Connect with us

Bota

SHBA me ‘dorë të hekurt’/ Kush qëndron dhe kush dëbohet?

Shtetet e Bashkuara kanë nisur zbatimin e kufizime të reja në kufirin jugor të vendit.

Administrata thotë se ato synojnë të ndalojnë imigrantët të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, duke i inkurajuar ata që të aplikojnë për azil përmes një procesi të ri e të sigurt.

Ndryshimet vijnë me përfundimin e kufizimeve të lidhura me koronavirusit, falë të cilave autoritetet refuzuan për tre vjet kërkesat për azil. Kufizimet e kishin zanafillën në një ligj të vitit 1944, që mundëson frenimin e imigrimit, në emër të mbrojtjes së shëndetit publik. Ato u vendosën nga administrata e ish-presidentit Donald Trump në mars të 2020-s. Autoritetet gëzonin të drejtën të kthenin mbrapsht imigrantët në kufirin SHBA-Meksikë, nën arsyetimin e parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Para vendosjes së këtyre kufizimeve, migrantët mund të kalonin në mënyrë të paligjshme, të kërkonin azil dhe lejoheshin të hynin në territorin amerikan. Ata shpesh liroheshin në pritje të shqyrtimit të rastit të tyre.

Kufizimi i lidhur me pandeminë u dha zyrtarëve autoritetin t’u mohonin imigrantëve të drejtën për të kërkuar azil, gjë që gjatë tre viteve, ka ndodhur më shumë se 2.8 milionë herë. Por nga urdhri ekzekutiv përjashtoheshin familjet dhe fëmijët të cilët udhëtonin vetëm.

Megjithë kufizimet në fuqi, imigrantët vazhduan të hyjnë në territorin amerikan.

Pasi mori detyrën Presidenti Joe Biden i mbajti në fuqi kufizimet lidhur me pandeminë, po më pas në 2022-in, u përpoq t’i hiqte ato. Republikanët e hodhën në gjyq administratën, duke argumentuar se kufizimet ishin të nevojshme për sigurinë kufitare. Gjykatat vendosën pro mbajtjes së këtij urdhri ekzekutiv në fuqi. Në janar të vitit 2023, administrata e presidentit Biden njoftoi se po i jepte fund emergjencës kombëtare lidhur me pandeminë, gjë që i hapi rrugë edhe heqjes së kufizimeve në kufi.

Rregullat e reja

Kufizimet lidhur me pandeminë skaduan të enjten më 11 maj. Por administrata ka futur në fuqi një sërë rregullash të reja për të goditur kalimin e paligjshëm të kufirit. Administrata thotë se po përpiqet të ndalojë kontrabandistët, si dhe udhëtimet e rrezikshme e shpesh vdekjeprurëse, për imigrantët.

Pasojat pritet të jenë të ashpra. Imigrantët që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, nuk do të lejohen të hyjnë në territorin amerikan për pesë vjet dhe mund të përballen me ndjekje penale, nëse do të tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Sipas ligjit amerikan dhe atij ndërkombëtar, kushdo që hyn në Shtetet e Bashkuara ka të drejtë të kërkojë azil. Rastet e tyre shqyrtohen për të përcaktuar nëse ekzistojnë prova të besueshme se ata rrezikojnë të shndërrohen në viktima të persekutimit në vendin e tyre. Çështja më pas i kalon gjykatës së imigracionit, për të përcaktuar nëse ata mund të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, proces ky që mund të zgjasë me vite. Zakonisht shqyrtimi i çështjes bëhet ndërsa imigrantët lejohen të qëndrojnë të lirë brenda territorit amerikan.

Falë rregullave të reja administrata Biden po largon tashmë këdo që kërkon azil, e që nuk ka kërkuar fillimisht mbrojtje në një vend nëpër të cilin ka kaluar, përpara se të mbërrijë në territorin amerikan, ose që nuk ka aplikuar fillimisht në internet. Ky është një version i një vendimi të marrë nga administrata e zotit Trump, por që u rrëzua nga gjykatat. Disa minuta përpara hyrjes ne fuqi të rregullit të ri të administratës Biden, grupet që mbrojnë të drejtat e imigrantëve ngritën një padi me synimin për ta bllokuar atë.

Padia u paraqit në gjykatën federale në San Francisko nga Qendra për Studime Gjinore dhe mbi Refugjatët, si dhe grupe të tjera. Këta të fundit pretendojnë se administrata Biden përforcoi politikën e propozuar nga administrata Trump, të njëjtën politikë që është rrëzuar me vendim të gjykatës sikurse thonë ata. Por administrata Biden thotë se rregulli i saj i ri është tërësisht i ndryshëm nga ai i administratës pararendëse.

