Connect with us

Shkrime

Pikat e përmbysjes/ Ukraina dhe teli me gjemba që rrethon vitin e katërt të luftës me Rusinë

Edhe pse Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina bien dakord se një marrëveshje për t’i dhënë fund gati katër viteve luftë në shkallë të plotë është më afër se kurrë, disa çështje thelbësore vazhdojnë të kërcënojnë seriozisht arritjen e një paqeje.

Presidenti amerikan Donald Trump i ka quajtur këto pengesa “një ose dy çështje shumë të vështira dhe me gjemba”, që mund të përmbysin të gjithë procesin negociator.

Sipas planit 20-pikësh të propozuar nga Washingtoni, dy nga nyjat më problematike lidhen me territorin dhe me fatin e centralit më të madh bërthamor në Evropë, Zaporizhzhia, i cili ndodhet aktualisht nën kontrollin rus.

Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë flasin për negociata në “fazë finale”, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të konsultohet me liderët evropianë në Francë më 6 janar.

Megjithatë, mjafton një nga këto çështje të pazgjidhura për ta rrëzuar të gjithë marrëveshjen.

Donbasi, zemra industriale e Ukrainës dhe kërkesa maksimale e Putinit

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka lëvizur nga kërkesa e tij maksimale për të pasur nën kontroll të gjithë Donbasin, rajonin industrial në lindje të Ukrainës. Aktualisht, forcat ruse kontrollojnë pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe rreth 75% të Donetskut, por Moska kërkon edhe qytetet kyçe Sloviansk dhe Kramatorsk, të cilat vazhdojnë të mbahen nga Ukraina.

Presidenti Zelensky ka refuzuar kategorikisht një tërheqje të njëanshme, duke theksuar se kjo bie ndesh me Kushtetutën dhe me interesin e qindra mijëra banorëve që jetojnë në këto zona.

Ai ka propozuar një kompromis: krijimin e një zone të çmilitarizuar ose një zone ekonomike të lirë, ku të dyja palët do të tërhiqnin trupat në mënyrë simetrike, ndërsa vija aktuale e kontaktit do të monitorohej nga forca ndërkombëtare.

Megjithatë, një skenar i tillë shihet si i papranueshëm për Moskën. Putin ka paralajmëruar se, nëse Kievi nuk pranon një zgjidhje “paqësore”, Rusia do ta zgjidhë çështjen “me mjete ushtarake”.

Analistët vlerësojnë se, edhe me ritmin aktual, Rusisë do t’i duheshin vite për të pushtuar pjesën e mbetur të Donetskut, çka hap mundësinë për kompromis, por pa garanci reale.

Centrali bërthamor i Zaporizhzhias, një tjetër nyje kritike

Që nga marsi i vitit 2022, centrali bërthamor i Zaporizhzhias ndodhet nën kontrollin rus. Reaktorët janë të fikur dhe centrali mbijeton falë energjisë së furnizuar nga Ukraina për të shmangur një aksident bërthamor.

Sipas Zelenskyt, propozimi amerikan parashikon që centrali të menaxhohet nga SHBA-të si një sipërmarrje e përbashkët me Rusinë dhe Ukrainën.

Kievi e ka cilësuar këtë ide jorealiste dhe ka sugjeruar një menaxhim të përbashkët SHBA-Ukrainë, me ndarje 50 me 50 të kontrollit dhe të shpërndarjes së energjisë.

Nga ana tjetër, autoritetet ruse këmbëngulin se vetëm Rusia mund ta menaxhojë centralin në mënyrë të sigurt. Edhe pse janë shprehur të hapur për bashkëpunim ndërkombëtar në furnizimin me energji, mungesa e besimit mes palëve e bën çdo kompromis jashtëzakonisht të vështirë.

Mungesa e besimit, pengesa kryesore

Retorika pozitive nuk e fsheh mungesën e thellë të besimit mes Kievit dhe Moskës.

Zelensky ka deklaruar hapur se nuk i beson Putinit dhe nuk e sheh atë si të interesuar për paqe reale.

Nga ana tjetër, Rusia akuzon Ukrainën për provokime dhe sulme, akuza që Kievi i mohon, duke i cilësuar si pretekste për goditje të reja ruse.

Garancitë e sigurisë, dëmshpërblimet dhe NATO

Ukraina kërkon garanci të forta sigurie nga SHBA-të dhe Evropa, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, si dhe ruajtjen e një ushtrie të fuqishme. Rusia kundërshton çdo prani ushtarake evropiane në territorin ukrainas.

Një tjetër çështje është dëmshpërblimi financiar për dëmet e luftës, të vlerësuara në rreth 800 miliardë dollarë. Perëndimi diskuton përdorimin e aseteve ruse të ngrira në Evropë, por Moska e refuzon këtë ide.

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO mbetet i papranueshëm për Rusinë, ndërsa integrimi në BE është një proces afatgjatë dhe me pengesa të shumta.

Referendumi, një tjetër pikë përplasjeje

Zelensky ka theksuar se çdo marrëveshje duhet të miratohet nga populli përmes referendumit, pas një armëpushimi 60-ditor.

Kremlini e sheh këtë si një manovër që do ta zgjasë konfliktin, ndërsa Trump ka shprehur mirëkuptim për shqetësimin rus.

Pa një votë popullore, Zelensky beson se çdo marrëveshje do të ishte e brishtë dhe pa legjitimitet, duke shtuar edhe një tjetër “çështje me gjemba” në një proces tashmë tejet kompleks.

Edhe në vitin 2026, sytë e botës do të mbeten nga Ukraina dhe Evropa ende nuk ka në dorë rolin negociues – mbetet vëzhguese për të ardhmen e vet krejtësisht të pasigurt.

Advertisement