Shkrime
Nga Venezuela te Groenlanda/ Ambicia e Donald Trump për një superperandori amerikane
Duke marrë një pushim të shkurtër nga lufta me Iranin këtë javë, Donald Trump publikoi një imazh ku Venezuela paraqitej si shteti i 51-të i SHBA-së, me hartën e vendit të mbuluar nga flamuri amerikan. Në pamje të parë dukej si një tjetër provokim tipik i Trumpit, por siç më kishte thënë dikur ish-avokati i tij personal, Michael Cohen: “Trump bën shaka, por në të vërtetë nuk bën kurrë shaka.”
Në stilin e tij karakteristik, Trump e përforcoi më tej mesazhin. Ai deklaroi për Fox News se po “shqyrtonte seriozisht” mundësinë që Venezuela të bëhej shteti i 51-të amerikan. Venezuela ka afro 29 milionë banorë dhe do të ishte shteti i tretë më i populluar në SHBA, pas Kalifornisë dhe Teksasit.
Duket se Trump nuk e ka marrë parasysh mundësinë që vetë venezuelianët mund të kundërshtojnë një aneksim të tillë. Në një intervistë me gazetaren amerikane Sharyl Attkisson, ai tha se SHBA-ja tashmë po ndihmonte në drejtimin e vendit. “Venezuela është shumë e lumtur tani. Më parë ishin të mjeruar. Tani janë të lumtur. Po qeveriset mirë.”, deklaroi ai.
Kërcënimi për të marrë Venezuelën nuk është thjesht një tjetër deklaratë provokuese e Trumpit. Në historinë amerikane ekziston një traditë e gjatë presidentësh që kanë zgjeruar territorin e SHBA-së përtej kufijve të saj. Pikërisht kështu Shtetet e Bashkuara morën formën që kanë sot. Por Trump po shkon më larg se çdo president para tij: Venezuela ndodhet rreth 2,250 kilometra larg territorit kontinental amerikan.
Gjatë mandatit të parë, Trump konsiderohej një izolacionist me sloganin “America First”. Sot, ai shihet gjithnjë e më shumë si një imperialist me të njëjtin slogan. Ky është versioni i tij i “Manifest Destiny”, ideologjia e shekullit XIX sipas së cilës amerikanët kishin një mision hyjnor për t’u zgjeruar drejt perëndimit.
Sipas këtij vizioni të ri, SHBA-ja do të shtrinte kontrollin në të gjithë hemisferën perëndimore. Steve Bannon, ish-këshilltari i Trumpit, e përshkroi këtë qasje me fjalët: “Çfarë mund të jetë më shumë ‘America First’ sesa Manifest Destiny 2.0?”
Këto deklarata mund të mos jenë vetëm retorikë politike. Edhe pse Trump duket i angazhuar me disa kriza njëkohësisht, kalimi i menjëhershëm nga një krizë te tjetra ka qenë gjithmonë një nga taktikat e tij politike. Një hetim i CNN zbuloi se fluturimet amerikane të mbledhjes së inteligjencës pranë brigjeve të Kubës janë shtuar ndjeshëm. Që nga shkurti janë regjistruar 25 misione të tilla me avionë dhe dronë, ndërsa më parë ato ishin shumë të rralla.
Sipas raportit, shtime të ngjashme të operacioneve të vëzhgimit u regjistruan edhe përpara ndërhyrjeve amerikane në Venezuelë dhe Iran më herët gjatë këtij viti. Të marra së bashku me deklaratat e Trumpit, këto zhvillime konsiderohen shqetësuese për regjimin kuban.
Nëse Trump do të arrinte të merrte Kubën, ai do të realizonte atë që idhulli i tij politik Andrew Jackson nuk arriti dot. Portreti i Jacksonit ndodhet sot në Zyrën Ovale me urdhër të Trumpit.
Para se të bëhej president, Andrew Jackson drejtonte Divizionin Jugor të Ushtrisë amerikane. Historiani Paul Johnson shkruan në librin A History of the American People se Jackson i kishte premtuar presidentit James Monroe se do ta pushtonte Kubën nëse i jepej një fregatë. “Do t’jua siguroj Kubën brenda pak ditësh,” kishte deklaruar ai. Monroe e refuzoi kërkesën.
