Aktualitet
SHBA vendos afatet/ Shkrim nga NTV | Editorial NTV.AL
Afatet për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë kanë ndryshuar disa herë. Së fundmi ka ndryshuar edhe renditja…Ndonëse pa dëshirën e Kryeministrit Kurti, insistohet që Asociacioni të bëhet i pari. Ambasadori amerikan në Beograd Chritopher Hill, që njihet për deklarata të forta dhe të prera, e ka një afat se kur duhet të bëhet Asociacioni dhe kur plani franko-gjerman. Kryeministri Kurti ka një tjetër axhendë, krejt të kundërtë. Edhe ish-kryediplomatja kosovare beson se gjërat duhet të shkojnë më ndryshe nga ç’e thotë diplomati amerikan. Fillimisht, pritjet, të cilat i kishte më shumë Kryeministri Albin Kurti, ishin që një marrëveshje normalizuese mes Kosovës dhe Serbisë, të arrihej – më së largu – deri në fillim të kësaj pranvere. Por, kur shpresohej për këtë, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, u ringjall si kurrë më parë. Tani, formimi i Asociacionit është kthyer në top-prioritetin e ndërkombëtarëve, ndonëse Kryeministri kosovar insiston që të merret një rrugë tjetër për normalizimin e raporteve. Në një paraqitje në një televizion serb, Ambasadori amerikan në Beograd, ka deklaruar se ky vit është vendimtar dhe se beson se është reale që Asociacioni mund të formohet deri në verë kurse propozimi franko-gjerman të miratohet deri në fund të vitit. “Unë mendoj se njerëzit duhet të punojnë çdo ditë për të gjetur një zgjidhje. Mendoj gjithashtu se është reale të propozohet që kjo të ndodhë këtë vit, prandaj them se ky vit është domethënës dhe se propozimi është pozitiv dhe mund të realizohet”, ka thënë diplomati amerikan. Kryeministri Kurti që jep intervista vetëm në mediat e huaja, i ka thënë javën e kaluar ‘TRT World’ se “vullneti i popullit” është që fillimisht të arrihet marrëveshja që përfundon me njohje reciproke, e më pas të formohet “një lloj Asociacioni”. “ I dërguari amerikan Gabriel Escobar është shumë aktiv dhe i përfshirë dhe unë e mirëpres këtë. E kam takuar disa herë. Por ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të drejtë. 6 kushtet e mia për çfarëdo lloj asociacioni s’janë qëndrime arbitrare apo mendime personale, por janë vullneti dhe dëshira e popullit të Kosovës, e do kushtetuta dhe ligjshmëria. Janë këto që më bëjnë të themi se së pari na duhet njohja reciproke dhe pastaj shkojmë te ndonjë lloj Asociacioni”- ka thënë Albin Kurti. Ish-kryediplomatja kosovare, Ajo i ka thënë mediave në Kosovë se fillimisht duhen mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore, që janë shtyrë për në prill. Më pas, duhet të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi, e cila pastaj duhet të pasojë me zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, edhe Asociacionit – në formëve e një organizate joqeveritare. “E shoh problematike diskutimin e Asociacionit si marrëveshje e veçuar nga 33 marrëveshjet e tjera ekzistuese. Është tërësisht asimetrike dhe e padrejtë të kushtëzohet Kosova, kur dihet se Serbia nuk ka përmbushur asnjë obligim ndërkombëtar e rajonal të dalë nga marrëveshjet me Kosovën apo nga statusi kandidat i BE-së” Për ish-Kryediplomaten Haradinaj, Serbia ende i ka të kodifikuara me Kushtetutë pretendimet territoriale e ekspansioniste ndaj Kosovës, ende ndjek politikën e pandëshkueshmërisë ndaj krimeve të luftës, ende mban të burgosur ilegalisht qytetarë të Kosovës, dhe nuk jep asnjë lloj llogaridhënie për të pagjeturit apo varrezat masive në territorin e saj” Ndërkaq, Kryeministri Albin Kurti dje ka folur disa herë në seancën e Kuvendit, të thirrur për t’u diskutuar dialogu i Kosovës me Serbinë. Kur po fliste për Asociacionin, në një moment, ai tha se pyetje më serioze lidhur me të, do të bëhen në “procesin e negocimit të planit të zbatimit”.