Kush lejohet të hyjë në SHBA?

Autoritetet amerikane kanë thënë se do të pranojnë deri në 30,000 vetë në muaj, nga Venezuela, Haiti, Nikaragua dhe Kuba, për sa kohë që ata vijnë me rrugë ajrore, kanë një person që del garant për ta i cili paguan për strehimin dhe aspektet financiare të tyre, dhe pasi të kenë aplikuar fillimisht online. Qeveria do të lejojë gjithashtu deri në 100,000 vetë nga Guatemala, El Salvadori dhe Hondurasi, të cilët kanë familjarë në Shtetet e Bashkuara, të cilët gjithashtu duhet të kenë aplikuar fillimisht online. Përndryshe zyrtarët do t’i deportojnë ata, duke përfshirë 30,000 mijë persona në muaj, të cilët kanë ardhur nga Venezuela, Haiti, Nikaragua dhe Kuba. Kthimi i tyre do të bëhet në rrugë tokësore përmes Meksikës.

Një kategori tjetër e imigrantëve që do të lejohet, janë ata që do të aplikojnë përmes “CBP One”, një aplikacion i Zyrës së Operacioneve në Terren, një agjenci federale e zbatimit të ligjit, përgjegjëse për menazhimin e operacioneve doganore. Tani për tani, vetëm 740 persona në ditë mund ta përdorin aplikacionin, një numër që po rritet në 1000 në ditë.

Çfarë ndodh me familjet e imigrantëve?

Familjet që kalojnë kufirin në rrugë të paligjshme do të jenë të detyruara të qëndrojnë të mbyllura brenda, sipas orareve të përcaktuara nga autoritetet. Kryefamiljari do të jetë i detyruar të mbajë një byzylyk për monitorim, të lidhur në kyçin e këmbës. Zyrtarët e imigracionit duhet të përcaktojnë brenda 30 ditësh nëse një familje mund të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara ose të deportohet. Por zakonisht procesi zgjat me vite.

Administrata Biden shqyrtoi fillimisht mundësinë e mbatjes së familjeve të imigrantëve në paraburgim, deri në përfundim të një shqyrtimi paraparak të rastit të tyre, por në vend të kësaj ajo zgjodhi që ata të qëndrojnë mbyllur nga ora 11 në darkë deri në 5 të mëngjesit. Praktika do të nisë të zbatohet së shpejti në Baltimorë, Çikago, Njuark, Nju Xhersi dhe Uashington, sipas një zyrtari amerikan i cili foli në kushte anonimiteti. Familjet që nuk do të paraqiten për intervista që lidhen me kërkesën e tyre për azil, do të deportohen.

Mbipopullimi i qendrave në kufi

Stacionet e Patrullës Kufitare kanë kapacitete vetëm për strehim të përkohshëm imigrantëve, e jo për të përballuar volumin e njerëzve që vijnë çdo ditë. Disa prej tyre tashmë janë të tejmbushura. Si rezultat, agjentët doganorë filluan t’i linin të lirë imigrantët të shpërndaheshin në territorin amerikan, pasi i kishin udhëzuar të paraqiteshin në një zyrë imigracioni, brenda 60 ditësh, në rast të kundërt do të deportoheshin. Agjentët u udhëzuan që t’i linin të lirë imigrantët në çdo zonë, ku objektet e mbajtjes së tyre, ishin të tejmbushura mbi 125% rë kapacitetit ose kur koha mesatare e qëndrimit të një imigranti në paraburgim, i kishte tejkaluar 60 orët. Po kështu, atyre iu tha që të fillonin lirimin e imigrantëve, nëse brenda një dite në të gjithë kufirin, do të ndaloheshin 7,000 imigrantë. Kjo gjë që ka ndodhur tashmë. Vetëm të martën numri i imigrantëve të ndaluar arriti në rreth 10,000 vetë. Kjo mund të krijojë probleme për zyrtarët e administratës Biden, që po përpiqen të ndalojnë hyrjen e imigrantëve në territorin amerikan.

Florida ngriti një padi duke pretenduar se lirimi i imigrantëve shkel një vendim të mëparshëm të gjykatës. Të enjten vonë, një gjykatës federal mbështeti këtë qëndrim dhe ndaloi përkohësisht planin e administratës për lënien të lirë të imigrantëve. Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare tha në një deklaratë se do të pajtohet me urdhrin e gjykatës, por tha se “vendimi është i dëmshëm e mund të sjellë një mbipopullim të rrezikshëm për këtë qendra, duke reduktuar gjithashtu, aftësinë e autoriteteve për të përpunuar dhe larguar në mënyrë efikase imigrantët”.

