Connect with us

Aktualitet

Ministria e Brendshme te beje transparence te plote mbi tere procesin e hartimit dhe saktesimit te listes se zgjedhesve.

Ministri i Brendshëm më datë 10 shtator 2020 nxorri udhëzimin “Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë”, konform detyrimit të parashikuar nga Kodi Zgjedhor.

Procesi i hartimit dhe i saktësimit të listave të zgjedhësve është procesi i parë që nisi me futjen e vendit në rregjimin zgjedhor dhe përbën procesin më të rëndësishëm, i cili afekton drejtëpërsëdrejti të drejtat dhe liritë e qytetarëve për të votuar.

Njëkohësisht ky proces ka rëndësi madhore në rastin e këtyre zgjedhjeve parlamentare pasi ndikon, në rradhë të parë, në përcaktimin e numrit të mandateve për deputetë që do të nxjerrë çdo zonë zgjedhore, si dhe në shmangien e lëvizjeve të qëllimta për të ndikuar rezultatet e zgjedhjeve në këto zona. Fenomene negative këto të aplikuara më parë në përvojën problematike të proceseve zgjedhore në vend.

Situata në tërësi në vend dhe konteksti politik shtrojnë me urgjencë përballë të gjithë institucioneve shtetërore që i ngarkon ligji, në rradhë të parë, por edhe ndaj të gjithë aktorëve politikë dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë civile, medias dhe vetë qytetarëve, domosdoshmërinë për të patur në vëmendje, ushtruar kontroll dhe presion institucional e qytetar që ky proces të udhëhiqet nga zbatimi katërcipërisht i ligjit dhe nga një transparencë e plotë.

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ka ndjekur me shumë shqetësim ditët e fundit denoncimet e qytetarëve të transmetuara nga Emisioni Investigativ “Boom”[1] i Radiotelevizionit “Ora News”, denoncimet e bëra publike edhe në media të tjera dhe veçanërisht prononcimet në media të Ministrit të Brendshëm z. Sandër Lleshaj[2], të Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile z. Bledar Doracaj[3] dhe zyrtarëve të tjerë, si dhe njoftimet përkatëse në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Brendshme[4].

Shqetësimet e qytetarëve të denoncuara në media evidentojnë se ndërsa ata kanë shkuar pranë zyrave të gjendjes civile të tyre, iu është deklaruar nga nëpunësi përkatës se gjendja e tyre civile tashmë është transferuar në një tjetër gjendje civile, si pasojë e ndërrimit të adresës së vendbanimit të tyre.   Sipas deklarimeve të qytetarëve, ata nuk kanë bërë asnjë deklarim pranë zyrave të gjendjes civile për ndryshimin e vendbanimit të tyre.

Nga ndjekja në tërësi e situatës dhe shqyrtimit të rrethanave, KRIIK vëren se, lidhur me këtë problematikë të konstatuar nga media, nga ana e Ministrisë së Brendshme ka një mungesë serioze transparence dhe njëkohësisht evidentohet një qendrim aspak i përshtatshëm dhe korrekt i të dy zyrtarëve të lartë të shtetit.

Për më tepër, aludimet se kjo është një çështje e stisur nga partitë opozitare dhe media jo profesionale, në rradhë të parë, përbëjnë deklarata të drejtëpërdrejta intimidimi ndaj medias duke cënuar lirinë e investigimit dhe të pasqyrimit të problematikave të qytetarëve në raport me institucionet shtetërore.

Nga ana tjetër, vlerësohet se sqarimet e dhëna dhe deklarimet e bëra nuk rezultojnë të përbëjnë një qendrim institucional të plotë dhe korrekt mbi shkakun e ndodhjes së problematikës dhe rrugëzgjidhjen e duhur institucionale të çështjes.

Në thelb, në një mungesë totale transparence, shpjegimet zyrtare të servirura ngrenë akoma edhe më shumë dyshime mbi atë se çfarë ka ndodhur realisht me ngatërresat e adresave të vendbanimit të shtetasve,  mënyrën si ato janë mbledhur,  si është bërë përcaktimi i adresës si vendbanim i qytetarëve dhe se si është bërë migrimi i të dhënave nga Regjistri Kombëtar i Adresave[5] në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC)[6].

