Connect with us

Aktualitet

Artan Hoxha: Grupet e mëdha kriminale kanë zbarkuar në Sarandë, po investojnë në apartamente, hotele dhe ndërtime

Gazetari investigativ Artan Hoxha, gjatë intervistës me gazetarin Flamur Vezaj, ka analizuar situatën kriminale në Sarandë, duke deklaruar se qyteti është kthyer në një zonë tërheqëse për grupet e fuqishme të krimit të organizuar.

Sipas Hoxhës, zhvillimi i turizmit, rritja e çmimeve të pronave dhe investimet strategjike kanë bërë që Saranda të tërheqë jo vetëm biznesmenë të ligjshëm, por edhe persona të lidhur me botën e krimit.

“Saranda është bërë një zonë shumë joshëse. Me rritjen e investimeve, të planeve zhvillimore dhe ardhjen e investitorëve strategjikë, aty janë sulur edhe grupet kriminale”, deklaroi Hoxha.

Ai shpjegoi se mënyra e veprimit të këtyre grupeve ka ndryshuar me kalimin e kohës. Fillimisht, sipas tij, ata kanë blerë lokale dhe apartamente, më pas hotele, ndërsa sot janë shndërruar në aksionerë, investitorë dhe ndërtues.

“Fillimisht blejnë ambiente dhe apartamente, më pas hotele, pastaj marrin aksione dhe në fund shfaqen si investitorë e ndërtues”, tha gazetari investigativ.

Hoxha theksoi se në Sarandë nuk bëhet fjalë më për grupe të vogla lokale, por për organizata të fuqishme të ardhura kryesisht nga Tirana, të cilat po përplasen për kontrollin e territorit dhe të investimeve.

Sipas tij, një tregues i kësaj situate është edhe seria e ngjarjeve të rënda kriminale, zhdukjet e pazbardhura dhe sulmet me eksploziv të regjistruara gjatë viteve të fundit.

“Eksplozivi nuk ka qenë stili i Sarandës. Kjo tregon se aty ka hyrë një tjetër lloj grupi, një grup shumë më i fuqishëm. Ata që po i kryejnë këto ngjarje nuk janë vendas”, u shpreh Hoxha.

Duke u ndalur te mënyra e realizimit të një prej atentateve të fundit, Hoxha tha se autorët kishin përdorur një motor, të cilin më pas e kishin djegur plotësisht, përpara se të largoheshin nëpërmjet rrugëve detare.

Sipas tij, autorët kishin shmangur daljet tokësore, pasi Saranda ka pak akse hyrëse dhe dalëse, të cilat monitorohen nga kamera sigurie me rezolucion të lartë.

“Me kamerat që ndodhen në hyrje dhe në dalje të Sarandës mund të identifikohet edhe targa e automjetit. Për të mos u zbuluar, autorët kanë shmangur rrugën tokësore dhe janë larguar nga deti”, deklaroi ai.

Për Hoxhën, organizimi i atentatit, djegia e mjetit dhe sigurimi i largimit nëpërmjet detit dëshmojnë se pas ngjarjes qëndron një grup me aftësi të larta logjistike dhe financiare.

“Kush mund ta realizojë një ngjarje të tillë? Jo një grup i vogël. Organizimi ka qenë shumë i mirë”, përfundoi Artan Hoxha në intervistën me Flamur Vezajn.

 

Advertisement