Qendrat e imigrimit

Zyrtarët amerikanë planifikojnë të hapin 100 qendra rajonale të migracionit në të gjithë hemisferën perëndimore, ku njerëzit mund të kërkojnë azil edhe në vende të tjera, sikurse në Kanada dhe Spanjë. Qendra të kësaj natyre pritet të ketë në Kolumbi dhe Guatemalë, por nuk është e qartë se ku do të hapen qendrat e tjera ose kur do të nisë funksionimi i tyre.

Bota

Joseph analizon aksidentin me helikopter në Iran: Presidenti Raisi ka vdekur, do ta fajësojnë Izraelin

Ish-piloti i helikopterit të Ushtrisë Amerikane, Edward Joseph, ka analizuar rrëzimin e helikopterit në të cilin ndodhej presidenti i Iranit Raisi me Ministrin e Jashtëm Abdollahian, për të cilin thotë se nëse ka vdekur do të fajësohet Izraeli.

“Së pari, nëse  Raisi ka vdekur, lëvizja e parë do të jetë fajësimi i Izraelit. Natyrisht, kjo do ta paraqesë menjëherë regjimin me një pyetje të madhe: ‘çfarë do të bësh për këtë?’ Një përsëritje e breshërisë së paefektshme me dron/raketë të muajit të kaluar kundër Izraelit? Përshkallëzimi i mëtejshëm? Për çfarë qëllimi?”, pyet ai.

“Së dyti, le të kujtojmë të gjithë se helikopterët rrëzohen, shpesh, dhe veçanërisht në mot të keq. Unë theksova se:

a) Helikopterët janë në thelb më kompleks për të fluturuar se aeroplanët. Aeroplani dëshiron të fluturojë; helikopteri dëshiron të rrëzohet dhe piloti duhet të mbajë forcat kundërbalancuese në ekuilibër për të mbajtur helikopterin të fluturojë.

b) Fluturimi në mot të keq është më i rrezikshëm për helikopterët sesa aeroplanët. Në mënyrë tipike, helikopterët fluturojnë në nivele të ulëta, duke i vendosur helikopterët në afërsi me pengesa: kodra, male, linja elektrike.

c) Helikopterët janë shumë më kompleks mekanikisht se aeroplanët. Një dështim mekanik – i kombinuar me motin e keq – rrit menjëherë rrezikun e një përplasjeje katastrofike.

Së treti, i pyetur nga prezantuesi, unë rendita shembuj të paqëndrueshmërisë së brendshme në Iran: Sulmi terrorist i janarit në Kerman nga ISIS (jo Izraeli, siç u raportua në mënyrë të papërgjegjshme); shkëmbimi i sulmeve me Pakistanin; trazira mes Baloch; shtypje e egër ndaj protestuesve pas vdekjes së Mahsa Amini, ndër të tjera.

Si gjithë të tjerët, unë jam në pritje të raporteve të konfirmuara për vendndodhjen dhe gjendjen e Presidentit Raisi”, ka deklaruar Joseph.

 

Continue Reading

Bota

Presidenti iranian Raisi dhe ministri i Jashtëm humbin jetën pas rrëzimit të helikopterit

Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka humbur jetën bashkë me ministrin e jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian pas rrëzimit të helikopterit. Lajmi është konfirmuar nga Irani zyrtar, përmes një postimi në platformën X të zv.presidentit iranian.

Televizioni shtetëror iranian dha lajmin zyrtar për vdekjen e presidentit Ebrahim Raisi, duke e quajtur atë “martir të shërbimit” dhe duke specifikuar se vendi dhe koha e ceremonisë mortore do të bëhet e ditur.

Raisi po shkonte për në qytetin e Tabrizit, në veriperëndim të Iranit, pasi u kthye nga një zonë kufitare Iran-Azerbajxhan, ku u takua me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev për të përuruar një digë në kufirin midis dy vendeve. Në qytetin e Tabrizit Raisi do të përuronte një rafineri, por helikopteri është rrëzuar dyshohet për shkak të kushteve të këqija të motit. Aksidenti ndodhi rreth orës 13:30 të 19 majit.

Sipas mediave, nuk ka asnjë të mbijetuar nga personat që ishin në bord. Përpos Presidentit dhe ministrit të Jashtëm, ka ndërruar jetë edhe guvernatori i Azerbajxhanit Lindor, Melek Rahmati, imam i Tabrizit Mohammad Ali Al Hashem, piloti, një bashkë-pilot, kreu i ekipit të mbrojtjes dhe një nga rojet.

