Shkrime
Pse Edi Rama kërkon një rol edhe në vdekje?
Ishte argëtuese dhe e dhimbshme, për shembull, të shihje se si mediat, më të zëna me gossipin e homazheve se me vdekjen e ish-Kryeministrit, bënin lamsh gratë në funeral. Herë e raportonin ish-bashkëshorten pjesëmarrëse, e herë jo; herë nxirrnin V. Nushin si Rexhinë, e njëherë tjetër, Sh. Ngjelën. Sigurisht, për të gjitha gjërat që lidhen me Bllokun Social-Komunist, duhet të hapësh Dritaren e Xhungës dhe Hilës: që nga Nexhmija e këtej, çdo gjë për vejushat e së majtës, i gjen të sakta, si një dënim me vdekje i Enverit, vetëm aty!
Pasë zgjidhur këtë, grotesku shkëlqente kur portalet e së majtës, më shumë se përshpirtje për të ndjerin, qëmtonin në jetën e tij hijen e kryearmikut të tyre, Sali Berishës.
Ngjante sikur Nano nuk kish ndërruar jetë në shtratin e spitalit, por aty e kishte çuar të vdekur, mbi supe, Flamur Noka, pasi i kish mbetur në dorë Sali Berishës, zemërplasur për vitet e burgut, gjatë një darke me verë e kujtime, ku kishte triumfuar sërish ‘rrengu’ i Doktorit.
Cezari socialist dhe Bruti demokrat ishin, edhe njëherë, përballë në Forumin e PisMiletit, dhe çdo qytetar i internetit me një llogari në social-media, bënte si Mark Antoni.
Berisha, me siguri, nuk shqetësohet, sepse ai duhet të ketë bërë tashmë të vetën thënien epike të Xhulio Andreotit: në këtë vend më fajësojnë për çdo gjë… që nga Luftrat Punike e këtej.
Por, çdo tragjikomedi kërkon një vajtojcë që të përmbyllet dhe t’i paraprijë korit para se të ulet perdja.
Ka kohë që këtë rol e merr përsipër Edi Rama, Kryeministri dv. Në Veri, në vdekjet me njëfarë peshe, një djalë në lule të moshës, apo një bajraktar, pajtohen një grup vajtojcash dhe gjamtarësh. Ata, jo vetëm i japin kuptim një vdekje të pakuptim, por zëvendësojnë këngën e munguar për malësorin e shtrirë në dërrasën e mortit.
Në kërkim të një roli që i përfshin të gjitha rolet, vargëtarin, këngëtarin, lahutarin, bajrakatarin, pagatarin, taksidarin, Edi Rama ka filluar të shfaqet nëpër vdekjet e mëdha si kryegjamtar apo kryevajtojcë. E mori këtë rol përsipër me Kadarenë, të cilit i lexoi eulogjinë, por nuk ia gjeti varrin.
Nuk mënoi edhe me Nanon, me të cilin kish një histori të parehatshme, po aq sa një ceremoni mortore. Megjithatë, ai u shfaq, krykreje me të zeza, pikëllimin si klepsidër që e kthen në cilën anë të duash, dhe e pllakosi vdekjen e tjetrit me hijen e fjalimit të vet.
Për Kadarenë u tha se ia kishte kërkuar Helena, por pati edhe zëra të ligj që thonë se ai e rrëmbeu eulogjinë në këmbim të sharteve të një varri në ‘Kapitol’.
Për këtë të Nanos diçka duhet të dijë Xhoana…ose dritarja e vejushave të Bllokut Social-Komunist.
Në fund, diçka edhe për demokratët. Edhe ata i shtojnë fandaksje tragjikomedisë. Kur nuk e kuptojnë, se më të vdekurin nuk luftohet më, dhe ka ardhur koha e paqes. Të kuptohemi: koha e paqes me veten më së pari. T’a marrë e mira: në buzë të varrit, tonin apo të dikujt tjetër, është bekim i madh ta gjesh paqen!
Nëse jo, aq më pak do ta fitosh pas vdekjes, betejën apo inatin me kundërshtarin