Kosova
Kurthi i tunelit të krizës/ Kurti: Edhe pas zgjedhjeve të reja mund të na duhen sërish zgjedhje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar organizimin e një sërë zgjedhjeve parlamentare në pamundësi për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.
Në vlerësimin e tij shkuarja në zgjedhje të reja në këtë situatë nuk do të prodhonte asnjë zgjidhje të ri.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, meqenëse unë nuk e di se si mund të kemi 80 deputetë”, tha ai në një prononcim për media.
Prandaj, beson ai, deputetët e legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës e kanë të domosdoshme të merren vesh.
Ndër të tjera, Kurti ka folur edhe për pasojat financiare që vendi mund të ketë për shkak të organizimit të zgjedhjeve të reja.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja së paku 10 milionë euro ato kushtojnë për organizimin nga KQZ-ja. Nëse shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se nuk do të funksionojë Kuvendi do të humbim dhjetëra milionë euro si shtet”.
Duke komentuar kërkesat e partive opozitare se Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet ta ketë postin e presidentit, Kurti ka thënë se ata duhet të gjejnë një kandidat më të denjë se Glauk Konjufca.
“Glauk Konjufca i ka mbi 318 mijë vota. Kur dikush thotë që nuk bënë LVV-ja është duke thënë se nuk bënë Glauku, ju e dini që opozita ka mendim më të mirë për Glaukun se për mua. Nëse nuk e votojnë Glaukun pse nuk e propozuan asnjëherë ata ndonjë emër”.
Kanë mbetur edhe vetëm pesë ditë para përfundimit të afatit të Gjykatës Kushtetuese, e cila u kishte dhënë partive politike edhe 32 ditë shtesë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, para se vendi të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Të hënën, Kurti zhvilloi takimin e katërt me radhë me Abdixhikun, për çështjen e presidentit. Por as ky takim nuk solli rezultat, duke u mbyllur pa marrëveshje përfundimtare për këtë çështje.
Kurti deklaroi pas takimit se i ka ofruar LDK-së, në bashkëqeverisje me partnerët e tjerë, postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Në një ofertë tjetër, ai tha se i ka ofruar LDK-së edhe postin e kryetarit të Kuvendit.
“Unë kam preferuar që zëvendësi im të bëhet pikërisht Abdixhiku, dhe në këtë mënyrë të fillojmë një kapitull të ri bashkëpunimi mes LDK-së dhe LVV-së”, deklaroi Kurti.
Në anën tjetër, Abdixhiku u shpreh se nuk do të takohet më me Kurtin.
“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, u shpreh ai.