Bota
Seancë në Kongres: Angazhimi amerikan, i nevojshëm për zgjidhjen e problemeve të Balkanit
Ekspertë të Ballkanit i bëjnë thirrje administratës së ardhshme të drejtuar nga Joe Biden që të shtojnë vëmendjen ndaj Ballkanit dhe të bashkëpunojnë me Bashkimin Evropian për të zgjidhur problemet e mbetura në rajon. Ballkani ishte në qendër të një seance të Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, ishte edhe seanca e fundit për rajonin që drejtohej nga Kryetari i Komisionit, Eliot Engel që i ka kushtuar vëmendje Ballkanit për dekada me radhë.
Anëtarë të Kongresit amerikan, ish-zyrtarë dhe ekspertë të Ballkanit e vunë theksin tek sfidat e përbashkëta të rajonit dhe nevojën e angazhimit amerikan. Kryetari i Komisionit, demokrati Eliot Engel tha se Ballkani ka shënuar përparim, përfshirë në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.
“Megjithëse kemi bërë aq shumë, ende mbeten çështje të pambyllura jo vetëm në ato dy vende, por në të gjithë rajonin, gjë që kërkon udhëheqjen amerikane dhe bashkëpunim më të ngushtë me partnerët tanë evropianë”, tha zoti Engel.
Një nga këto çështje është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë dhe Kongresmeni Engel thotë se në thelb të saj është njohja e Kosovës.
“Ç’ka është më e rëndësishmja është që Serbia duhet të shohë përpara. Kosova është e pavarur. Nuk kthehet më kurrë. Sinqerisht, bllokimi i njohjes së Kosovës nga vende të botës dhe i anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara,veçse pengon Serbinë sepse kërkesa e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk do të miratohet derisa të njohë Kosovën”, tha zoti Engel.
Ndërsa zoti Engel theksoi se të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj luftës duhet të dënohen, ai shtoi se Serbia nuk po mbahet përgjegjëse.
“Duket se Serbia, pala përgjegjëse për shumicën e krimeve të luftës, nuk po përballet praktikisht me asnjë presion brenda vendit ose nga bashkësia ndërkombëtare për të vënë përgjegjësit para drejtësisë. Në të njëjtën kohë, Kosova, viktima e luftës, është e detyruar të krijojë një gjykatë hibride me një prokuror dhe gjykatës ndërkombëtare”, tha ai duke shtuar se nëse do të bëhej fjalë për një vend si Danimarka, do të mendonim se diçka është shumë gabim.
Madeleine Albright, ish-Sekretare amerikane e Shtetit, tha se ajo konsideron arritjet e saj më të mëdha, rolin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë.
Ajo tha se politika e jashtme e administratës së re drejtuar nga Joe Biden në Ballkan, duhet të mbështetet tek bashkëpunimi me Bashkimin Evropian. Ajo tha se kjo politikë e jashtme duhet të përfshijë luftën ndaj korrupsionit dhe një qasje rajonale jo ndaj vendeve veç e veç.
“Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja duhet të punojnë së bashku për të mbështetur iniciativat që ndihmojnë Kosovën, Bosnjën dhe të tjerët që të krijojnë lidhje ekonomike me Evropën dhe fqinjët, ndërsa inkurajojnë gjithashtu reformat e nevojshme politike”, tha ajo.
Lidhur me Kosovën, zonja Albright tha se ajo duhet të njihet ndërkombëtarisht, përfshirë të bëhet anëtare e OKB-së dhe theksoi se ky anëtarësim nuk duhet të bëhet subjekt i vetos nga Beogradi.
Daniel Serwer, profesor dhe drejtor i Programeve për Menaxhimin e Konflikteve dhe Politikës së Jashtme amerikane në Universitetit Johns Hopkins tha se parakushti thelbësor për zgjidhjen e problemeve të mbetura të Ballkanit është riangazhimi i Amerikës në rajon, në bashkëpunim me aleatët evropianë.
“Konkurrenca e fundit midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, i cili ka ka demonstruar se nuk mund ta bëjë punën e vetme, e pengoi progresin. Si pjesë e rikonfirmimit të tij në shkallë globale ndaj vlerave demokratike, Presidenti Biden duhet të konsultohet me Evropianët dhe të shpallë një vizion të përbashkët për rajonin e Ballkanit”, tha ai.
Angazhimi amerikan, i domosdoshëm për dialogun Kosovë-Serbi
Ai veçoi dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si çështje ku angazhimi më i madh amerikan është i nevojshëm, duke shtuar se synimi kryesor i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe shkëmbimi i ambasadorëve.
