Connect with us

Kosova

Kriza politike në Kosovë/ Presidenti që s’duhet të jetë i askujt, por përfundon i dikujt

Në Kosovë, problemi nuk është se mungojnë emrat për president. Problemi është se mungon vullneti për një president që nuk i përket askujt.

Sa herë afrohet momenti i zgjedhjes, rikthehet i njëjti diskurs për një figurë unifikuese, mbi palët, përfaqësuese e shtetit. Dhe po aq shpejt, ky diskurs zëvendësohet me kalkulime partiake, ku emrat peshohen jo për kredibilitetin publik, por për besnikërinë politike.

Gjatë ditëve të fundit, kemi dëgjuar deklarata të shumta nga liderët e partive politike se presidenti duhet të jetë jopartiak. Këtë e tha së fundi edhe zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, në një deklaratë për media.

Por nëse një president jopartiak po kërkohet kaq shpesh në diskursin publik, atëherë pse bisedimet mes partive politike mbeten kaq të vështira? Nëse takimet thirren me idenë për të propozuar emra jashtë strukturave partiake, pse, me afrimin e afatit kushtetues, Lëvizja Vetëvendosje përfundon duke propozuar emra brenda radhëve të saj, ndërsa partitë opozitare nuk dalin me asnjë propozim konkret?

Megjithatë, ky diskurs bie ndesh me praktikën politike. Ideja për një president jopartiak në Kosovë nuk dështon për mungesë kandidatësh apo propozimesh, por sepse përplaset drejtpërdrejt me logjikën mbi të cilën funksionon politika vendore.

Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka pasur pesë presidentë. Në mesin e tyre, vetëm presidentja e tretë, Atifete Jahjaga, nuk ka qenë figurë e ndonjë partie politike. Ajo ishte kandidate konsensuale jopartiake, e përkrahur nga një marrëveshje politike mes Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re. Madje, në historinë e vendit, ajo mbetet e vetmja presidente që ka siguruar 80 vota në Kuvend për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Megjithatë, rrethanat politike të asaj kohe nuk janë më të njëjtat. Në vitin 2011, marrëveshja për një figurë jopartiake ishte rezultat i një momenti specifik politik, ku ekzistonte një hapësirë minimale për kompromis mes partive. Sot, kjo hapësirë duket dukshëm më e ngushtuar.

Sistemi politik aktual nuk jep sinjale se një model i ngjashëm mund të përsëritet. Polarizimi mes partive është më i theksuar, ndërsa mungesa e besimit politik e bën pothuajse të pamundur konsensusin rreth një emri jashtë strukturave partiake. Në vend të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, debati për presidentin po zhvillohet brenda logjikës së përplasjes politike dhe kalkulimeve të brendshme partiake.

Në këtë kontekst, ideja për një president jopartiak duket më shumë si një formulë deklarative sesa një opsion real politik. Edhe kur përmendet si ideal, ajo nuk shoqërohet me hapa konkretë që do ta mundësonin një marrëveshje të tillë.

Prandaj, krahasimi me vitin 2011 shërben më shumë si referencë historike sesa si model i përsëritshëm. Kosova e sotme nuk ndodhet në të njëjtën fazë politike, dhe rrjedhimisht as në të njëjtat kushte për të prodhuar një figurë konsensuale jopartiake në krye të shtetit.

Presidenti, edhe pse me kompetenca të kufizuara në letër, mbetet një nyje e rëndësishme e ndikimit institucional. Ai dekreton, përfaqëson dhe ndërmjetëson. Në momente krize, roli i tij bëhet edhe më i dukshëm. Pikërisht për këtë arsye, partitë politike nuk janë të gatshme ta lëshojnë këtë pozicion jashtë kontrollit të tyre.

Në këtë kuptim, kërkesa publike për një president jopartiak bie ndesh me praktikën reale të ushtrimit të pushtetit. Një figurë vërtet e pavarur nuk i shërben interesit politik të asnjërës palë, pasi nuk garanton as ndikim të drejtpërdrejtë, as kontroll institucional. Në një sistem ku institucionet shpesh shihen si zgjatim i pushtetit politik, një president jashtë këtij rrethi perceptohet më shumë si rrezik sesa si vlerë.

Kjo qasje ushqehet edhe nga një nivel i thellë mosbesimi mes vetë partive. Edhe kur në diskurs publik përmenden emra “konsensualë”, ata rrallëherë trajtohen si të tillë në tavolinën e negociatave. Çdo figurë e pavarur lexohet përmes filtrit të dyshimit politik: “i afërt me kë është?”. Në këtë logjikë, neutraliteti nuk ekziston si kategori reale, vetëm si perceptim i kontestuar.

Por përtej kalkulimeve të momentit, problemi është më i thellë. Ai lidhet me mungesën e një kulture politike që e pranon kompromisin si vlerë, e jo si dobësi. Në shumë demokraci, presidenti jopartiak është rezultat i një marrëveshjeje që synon stabilitet institucional. Ndërsa në Kosovë, kompromisi shpesh shihet si dorëzim, ndërsa kontrolli si domosdoshmëri politike.

Pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për të nxjerrë një figurë jashtë logjikës partiake përfundon e bllokuar. Jo sepse është e pamundur në aspektin procedural, por sepse është e padëshiruar në aspektin politik.

Dhe derisa posti i presidentit të trajtohet si pjesë e balancave partiake dhe jo si simbol i shtetit, ideja për një emër jopartiak do të mbetet vetëm një formulim i përsëritur në deklarata publike. Në praktikë, ajo zëvendësohet vazhdimisht nga ajo që politika vendore e njeh më së miri: kontrolli dhe ndikimi.

Në këtë kuptim, Kosova nuk përballet me mungesë figurash jopartiake për president. Përballet me mungesë vullneti për t’i pranuar ato.

Advertisement