Jackson kishte pushtuar tashmë Floridën, e cila në atë kohë ishte nën kontrollin spanjoll. Ai zhvilloi një luftë të pashpallur, duke anashkaluar Kushtetutën amerikane, e cila përcakton se vetëm Kongresi mund të shpallë luftë ose paqe. Megjithatë, Kongresi i vitit 1819 nuk e ndëshkoi, por përkundrazi legjitimoi më pas marrjen e Floridës.
Sipas autorit të artikullit, kjo është edhe metoda që Trump ka ndjekur në Venezuelë dhe Iran: vepro fillimisht dhe sfido Kongresin të kundërshtojë, duke llogaritur se ai nuk do ta bëjë.
Kjo mund të jetë mënyra se si Trump synon të marrë edhe Kubën. Sot ai ka versionin e tij të Doktrinës Monroe, të cilën e quan “Doktrina Donroe”. Doktrina Monroe e shekullit XIX paralajmëronte fuqitë europiane të mos kolonizonin më Amerikën Latine, duke e konsideruar hemisferën perëndimore si zonë influence amerikane.
“Doktrina Donroe” shihet si një version shumë më agresiv i saj dhe sipas këtij interpretimi, “oborri” amerikan shtrihet deri në Groenlandë.
Stephen Miller, një nga këshilltarët më të afërt të Trumpit, e shpjegoi këtë qasje në një intervistë të debatueshme për CNN, menjëherë pasi Trump urdhëroi rrëmbimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro. Miller minimizoi konceptet e sovranitetit kombëtar dhe vetëvendosjes, duke i quajtur ato “formalizma ndërkombëtare”.
“Jetojmë në botën reale, një botë që drejtohet nga forca, pushteti dhe fuqia. Këto janë ligjet e hekurt të botës,” deklaroi ai.
Në të njëjtën intervistë, Miller sugjeroi se administrata Trump mund ta detyronte lehtësisht Danimarkën të hiqte dorë nga Groenlanda. “Askush nuk do të hyjë në luftë me Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e Groenlandës,” tha ai.
Politikani danez Rasmus Jarlov reagoi ashpër, duke e akuzuar Millerin se kishte “mentalitetin e një përdhunuesi”. Megjithatë, sipas autorit, Miller thjesht po shprehte logjikën klasike të kolonializmit të shekullit XIX.
Në atë periudhë, SHBA-ja mori me forcë Floridën, Teksasin, Kaliforninë, Nju Meksikon, Nevadën, Jutën, Arizonën dhe pjesë të Kolorados e Wyomingut. Alexander Hamilton kishte ëndërruar zgjerimin amerikan në gjithë Amerikën Latine, ndërsa presidenti Woodrow Wilson pushtoi dy herë Meksikën në shekullin XX.
Por sot është shekulli XXI dhe rendi ndërkombëtar ka ndryshuar. Karta e Kombeve të Bashkuara e vendos vetëvendosjen e popujve në qendër të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, Donald Trump njihet për shpërfilljen ndaj normave ndërkombëtare. Ai e ndërtoi pasurinë e tij në tregun e pasurive të paluajtshme në Nju Jork dhe vazhdon të mendojë në të njëjtën logjikë biznesi. Ai ka folur për “blerjen” e Groenlandës ose për ta bërë Kanadanë të bashkohet me SHBA-në përmes një marrëveshjeje “të leverdishme”.
Në praktikë, negociatat bëhen shumë më të lehta kur pas tyre qëndron fuqia ushtarake amerikane. Kjo është diplomacia e tipit: “Do t’ju bëjmë një ofertë që nuk mund ta refuzoni.”
Trump ka deklaruar më parë se do të ishte “ide e mirë” që fytyra e tij të gdhendej në malin Rushmore. Shtimi i një ose dy shteteve të reja në Union mund ta afronte edhe më shumë me këtë ambicie simbolike.
Dhe nëse Venezuela, Kuba, Groenlanda, Kanadaja apo Panama nuk duan të bëhen yje të rinj në flamurin amerikan, sipas autorit, ambiciet e Trumpit mund të shkojnë edhe më larg.
Në fjalimin e tij të dytë inaugurues, hartuesit e fjalimit i përfshinë një referencë ndaj “Manifest Destiny”, menjëherë përpara premtimit për të vendosur flamurin amerikan në Mars.
“Do ta ndjekim fatin tonë të manifestuar deri në yje,” deklaroi Trump.
“Drejt pafundësisë dhe përtej saj”, mungesa e ambicies nuk ka qenë kurrë problemi i Donald Trump./Përshtatur nga “Pamfleti”
