Sport
Një komb, dy ekipe, një ëndërr/ Shqipëria dhe Kosova luajnë sot, sytë e një kombi në Varshavë e Bratisllavë
Ka çaste kur futbolli pushon së qeni thjesht lojë. Ai kthehet në ndjenjë, në histori, në identitet, në krenari.
Pikërisht një moment i tillë është ky për Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat ndodhen në prag të sfidave më të mëdha të historisë së tyre, në gjysmëfinalet e play-off-it të Kupës së Botës.
Dy kombëtaret e një kombi, të ndarë padrejtësisht nga historia, i bashkon një ëndërr e vetme: të dëgjojë himnin në skenën më të madhe të futbollit botëror, në verën e Amerikës së Veriut.
Për Shqipërinë, kjo është një thirrje për historinë. Pas emocioneve të përjetuara në dy Kampionate Evropiane, kuqezinjtë ndodhen përballë një sfide që mund të ndryshojë gjithçka.
Dueli në Varshavë ndaj Polonisë nuk është vetëm një ndeshje, është një provë karakteri dhe më shumë. Është momenti për të kaluar kufirin e ëndrrës dhe për të hyrë në realitetin e Kupës së Botës.
Në anën tjetër, për Kosovën, çdo hap është një histori më vete. Një rrugëtim i shkurtër në vite, por i gjatë në sakrifica. Një kualifikim në Botëror nuk do të ishte thjesht sukses sportiv, do të ishte një çast identitetar, një flamur që ngrihet më lart se kurrë, një zë që i tregon botës: “Ne jemi këtu”.
Ndaj, një fitore ndaj Sllovakisë në Bratisllavë do të ishte shumë më tepër se një rezultat pozitiv, do të ishte një moment kthese historike, që do t’i ngjiste “Dardanët” mes përfaqësueseve më sensacionale të futbollit evropian në vitet e fundit.
Marsi mbart një peshë të veçantë në historinë e Kosovës dhe ndoshta fati mund të jetë në anën e tyre, duke i dhënë skuadrës së Franco Foda-s një shtysë ndryshe drejt një arritjeje historike.
Në këtë fazë, nuk bëhet fjalë vetëm për 90 minuta lojë. Bëhet fjalë për një ëndërr të përbashkët, për krenarinë e një populli dhe për një mundësi që mund të mbetet përgjithmonë në histori.
Rrugëtimi i Shqipërisë drejt play-off-it
Kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho e nisën rrugëtimin në kualifikueset e Kupës së Botës me një humbje 2-0 ndaj Anglia në “Wembley”.
Reagimi erdhi menjëherë: Shqipëria la pas zhgënjimin dhe triumfoi bindshëm 3-0 ndaj Andorrës në Tiranë.
Megjithatë, rruga e kuqezinjve u komplikua me dy barazime radhazi: 0-0 në shtëpi ndaj Serbisë dhe 1-1 në transfertë kundër Letonisë.
Skuadra reagoi sërish në momentin e duhur, duke regjistruar tre fitore minimale 1-0 ndaj Letonisë, Serbisë dhe Andorrës. Kulmi erdhi në Leskovc, ku një gol i Rey Manaj ndaj Serbisë përbënte një hap të madh drejt sigurimit të play-off-it.
Më pas, ishte Kristjan Asllani ai që vulosi kualifikimin me golin vendimtar në transfertën ndaj Andorrës.
Ndeshja e fundit në grup solli përballjen e dytë me “Tre Luanët”, këtë herë në Tiranë, por me të njëjtin rezultat si në Londër: humbje 0-2 ndaj Anglisë. Një rezultat që mbeti thjesht statistikë, pasi objektivi madhor, kualifikimi në play-off, ishte arritur tashmë.
Kuqezinjtë përfunduan në vendin e dytë në Grupin K me 14 pikë. 10 pikë pas Anglisë kryesuese dhe 1 pikë mbi Serbinë.
Rrugëtimi i Kosovës drejt play-off-it
Edhe Kosova nuk e nisi mbarë rrugëtimin drejt play-off-eve të Kupës së Botës. “Dardanët” pësuan një humbje të rëndë 4-0 në transfertë ndaj Zvicrës në ndeshjen hapëse.
Megjithatë, trajneri Franco Foda dhe stafi i tij reaguan shpejt, duke rikthyer ekuilibrin në skuadër. Kosova u përgjigj menjëherë me një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri”, duke u pozicionuar si një nga pretendentet kryesore në grup.
Pas këtij suksesi, erdhi një barazim pa gola 0-0 ndaj Sllovenisë, sërish në shtëpi. Më pas, “Dardanët” treguan forcën e tyre në transfertë, duke marrë dy fitore radhazi: fillimisht 0-1 ndaj Suedisë dhe më pas 0-2 ndaj Sllovenisë.
Deri në ndeshjen e fundit, Kosova mbeti në garë për vendin e parë, në një duel të drejtpërdrejtë me Zvicrën. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, takimi në Prishtinë përfundoi në barazim 1-1, rezultat që i la helvetët në krye të grupit me 14 pikë, tre më shumë se Kosova.
Poloni – Shqipëri dhe Sllovaki – Kosovë
Më 26 mars, ora 20:45, zemrat e shqiptarëve do të rrahin më fort se kurrë. Nga Tirana në Prishtinë, nga Mali i Zi në Maqedoninë e Veriut e deri në çdo cep të diasporës, sytë do të ndahen mes dy stadiumeve, atë të Varshavës dhe atë të Bratisllavës. Dy ndeshje në të njëjtën kohë, dy beteja jetike, dy mundësi për histori.
