Politike
Meta nga qelia kundër reformës territoriale: Rama po shpopullon vendin
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga qelia lidhur me protestën e banorëve të Poliçanit kundër propozimit për Reformën Territoriale, që parashikon shkrirjen e bashkisë së tyre dhe bashkimin me Bashkinë Berat.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Meta ka ngritur shqetësimin për distancat që, sipas tij, do të duhet të përshkojnë banorët e zonave rurale për të marrë shërbime administrative, duke përmendur veçanërisht banorët e Tërpanit, Cukalatit dhe Kutallisë.
“Si mund të shkojë një qytetar nga Tërpani, Cukalati apo Kutallia të bëjë 2 orë rrugë për të marrë një shërbim në Berat?”, shkruan Meta, duke kundërshtuar idenë e përqendrimit të shërbimeve në njësi më të mëdha vendore.
Reagimi i Metës:
Poliçani ka një popull të mrekullueshëm, ku dhuna dhe arbitrariteti marrin gjithmonë përgjigjen që meritojnë!
Poliçani ka një popull të jashtëzakonshëm ku pabesia nuk shpërblehet por ndëshkohet!
Poliçani edhe 34 vite më parë u tregoi të gjithëve se vetëm dialogu është rruga e zgjidhjes së problemeve, përndryshe dhuna dhe shtypja përfundojnë nën këmbët e popullit të Poliçanit.
Si mund të poshtërosh një popull që bën sikur e dëgjon dhe një zëri që thotë se duam të jemi bashki dhe pabesisht t’i bësh fakt të kryer shkrirjen e tij me bashkinë e Beratit, e cila ka “shkëlqyer” gjatë “Rilindjes” vetëm për betonizimin e qendrës së Beratit duke i çuar edhe temperaturat në ekstrem.
Si mund të shkojë një qytetar nga Tërpani, Cukalati apo Kutallia të bëjë 2 orë rrugë për të marrë një shërbim në Berat?
Prandaj të gjithë duhet të përkrahin platformën e opozitës me 100 njësi vendore, si e vetmja rrugë që garanton decentralizimin dhe shërbimin pranë qytetarëve dhe që i jep fund shpopullimit.
Për Edi Ramën, pushteti vendor është centralizim, betonizim, fashistizim dhe shpopullim.