“Presidenti Biden dhe Kancelarja Merkel duhet ta bëjnë të qartë këtë qëllim dhe të bëjnë presion ndaj anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që të deklarojnë se do ta njohin Kosovën jo më vonë se Serbia. Anëtarësimi në OKB do të kërkojë që amerikanët të bindin Rusinë dhe Kinën të mos vendosin veto”, tha ai.
Edhe Janusz Bugajski, ekspert në Fondacionin Jamestown në Uashington tha se administrata Biden duhet të bindë këto 5 vende ta njohin Kosovën.
“Qëllimi i bisedimeve Serbi-Kosovë duhet të jetë krijimi i një harte për njohjen ndër-shtetërore. Kjo është zgjidhja e vetme e qëndrueshme që do t’i çlirojë të dyja vendet të ndjekin aspiratat e tyre drejt integrimit në BE dhe zhvillimit ekonomik. Dialogu pa një qëllim të qartë shpërqendron dhe paralizon të dyja palët”, tha ai duke rënë dakord me zotin Serwer se pa përfshirjen amerikane, BE është një bashkëbisedues më i dobët, më i përçarë dhe me më pak ndikim.
Zoti Bugajski tha se takimi në Shtëpinë e Bardhë në shtatorme udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës në Shtator ri-angazhoi Uashingtonin në dialog, por…
“SHBA nuk mund të përqendrohet thjesht tek faktorët ekonomikë dhe të neglizhojë vendimet kryesore politike dhe diplomatike. Marrëdhëniet ekonomike nuk do të normalizohen nëse marrëdhëniet politike dhe diplomatike mbeten anormale”, tha ai.
Përballja me ndërhyrjen e Rusisë, Kinës dhe Turqisë
Republikani më me peshë në Komision, Michael McCaul, tha se populli i Kosovës meriton të jetojë në një vend plotësisht të pavarur dhe demokratik që është plotësisht i integruar në komunitetin ndërkombëtar dhe Serbia duhet të demonstrojë se e sheh të ardhmen e saj në Perëndim. Ai shtoi se ai vend duhet të distancohet nga Rusia dhe Kina.
“Për fat të keq, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë përpiqen të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor që të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt, më të begatë dhe demokratike, regjimi i Putinit po ndjek një program me synime shkatërruese, duke krijuar ndasi dhe nxitur tensione etnike”, tha ai.
Ish-sekretarja e Shtetit Albright tha se e ndan shqetësimin për rolin e Rusisë.
“Pjesërisht ajo që po ndodh është se rusët po vënë në praktikë në Serbi, gjërat që po bëjnë në pjesë të tjera të Evropës qendrore dhe lindore, çka do të thotë se po punon për të minuar demokracinë atje dhe më pas për të shkëputur vendet nga të qenit pjesë e Perëndimit dhe po përdor taktikat e agjentëve të KGB-së”, tha ajo.
Analisti Serwer tha se administrata Biden dhe BE-ja duhet ta rrisin presionin ndaj Beogradit lidhur me ndërhyrjen ruse.
“Nëse Vuçiç vazhdon të preferojë autokracinë dhe animin me Rusinë dhe Kinën, amerikanët dhe evropianët do të duhet të presin ditën kur Serbia do të angazhohet për demokraci të vërtetë në vend dhe marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj”, tha ai.
Panelistët dhe anëtarët e Komisionit shprehën gjithashtu shqetësimin për ndërhyrjen e Turqisë në rajon dhe më gjerë në politikën e jashtme.
“Të mbarojmë punën e filluar”
Prof. Serwer, e pranon se Presidenti Biden do të ketë probleme më të mëdha se Ballkani, por shtoi se pak rajone në botë, premtojnë rezultate më të mira në këmbim angazhimit amerikan.
“Në bashkëpunim me evropianët, SHBA mund të shpëtojë sovranitetin dhe integritetin territorial të dy aleatëve të mundshëm – Kosovës dhe Bosnjës – dhe të ndihmojë Serbinë të shpëtojë nga trashëgimia e saj e autokracisë dhe luftës. Presidenti Biden duhet të mbështesë ata që janë të përgatitur për ta bërë Evropën të plotë dhe të lirë dhe t’u kundërvihet atyre që bllokojnë progresin”.
Seanca ishte e fundit që kongresmeni Engel mban lidhur me Ballkanin, para se të largohet nga Kongresi dhe të pasohet në drejtimin e Komisionit nga Gregory Meeks. Të gjithë folësit vlerësuan rolin e tij në dekada lidhur me rajonin. Në fund të fjalës së tij, zoti Engel bëri thirrje që të përfundohet puna që u fillua kur ai hyri për herë të parë në Kongres.
“Le të qëndrojmë me njerëzit e këtij rajoni. Dhe, le të udhëheqim komunitetin ndërkombëtar dhe të përfundojmë misionin për të futur çdo vend të Ballkanit në zemër të Evropës”, tha ai.