Nga deklarimet e një zyrtari[7] të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile (DPGJC), konstatohet se procesi i identifikimit dhe popullimit të adresës për çdo shtetas, i nisur fillimisht në 29 shtator 2016 si bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike[8] (OSHEE sh.a.),  vazhdon ende sot dhe se një prej hallkave të procesit është migrimi i deklaratave të shtetasve për vendbanimin e tyre në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Gjithashtu, sipas tij, ky proces nuk ka të bëjë fare me “numrin zgjedhor” të çdo shtetasi, pasi ato atribute janë të paprekuara.

Në ndryshim me deklarimin e fundit të zyrtarit të DPGJC-së, shqetësimi i deritanishëm i qytetarëve për ndryshimin e paautorizuar, sipas tyre, të adresës së vendbanimit[9] të tyre, merr një gravitet më të rëndë pas hyrjes së vendit në regjim zgjedhor.

Sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, jo më vonë se data 21 shtator 2020, zyrat e gjendjes civile duhet të kenë nxjerrë në format elektronik ekstraktin me përbërësit zgjedhorë të të gjithë shtetasve me të drejtë vote në datën e zgjedhjeve (25.04.2021), me përjashtim të shtetasve që kanë mbushur 100 vjeç deri në këtë datë[10].

Brenda datës 6 Tetor 2020 është parashikuar të publikohet ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhorë të të gjithë shtetasve që kanë vendbanimin në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e çdo zyre të gjendjes civile, listë kjo e cila nxirret nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile.

Lista e zgjedhësve është parashikuar të përmbajë emërtimin e zonës zgjedhore “njësinë e qeverisjes vendore, njësinë administrative”, llojin dhe datën e zgjedhjeve, numrin e qendrës së votimit dhe përbërësit zgjedhorë të zgjedhësve[11].

Lista e zgjedhësve hartohet për çdo zonë qendre votimi dhe përmban të gjithë zgjedhësit që kanë vendbanimin e regjistruar në RKGJC në atë zonë qendre votimi. Përfshirja e zgjedhësit në listë bëhet mbi bazën e kodit të vendbanimit[12], i cili është 1 ndër 9 përbërësit zgjedhorë që parashikon Kodi Zgjedhor[13].

“Kodi i vendbanimit” apo “numri zgjedhor”, term i përdorur në listën online të zgjedhësve[14], është një kod shumëshifror i cili ndërtohet duke patur për bazë kodin e banesës.   Ky i fundit është një kod treshifror që përcaktohet sipas adresës së vendbanimit të deklaruar prej zgjedhësit.

Kodit të banesës[15] i vendoset përpara numri i qendrës së votimit në territorin e së cilës ndodhet banesa e zgjedhësit, dhe më pas i vendoset përpara edhe numri i zyrës së gjendjes civile, duke përfituar kështu “kodin e vendbanimit” apo “numrin zgjedhor”.

Rrjedhimisht,  ndryshimi i vendbanimit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile është i lidhur drejtëpërdrejtë me numrin zgjedhor, pra me listën e zgjedhësve.

Gjithë sa më sipër, në opinionin e KRIIK, cënon rëndë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore përgjegjëse për përgatitjen e listës së zgjedhësve që në nisje të këtij procesi.

KRIIK, i bën thirrje Ministrit të Brendshëm si autoriteti përgjegjës i ngarkuar nga ligji që të bëjë dhe sigurojë në vazhdimësi transparencë.

Kjo transparencë duhet të jetë tërësore, e detajuar në hapat e ndërmarrë dhe mekanizmat e përdorur, të shoqëruara këto me bazën ligjore të mbështetur, me një gjuhë mundësisht të kuptueshme për publikun e gjerë. Dokumentet ligjorë të publikohen në mënyrë koherente me procesin e saktësimit të listave, në faqet zyrtare të internetit të institucioneve përgjegjëse të ngarkuara nga ligji.

Madje, në gjykimin e KRIIK, është e domosdoshme që Ministri i Brendshëm së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse të bëjnë, gjithashtu, transparencën e plotë që refuzuan ta bëjnë[16] përgjatë afro 7 muajve të kohëzgjatjes së procesit të hartimit dhe saktësimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet lokale 2019, përgjatë të cilave u bë saktësimi i adresave të vendbanimit për rreth 283,338 zgjedhës, të cilët deri në atë kohë figuronin me adresë të panjohur[17].

Saktësimi i adresës së këtyre zgjedhësve, sot ka peshë direkte së pari në caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, vendimmarrje e cila pritet të merret nga Komisioni Rregullator i KQZ-së së re.

