Bota
Inteligjenca amerikane ngre alarmin për kërcënim me dronë nga Kuba
Shtetet e Bashkuara po analizojnë një kërcënim të mundshëm të lidhur me përdorimin e dronëve luftarakë nga Kuba, sipas informacioneve të Inteligjencës amerikane të raportuara nga Axios.
Sipas këtyre të dhënave, Havana ka siguruar mbi 300 dronë ushtarakë dhe dyshohet se ka diskutuar skenarë të përdorimit të tyre kundër objektivave amerikanë në rajon.
Në qendër të shqetësimit amerikan janë objektiva të ndjeshëm si baza ushtarake e Guantanamos, anije amerikane në Karaibe dhe zona strategjike në Florida, përfshirë Key West-in, që ndodhet vetëm rreth 90 milje nga Kuba. Zyrtarë amerikanë e kanë cilësuar zhvillimin si pjesë të një tendence më të gjerë të përhapjes së teknologjisë së dronëve në duart e aktorëve që Washingtoni i konsideron armiqësorë.
Çështja ka marrë vëmendje të shtuar politike në Washington, ku drejtori i CIA-s dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë paralajmëruar Havana-n kundër çdo veprimi që mund të cilësohet agresiv ndaj Shteteve të Bashkuara. Paralelisht, administrata amerikane po shqyrton mundësinë e masave të reja sanksionuese ndaj Kubës, ndërsa tensionet mes dy vendeve mbeten të larta.
Në sfond të këtyre zhvillimeve qëndron edhe rivaliteti më i gjerë gjeopolitik mes SHBA-ve, Rusisë dhe Iranit, ku Karaibet po shihen gjithnjë e më shumë si një hapësirë e ndjeshme strategjike. Për Washingtonin, fakti që një vend si Kuba ndodhet kaq pranë territorit amerikan e rrit ndjeshëm peshën e çdo zhvillimi ushtarak në ishull
