Connect with us

Sport

Luciano Spalleti rikthen Juventusin e madh/ Bardhezinjtë synojnë disa goditje cilësore gjatë verës

Trajneri Luciano Spalletti ka nisur të projektojë një Juventus të ri për sezonin e ardhshëm, duke kërkuar disa emra të mëdhenj për merkaton e verës.

Sipas mediave italiane, bardhezinjtë pritet të fokusohen drejt nënshkrimeve me kosto të ulët ose parametra zero.

Objektivi i Spalletti-t është ndërtimi i një skuadre konkurruese për tituj, si në arenën vendase ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Trajneri ka identifikuar mangësi në çdo repart dhe ka nisur punën për t’i adresuar ato.

Në portë, emri kryesor është Alisson Becker, me të cilin Spalletti ka bashkëpunuar më parë te Roma. Portieri i Liverpool-it mund të largohet nga “Anfield”, ndërsa kartoni i tij vlerësohet rreth 15-20 milionë euro, një shifër e përballueshme për Juventus-in.

Në mbrojtje, trajneri është i kënaqur me emra si Pierre Kalulu, Gleison Bremer dhe Andrea Cambiaso, por kërkon edhe përforcime. Një mundësi joshëse është Antonio Rudiger, i cili pritet të largohet nga Real Madrid-i me parametra zero.

Në mesfushë, përkrah Manuel Locatelli-t dhe Khephren Thuram-it, Spalletti kërkon më shumë cilësi dhe eksperiencë. Emri i përzgjedhur është Leon Goretzka i Bayern Munich-ut, i cili mund të vijë falas, por me një bonus të majmë firmosjeje që kap shifrën e rreth 10 milionë eurove, veç pagës së lartë.

Në sulm, mes Kenan Yildiz-it dhe Francisco Conceiçao-s, mund të shtohet klasi i Bernardo Silva-s nga Manchester City, një tjetër afrim potencial me parametra zero.

Ndërkohë, për qendrën e sulmit, Spalletti ka në mendje një emër të madh të futbollit europian: Robert Lewandowski. Sulmuesi polak pritet të largohet nga Barcelona në fund të sezonit, duke u kthyer në një opsion tërheqës për bardhezinjtë.

Nëse këto lëvizje konkretizohen, Juventus-i i Spalletti-t mund të shndërrohet në një skuadër me eksperiencë, cilësi dhe ambicie të qarta për të rikthyer dominimin në Itali dhe për të synuar suksesin në Evropë.

Formacioni i dëshiruar i Spalletti-t te Juventus-i: Alisson; Kalulu, Bremer, Rudiger, Cambiaso; Goretzka, Thuram; Yildiz, Silva, Conceiçao; Lewandowski.

 

Advertisement