Connect with us

Politike

Malaj rrëfehet për Ramën: Eshtë viktimë e përbindshave të tij, ka karizëm, por nuk di të bëjë shtet

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka komentuar figurën politike të kryeministrit Edi Rama.

Teksa ka folur për njohjen e tij të hershme me Ramën, Malaj kujtoi momentin kur kishte shkuar për ngushëllim në familjen e tij pas ndarjes nga jeta të të atit, së bashku me Fatos Nanon dhe Ben Blushin.

Ai u ndal edhe te mënyra se si Rama u bë pjesë e politikës aktive. Malaj tregoi se ish-kryeministri Fatos Nano kishte zakon të afronte në ekip njerëzit që e kritikonin, duke u kërkuar të jepnin alternativa konkrete.

Sipas tij, fillimisht në dekretin për postin e ministrit të Kulturës ishte emri i Luan Ramës, por më pas Nano ndryshoi vendim dhe përzgjodhi Edi Ramën.

“Nano tha: ‘Ramën e lashë, po hoqa vetëm Luanin’”, u shpreh Malaj.

Gjatë intervistës, ish-ministri socialist shprehu edhe rezervat e tij për mënyrën sesi Edi Rama drejton vendin.

“Ka emocion dhe karizëm, por nuk e njeh shtetin. Nuk pranon të këshillohet nga njerëzit këtu dhe mbështetet verbërisht te këshilltarët e huaj”, deklaroi ai.

“E kam njohur për herë të parë fizikisht kur i vdiq i ati dhe ne shkuam me Nanon atje, bashkë me Ben Blushin. Ishim një grup në shtëpinë e tij për ta ngushëlluar. Pastaj erdhi momenti se si u fut në politikë. Nano kishte një teori për të gjithë ata që e kritikonin, edhe me të drejtë: ‘Në vend që të kritikoni, më thoni si bëhet, hajdeni’. Kjo ishte teoria që ai thoshte gjithmonë. Edhe Rama, mesa duket, ra dakord.

Ka edhe një detaj interesant: dekreti që ishte mbi tavolinë për t’u firmosur nga Nano kishte emrin e Luan Ramës për ministër Kulture, por mesa duket Rama ra dakord dhe Nano tha: ‘Ramën e lashë, po hoqa vetëm Luanin’.

Me Ramën kam pasur një mendim që ia kam thënë edhe Nanos dhe po e them edhe publikisht: për mua nuk ka asnjë qelizë shtetformuese. Ka emocion, ka karizëm, por nuk e njeh shtetin. Nuk pranon të këshillohet, denigron këshilltarët e brendshëm dhe beson në mënyrë të verbër këshilltarët e huaj. Rama është viktimë e përbindëshave të tij të brendshëm”, tha Arben Malaj për “Euronews Albania”.

Advertisement