Connect with us

Kronike

Policia jep detaje për vrasjen në Sarandë/ Një i plagosur nuk ka shkuar në spital

Policia ka dhënë detaje mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e kësaj të enjteje në Sarandë ku u vra me armë zjarri biznesmeni Rexhep Ismaili.

Uniformat blu thonë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të Ismailit.
“Gjatë një konflikti mes disa personash, për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi Rezhep Ismaili, 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë” – thotë policia.

Sipas uniformave blu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.

“Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi L. T. ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. I. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.

Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes” – thuhet në njoftimin e policisë.

Advertisement