar dorëzimin e kreut të grupit Habilaj apo jo.