Veçanërisht mbetet me shumë interes të bëhet transparencë mbi mekanizmin dhe metodologjinë e përdorur, me anë të së cilës u bë e mundur gjetja dhe saktësimi i adresave të banimit për 229,700 shtetasve në vetëm 59 ditë, pra nga data 04.12.2018 – 01.02.2019, ndërkohë që procesi i njoftimit me shkrim të zgjedhësve nuk kishte filluar ende nga Bashkitë, madje as fondi i nevojshëm financiar nuk iu ishte lëvruar këtyre të fundit për këtë qëllim.

KRIIK ishte organizata e vetme që ndoqi në mënyrë integrale tërë ecurinë institucionale para, gjatë dhe pas procesit të 30.06.2019, duke monitoruar tërë periudhën prej nëntorit 2018 deri në Shkurt 2020, ku një vëmendje të veçantë i kushtoi procesit të përgatitjes së listave të zgjedhësve, sjelljes së Ministrisë së Brendshme, Bashkive, monitorimit të procesit prej dy auditëve të caktuar prej KQZ-së, si dhe sjelljes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si mbikqyrëse e të gjithë procesit[18].

Me synim informimin dhe bërjen transparencë mbi ecurinë e tërë procesit, por edhe për sensibilizimin e aktorëve institucionalë, shtetërorë ose jo, për të nxitur reagimin e tyre mbi gjetjet dhe shkeljet ligjore të vërejtura, Raporti i Monitorimit iu dërgua të gjithë aktorëve dhe institucioneve me rol në proces, përfshi këtu edhe Ministrinë e Brendshme dhe DPGJC, veçanërisht lidhur me problematikat e vërejtura dhe pikëpyetjet e ngritura mbi procesin e hartimit të listës së zgjedhësve.

Një vend të veçantë në Raport gjen pasqyrimi i gjetjeve të dy auditëve teknicienë të caktuar nga KQZ-ja, raportimi i njërit prej të cilëve përmban gjetje serioze dhe shumë shqetësuese, pasi sipas tij administrimi dhe përpunimi i bazës së të dhënave të RKGJC është jo në përputhje me kërkesat teknike dhe administrative të legjislacionin në fuqi[19].

Po sipas këtij auditi, evidentohen disa raste kodesh të banesave të cilat janë absurde dhe të pamundura, si p.sh.  numër shumë i lartë zgjedhësish të regjistruar në një kod banese që duket se nuk ekziston në hartë (kodi i vendosur në një lulishte), etj.

Në përfundim të ekspertimit prej tij, auditi teknicien konkludon se “në përfundim të periudhës së auditimit duke vlerësuar parregullsitë e hasura dhe në pamundësi për të marrë informacionet e kërkuara nga ana ime në zbatim të dispozitave ligjore gjykoj se të gjitha ndërhyrjet e kryera për ndryshimin e elementëve zgjedhorë ku përfshihem rreth 10% e totalit të zgjedhësve dhe gjenerimi i listave me procedura manuale me ndërhyrje te personelit cënojnë rëndë besueshmërinë mbi listën e zgjedhësve, … .[20]”.

Gjenerimi i listave me procedura manuale në procesin e 2019-ës, i pranuar edhe nga DPGJC në rastin e zgjedhësve mbi 100 vjeç, shënoi një hap pas në krahasim me proceset për zgjedhjet e 2017 dhe 2015.

Nga shqyrtimi i çështjes, KRIIK evidentoi asokohe se menaxhimi manual i të dhënave, pavarësisht arsyeve objektive që mund të parashtroheshin, nuk ishte një zgjidhje e momentit të fundit, por ishte e parashikuar të menaxhohej në mënyrë të tillë.

Kjo pasi Udhëzimi i Ministrit të Brendshëm i vitit 2018, ishte i ndryshëm nga udhëzimet e hartuara për zgjedhjet e mëparshme (të viteve 2016[21] dhe 2014[22]), të cilët parashikonin shprehimisht “gjenerim automatik të listës nga sistemi i RKGJC-së”.

Ndërkohë që Udhëzimi nr. 295/1 datë 06.11.2018 udhëzonte thjesht që të “gjenerohet ekstrakti elektronik i përbërësve zgjedhorë”[23] pa e përcaktuar mënyrën se si të bëhej ky gjenerim, duke lënë, kështu, hapësirë edhe për menaxhim apo gjenerim manual të tij.

