Kosova
Qeveria e krahut të djathtë në Çeki pranon pafuqinë për “çnjohjen” e Kosovës
Qeveria e krahut të djathtë në Çeki pranon pafuqinë për “çnjohjen” e Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, Petr Macinka, i cili vjen nga “Motoristët” e krahut të djathtë, ka konfirmuar se qeveria pro-ruse çeke nuk do të bëjë asnjë lëvizje që ai e cilësoi “teatrale” për të ndryshuar realitetin e njohjes së Kosovës.
Takimi në Pallatin Černín në Pragë me homologun e tij serb, Marko Gjuriç, nuk arriti të lëkundë pozicionin zyrtar të Çekisë ndaj shtetësisë së Kosovës, ndonëse ministri çek tentoi të relativizojë vendimin historik të Pragës në maj të vitit 2008.
“Unë i kuptoj argumentet e palës serbe dhe diskutimi i sotëm konfirmoi atë që kam menduar për këtë çështje për një kohë të gjatë. Së shpejti do të mbushen njëzet vjet që kur qeveria e atëhershme njohu pavarësinë e Kosovës. Unë mendoj se qeveria iu nënshtrua disa presioneve”, pretendoi Macinka gjatë konferencës me Gjuriçin.
Ai tentoi të godasë edhe figurën e ish-kryediplomatit çek, Karel Schwarzenberg, përmes aludimeve për lidhje me ishssekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila mban primatin si një prej arkitekteve kryesore të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Ndryshe, çështja e shtetësisë së Kosovës ka qenë herë pas here një temë që ka ndarë politikën e brendshme të Çekisë, ku politikanët çekë shpesh janë përplasur rreth qëndrimit të Pragës. Ajo është riaktualizuar pas rikthimit në pushtet të populistëve të djathtë, të cilët kanë dhënë sinjale se mund të shqyrtojë tërheqjen e njohjes së Kosovës.