 

Continue Reading

Bota

Misteri i zhdukjes së Presidentit të Iranit

Sipas televizionit shtetëror iranian, një nga helikopterët që mbante Ebrahim Raisi dhe ministrin e Jashtëm kreu një “ulje emergjente për shkak të kushteve të vështira të motit”. Është thirrur një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit

Irani, një helikopter me Presidentin Raisi u përfshi në një aksident

Ekipet e shpëtimit në Iran po përpiqen të arrijnë një helikopter të përfshirë në një “aksident” të paspecifikuar ndërsa udhëtonte me presidentin Ebrahim Raisi dhe shoqëruesit e tij. Këtë e ka bërë të ditur televizioni shtetëror iranian, i cili flet edhe për një “ulje të vështirë”, duke konfirmuar praninë e një kolone prej tre helikopterësh: njëri prej të cilëve kishte në bord Raisi. Mediat iraniane folën më vonë për një “ulje emergjente” për shkak të kushteve të këqija atmosferike, duke specifikuar se nuk kishte viktima. Duke cituar zyrtarë (anonimë) iranianë, Reuters thotë se “jetat e presidentit dhe ministrit të jashtëm janë në rrezik”.

Mediat iraniane raportojnë se një mbledhje urgjente e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare do të ishte thirrur në prani të liderit suprem, Ali Khamenei: një mundësi e mohuar, për momentin, nga gazeta Tehran Times. Zëdhënësi i qeverisë, Ali Bahadori Jahromi, tha se nënkryetari Mohammad Mokhber po udhëton për në Tabriz me anëtarët e tjerë të ekzekutivit. Presidenti amerikan Joe Biden është thirrur në Shtëpinë e Bardhë për një konferencë urgjente.

Irani, Presidenti Raisi përfshihet në një rrëzim helikopteri. Ministri i Brendshëm: “Lehtësim i vështirë”

Vendi i aksidentit

Lajme kontradiktore

Fillimisht, agjencia iraniane Mehr (e cituar edhe nga Tass e Rusisë) tha se presidenti iranian Ebrahim Raisi nuk u lëndua dhe do të rifillonte udhëtimin e tij në tokë, por më pas e fshiu këtë përditësim. Ministri i Brendshëm vazhdon të thotë se nuk ka detaje dhe është në pritje të informacioneve të drejtpërdrejta nga shpëtimtarët, ndërsa një agjenci tjetër e regjimit, Fars, fton iranianët të luten për presidentin. Gazetat lokale, megjithatë, deri më tani kanë dhënë “rindërtime kontradiktore” të asaj që ndodhi dhe është e vështirë të gjesh konfirmim zyrtar.

Ajo që dihet deri tani

Raisi po udhëtonte në provincën iraniane të Azerbajxhanit Lindor, ku u takua me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev në orët e fundit për të përuruar një digë në kufirin midis dy vendeve. Aksidenti me sa duket ka ndodhur në afërsi të Jolfas, një qytet që ndodhet afër kufirit midis Iranit dhe Azerbajxhanit, rreth 600 km në veri-perëndim të kryeqytetit iranian, Teheranit.

Ministri i Brendshëm iranian, Ahmad Vahidi, tha se ekipet e shpëtimtarëve – të dyfishuar në krahasim me njëzet të vendosur fillimisht – janë në zonë dhe po përpiqen të arrijnë në pikën e saktë të aksidentit në “kushte të vështira të motit” për shkak të mjegullës. Në kërkime po përdoren edhe drone, si dhe janë dërguar edhe tetë autoambulanca. Sipas agjencisë Irna, Presidenti Raisi ishte së bashku me shtatë zyrtarë, duke përfshirë ministrin e Jashtëm Hossein Amirabdollahian dhe guvernatorin e Azerbajxhanit Lindor. Sipas rikonstruksioneve, ai po udhëtonte me një kolonë prej tre helikopterësh: njëri prej tyre ishte ai i përfshirë në “aksident”.

Kush është Raisi

Irani përdor helikopterë të shumtë, përfshirë për udhëtime zyrtare, por sanksionet ndërkombëtare e bëjnë të vështirë marrjen e pjesëve rezervë. Flota e saj ajrore ushtarake gjithashtu daton kryesisht para revolucionit islamik të vitit 1979.