Në situatën aktuale mbetet e paqartë dhe shqetësuese se pse Udhëzimi i Ministrit të Brendshëm[24] nr. 298 datë 10.09.2020 për përgatitjen e listës së zgjedhësve për procesin zgjedhor të 25 prillit 2021, është i hartuar në të njëjtën formë sikursë ai i 2018-ës të përmendur më sipër, duke mos përcaktuar shprehimisht “gjenerimin automatik të listës nga sistemi i RKGJC-së”.

Lidhur me gjithë këtë aspekt, konsiderohet më shumë rëndësi që Ministri i Brendshëm të bëjë me dije se DPGJC dhe institucioni që administron Regjistrin Kombëtar i ka në dispozicion kapacitetet e duhura për përdorimin dhe menaxhimin në mënyrë automatike të procesit të gjenerimit të ekstrakteve dhe të listave zgjedhore dhe se i tërë procesi është i garantuar në parametrat maksimalë të sigurisë së tij.

Gjithashtu, pas shqyrtimit të përmbajtjes së këtij Udhëzimi që po orienton procesin e tanishëm të hartimit të listës së zgjedhësve, KRIIK konstaton disa pasaktësi dhe mospërmbushje të kërkesave të Kodit Zgjedhor, të cilat vazhdojnë të mos merren parasysh në vazhdimësi prej institucionit të Ministrit të Brendshëm duke bërë joefikas mekanizmin dhe parashikimet e Kodit Zgjedhor.

Konkretisht, KRIIK i bën thirrje Ministrit të Brendshëm që të korrigjojë dhe përmirësojë Udhëzimin nr. 298 datë 10.09.2020, në mënyrë që ai të përmbushë detyrimet ligjore që rrjedhin prej Kodit Zgjedhor. Sillet në vëmendje se:

  1. Në pikën 3 të Udhëzimit parashikohet që numri minimal i zgjedhësve për një qendër votimi të jetë 200 zgjedhës. Ndërkohë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor të datës 23.07.2020, ky minimum është ndryshuar nga 200 në 300 zgjedhës, sipas parashikimeve të bëra në nenin 46 “Lista e zgjedhësve” dhe nenin 62 “Caktimi i zonave dhe vendndodhjes së qendrave të votimit”[25].
  2. Në pikën 14 të Udhëzimit parashikohet njoftimi me shkrim i zgjedhësve, një proces mjaft i rëndësishëm për saktësimin e të dhënave të qytetarëve në listat e zgjedhësve, i cili duhet të kryhet brenda 60 ditëve prej datës 06.10.2020 – 05.12.2020.   Njoftimi përmban “qendrën e votimit, vendndodhjen dhe adresën e saj, si dhe numrin rendor të zgjedhësit në listën e zgjedhësve të qendrës së tij të votimit”.

      – Lidhur me këtë proces modelet e njoftimit të miratuara, nuk përmbajnë hapësirë të përcaktuar për t’u firmosur nga qytetari që njoftohet në mënyrë që ai të konfirmojë (duke nënshkruar) marrjen e njoftimit me shkrim, sikundër kërkohet nga Kodi Zgjedhor[26];

      – Lidhur me ecurinë e procesit, Udhëzimi nuk parashikon në përmbajtje të tij asnjë mekanizëm për llogaridhënie të Kryetarëve të Bashkive mbi procesin e njoftimit me shkrim.

Tiranë, më 5 Tetor 2020 ! 

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

“Urdhri u dha nga Londra”/ Tritol banesës në Vlorë, konflikt për ‘shtëpi bari’

Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i 27 vjeçarit Oltion Çeça i cili akuzohet se në bashkëpunim me Ajet Dokun, ka vendosur një sasi lënde plasëse në banesën e Elton Andreica Alias Muça në Vorë.

Mësohet se shkak për ngjarjen e ndodhur në 19 shkurt të këtij viti, janë bërë konfliktet pronari i banesës, ka pasur në Londër të Anglisë për aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të kanabisit apo “shtëpive të barit”.

Dyshohet se autorët e ngjarjes, janë paguar nga Londra për të bërë të mundur vendosjen e lëndës plasëse në banesën e Elton Adreicës.

Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur të lënduar përveç dëmeve materiale, ndërsa në kërkim është 27 vjeçari Ajet Doku, bashkëpunëtori i Oltion Çeçës në vendosjen e tritolit.