Shqipëria zbret në fushë për përballjen e 16-të ndaj Polonisë, një rival që historikisht nuk ka qenë i favorshëm. Dhjetë humbje në 15 ndeshje tregojnë vështirësinë e këtij dueli, por futbolli jeton me kujtesë të shkurtër, dhe kujtimi i fundit është i ëmbël për kuqezinjtë. Fitorja 2-0 në vitin 2023 në Tiranë nuk ishte thjesht një rezultat, por një ogur që çoi drejt kualifikimit në UEFA Euro 2024.
Nëse Shqipëria arrin të kalojë Poloninë, atëherë kuqezinjtë do të përballen në finalen e play-off-it më 31 mars me fituesin e çiftit Suedia – Ukraina.
Historia me suedezët tregon një bilanc jo shumë të favorshëm për Shqipërinë: në gjashtë përballje direkte, katër janë fituar nga Suedia, një është mbyllur në barazim dhe vetëm një fitore ka shkuar për kuqezinjtë.
Ndërkohë, një duel ndaj Ukrainës do të ishte i nënti në histori për Shqipërinë.
Statistikat janë sërish në anën e kundërshtarit, pasi në tetë takimet e mëparshme, gjashtë janë fituar nga ukrainasit, një ka përfunduar në barazim dhe vetëm një ndeshje është fituar nga Shqipëria.
Në të dyja rastet, kuqezinjtë do të përballeshin me kundërshtarë të fortë dhe me traditë, por njëkohësisht do të kishin shansin të shkruanin histori në rrugën drejt Kupës së Botës.
Në anën tjetër, Kosova përballet me një kundërshtar më pak të njohur si Sllovakia, por me besimin e një skuadre që ka treguar se di të sfidojë këdo.
“Dardanët” kanë dëshmuar mungesë frike përballë emrave si Suedia, Sllovenia dhe Zvicra, ndërsa tani skuadra e drejtuar nga Franco Foda duket gati për një tjetër provë të madhe.
Nëse arrijnë të triumfojnë në transfertën sllovake, Kosova do të luajë finalen e 31 marsit në shtëpi, në “Fadil Vokrri”, përballë njërës prej Turqisë ose Rumanisë.
Bilanci historik ndaj Turqisë nuk është në favor të “dardanëve”, pasi në tre përballje të mëparshme kanë pësuar po aq humbje. Edhe ndaj Rumanisë statistikat janë kundër: në katër takime, tre fitore kanë shkuar për rumunët, ndërsa një ndeshje është mbyllur në barazim.
Kujtojmë se përballja e fundit mes Kosovës dhe Rumanisë, më 15 nëntor 2024 në Bukuresht, u ndërpre pasi lojtarët e Kosovës braktisën fushën për shkak të thirrjeve raciste dhe anti-shqiptare nga tifozëria vendase. Si përfundim, ndeshja u vendos në tavolinë me rezultatin 3-0 në favor të Rumanisë, një episod që shton edhe më shumë ngarkesën emocionale në një përballje të mundshme mes dy ekipeve.
Shqipëria dhe Kosova i njohin rivalët e mundshëm në Kupën e Botës
Teksa përgatiten për gjysmëfinalet e play-off-it të Kupës së Botës, si Shqipëria ashtu edhe Kosova i kanë mësuar tashmë kundërshtarët e mundshëm në fazën finale të Botërorit.
Sipas shortit të hedhur në dhjetor, Shqipëria, nëse arrin kualifikimin, do të pozicionohet në Grupin F, së bashku me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.
Kuqezinjtë kanë një histori të shkurtër përballjesh me holandezët, ku në katër ndeshje kanë regjistruar një bilane total negativ. Ndërkohë, përballjet ndaj Japonisë dhe Tunizisë do të ishin të parat në histori për Shqipërinë.
Në krahun tjetër, Kosova, nëse arrin të sigurojë një vend në Botëror, do të jetë pjesë e Grupit D, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Paraguain dhe Australinë.
Për “dardanët”, të tre këta kundërshtarë do të ishin krejtësisht të rinj, pasi Kosova nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje më parë ndaj tyre, duke e bërë një eksperiencë historike dhe sfiduese në rast kualifikimi.
Një komb – dy ekipe – një ëndërr
Dhe tani, gjithçka reduktohet në një moment. Në një fishkëllimë të parë, në një top që nis të rrotullohet, në një ëndërr që pret të marrë formë.
Sepse futbolli ka këtë magji: në 90 minuta mund të përmbledhë vite sakrifice, zhgënjimi dhe shprese. Mund të shndërrojë lotët në buzëqeshje, pritjen në histori, besimin në realitet.
Për Shqipërinë dhe Kosovën, ky nuk është thjesht një kapitull i radhës. Është një prag. Një derë që, nëse hapet, i çon drejt historisë sportive.
Nga Varshava në Bratisllavë, nga çdo shtëpi shqiptare në çdo cep të botës, do të ketë një ndjenjë të vetme: shpresë. Një shpresë që nuk matet me statistika, as me histori përballjesh, por me zemrën që rreh më fort se kurrë.
Sepse në fund, futbolli nuk u përket gjithmonë më të fortëve. Ai u përket atyre që besojnë deri në fund. Dhe sot, një komb i tërë beson.