Raisi, 63 vjeç, drejtoi gjyqësorin e vendit. Ai konsiderohet si një i mbrojtur i liderit suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei dhe disa analistë kanë sugjeruar se ai mund të zëvendësojë liderin 85-vjeçar pas vdekjes ose dorëheqjes së tij.

Kush ishte në bord

Agjencia e lajmeve IRNA ka përmbledhur një listë të mundshme të pasagjerëve të helikopterit. Përveç presidentit Ebrahim Raisi, në bord ishin: Mohammad Ali Al Hashem, imam i Tabrizit; Hossein Amirabdollahian, Ministër i Jashtëm; Malik Rahmati, guvernator i Azerbajxhanit Lindor; piloti, një bashkë-pilot, kreu i ekipit të mbrojtjes dhe një nga rojet.

Çfarë ndodh në rast të vdekjes së presidentit

Sipas ligjit iranian, në rast të vdekjes së papritur të presidentit, roli i tij plotësohet përkohësisht nga zëvendëspresidenti i parë, i cili aktualisht është Mohammad Mokhber, me pëlqimin paraprak të liderit suprem, Ali Khamenei. Megjithatë, brenda 50 ditëve, vendi duhet të shkojë në zgjedhje për të zgjedhur një president të ri.

Continue Reading

Bota

Përplasje fatale mes dy anijeve në lumin Danub, humbin jetën dy persona, 5 të tjerë të zhdukur

Dy persona kanë vdekur dhe pesë janë zhdukur pas një përplasjeje me varkë në lumin Danub në Hungari. Policia hungareze mori një raport të shtunën vonë në mbrëmje se një burrë ishte gjetur i gjakosur nga koka në bregun e Danubit pranë qytetit të Veroce, rreth 50 kilometra në veri të kryeqytetit, Budapest. Trupat e një burri dhe një gruaje u zbuluan më vonë aty pranë.

Disa orë pasi policia filloi kërkimin e saj, ata zbuluan një varkë të dëmtuar në ujë, të cilën e tërhoqën në breg. Ata janë ende në kërkim të pesë të rriturve – tre burra dhe dy gra – të cilët besojnë se ishin në vark

Policia tha se përcaktoi se një varkë lundrimi në lumë kishte qenë në zonë në momentin e aksidentit. Ata ndaluan një varkë lundrimi me një byk të dëmtuar pranë qytetit të Komarom, më shumë se 50 milje (80 kilometra) më tutje në lumë.

Danubi në Veroce është afërsisht 460 metra i gjerë dhe është në qendër të një zone të quajtur Kthesa e Danubit, ku lumi bën një kthesë gjithëpërfshirëse, gati 90 gradë në jug. Zona është një destinacion popullor rekreativ dhe shëtitës me varkë dhe është në një rrugë që shpesh përdoret nga anijet e lundrimit midis Budapestit dhe kryeqytetit austriak, Vjenës, rreth 230 kilometra lart lumit.

Aksidenti vdekjeprurës vjen pesë vjet pasi të paktën 27 persona u vranë në Budapest kur një anije lundrimi në lumë u përplas me një anije turistike më të vogël, duke e fundosur atë brenda disa sekondash.

Continue Reading

Bota

U plagos me armë zjarri, kryeministri i Sllovakisë del nga terapia intensive

Jeta e kryeministrit sllovak Robert Fico nuk është më në rrezik, pas atentatit me të cilin është përballur ditë më parë, ka thënë zëvendëskryeministri i Sllovakisë, Robert Kalinak të dielën.

“Ai nuk është më në rrezik për jetë, por gjendja e tj vazhdon të jetë serioze dhe duhet të jetë në kujdes intensiv”, ka thënë Kalinak, aleati më i ngushtë politik i Ficos.

Personi i akuzuar për tentim-vrasje të kryeministrit ka dalë të shtunën para gjykatës.

I akuzuari, i identifikuar nga mediat sllovake si Juraj Cintula, 71-vjeçar, e ka qëlluar me armë Ficon, pas një takimi qeveritar të mërkurën.

Cintula ka shtënë pesë herë me armë kundër Ficos, ndërsa e ka qëlluar katër herë – përfshirë goditjen në abdomen – teksa kryeministri ka qenë në afërsi të mbështetësve të tij, pas takimit qeveritar të zhvilluar në qytezën Handlova.

Fico është dërguar në spital me helikopter dhe i është nënshtruar një operimi për pesë orë, si dhe një operimi tjetër dyorësh të premten.

Fico është në pushtet prej kur partia e tij popullsite e qendrës, Smer, i ka fituar zgjedhjet e përgjithshme në vjeshtën e vitit të kaluar./REL

Continue Reading
Advertisement

TRENDING