Continue Reading

Aktualitet

Ra nga vinçi teksa po riparonte llambat e qytetit, ndërron jetë punonjësi i bashkisë së…

Një 56-vjeçar i cili shërbente si punonjës i bashkisë së Elbasanit ka ndërruar jetë ditën e sotme në spital, pasi u rrëzua nga vinçi teksa po riparonte llambat e qytetit më herët gjatë ditës.

Dyshohet se 56-vjeçari u rrëzua nga mjeti rreth mesditës për shkak të një defekti në vinç, ndërsa ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve disa orë më vonë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 12:00, shtetasi E. B., 56 vjeç, punonjës i bashkisë Elbasan, gjatë punës mbi vinç, për riparimin e llambave elektrike në shtyllat e ndriçimit, në lagjen “5 Maji”, dyshohet se për shkak të një defekti në vinç, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar. 56-vjeçari është në spital, në kujdesin e mjekëve.

 

 

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mesditën e sotme, ju informojmë se, shtetasi E.B, 56 vjeç, punonjës i Bashkisë Elbasan, për shkak të dëmtimeve, ka humbur jetën në spital.

Continue Reading

Aktualitet

Protesta para Bashkisë së Tiranës/ Ambasada italiane dënon dhunën

Edhe ambasada e Italisë në Tiranë ka reaguar për protestën e sotme përpara Bashkisë së kryeqytetit.

Ambasada italiane shprehet se dhuna në një protestë është e pajustifikueshme.

‘Ambasada e Italisë në Tiranë dënon aktet e dhunës të kryera sot gjatë protestës së zhvilluar para Bashkisë Tiranë.

 

 

E drejta për t’u organizuar paqësisht e për të protestuar është thelbësore në një shoqëri demokratike, por dhuna ndaj objekteve apo personave nuk është aspak e justifikueshme”, thuhet në reagimin e ambasadës italiane.

Reagimi i ambasadës së Italisë vjen pas reagimeve nga ambasada amerikane, ajo britanike, BE dhe OSBE.

Continue Reading

Aktualitet

Kyçi gojën dhe nuk jep informacione për vendndodhjen e nipit, lihet në burg gjyshi i 3-vjeçarit

Gjykata e Durrësit ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Rexhep Gjunin dhe kunatin e tij Arben Selaj, për rrembimin e 3-vjeçarit nga nëna e tij. Ndërkohë që gruaja e Gjunit, Bahrie Gjuni dhe vëllai i saj Flamur Selaj, e cila ka dhe djalin e mitur me vete është shpallur në kërkim nga policia.

Nëna e fëmijës ka bërë denoncim në polici dhe uniformat blu kanë arritur të gjejnë vetëm 58-vjeçarin Rexhep Gjuni, por jo bashkëshorten e tij dhe fëmijën. 58-vjeçari, është ndaluar nga policia por nuk ka treguar se ku ndodhet i mituri, ndërkohë që babai i 3-vjeçarit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik. Fillimisht 58-vjeçari ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur.

Mësohet se gjyshërit kanë pasur një konflikt me nusen edhe për përfitimet ekonomike pas vdekjes së djalit si dhe frikë se mos nusja e tyre mund të largohej jashtë vendit. Babai i fëmijës Avni Gjuni humbi jetën në shkurt të vitit 2023 në një aksident automobilistik që ndodhi te Kthesa e Kamzës. Të tronditur pas kësaj ngjarjeje dhe largimit të nuses me nipin te prindërit e saj, Rexhep dhe Berile Gjuni vendosën të largohen edhe nga shtëpia e tyre në zonën e ish-Kënetës për t’u zhvendosur në një banesë me qira në të njëjtën zonë. Aktualisht, në banesë nuk ndodhet askush, ndërsa policia vijon kontrollet në bashkëpunim dhe me policinë e Kukësit dhe rrethet kufitare për të gjetur fëmijën dhe gjyshen dhe fëmijën.

Continue Reading

Aktualitet

Protesta para bashkisë Tiranë/ Reagon dhe delegacioni i BE: Dënojmë fort dhunën

Pas ambasadës amerikane, për protestën e opozitës përpara Bashkisë së Tiranës ka reaguar edhe delegacioni i BE-së.

Delegacioni i Bashkimit Europian ka dënuar dhunën në këtë protestë. BE shprehet se akte të tilla dhune nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protesta paqësore.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete ndezëse të improvizuara në godinën e bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagim.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete ndezëse të improvizuara në godinën e bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagim.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING