Politike
Shpresa e utopisë së opozitës se Rama do të arrestohet dhe është ne prag të shkatërrimit si Maduro
Analisti Fatos Lubonja thotë se me qeverinë “Rama” kanë ndodhur shumë skandale, ndërsa shtoi se në një vend normal kryeministri duhej të kishte dhënë dorëheqje apo të arrestohej. Lubonja “skanoi” dhe problematikat nga të cilat vuan opozita.
Lubonja ka komentuar zhvillimet gjeopolitike, siç ishte dhe arrestimi i Maduros, por u ndal dhe te situata në vendin tonë. Ai analizoi zhvillimet nga optika e tij e mendimit, ndërsa theksoi se pretendimet e opozitës se kjo gjë mund të ndodhë dhe në Shqipëri, janë miopi.
“Është situatë e ndërlikuar. Është miopi nga ana e opozitës tonë që shikonte te ky aksion një shpresë se këtu do të ndodhë dhe me narko-shtetin në Shqipëri. Duke e konsideruar Ramën-Ramaduro. Duhet ta shohim përtej interesit tonë se cili është qëllimi.
Më shumë se sa lufta për narko-terrorizëm, nuk është kjo që e ka shtyrë Trump-in, por janë çështje që lidhen me influencat ekonomike, si nafta. Flitet dhe për rënie të petrodollarit. Edhe Trump e bëri të qartë që bëhet fjalë për një marrje të industrisë së naftës në duart e amerikanëve. Të tjerat janë ‘veshje’. Diçka doli e qartë se kush do ta zëvendësojë Maduron? Pse e skartoi Maccaton që ishte opozita?
Por ça interesi ka Amerika që të rrëzojë Ramën? Duhet të ketë interesa përtej politikës. Ai që është më i forti krijon një kauzë pa përfillur të drejtën ndërkombëtare! Nëse kjo bëhet rrugë e marrëdhënieve ndërkombëtare, ne duke qenë një vend i dobët, s’duhet të ankohemi fare se Serbia sulmon Kosovën.
Pse? Sepse është forca e më të fortit. Por ne duhet t’i mëshojmë të drejtës ndërkombëtare. Vetëm 1/3 e amerikanëve e mbështesin këtë gjë! Me cilët amerikanë jemi ne? Me ata apo me Trump? Ndaj duhet të jemi të qartë. Pragmatizmi është treguar dhe nga Europa”, – tha ai.