Politike
Vangjeli: Gazi i policisë kriminal, Berisha mbështet dhunën se nuk ka më zgjidhje politike
Protestat e fundit në kryeqytet, të shoqëruara me tensione dhe përplasje, duket se janë më shumë se një shprehje e pakënaqësisë qytetare, por simptomë e një krize të thellë politike.
Lorenc Vangjeli, u shpreh se reagimi i policisë shihet si një faktor që i jep “karburant” protestës.
Sipas Vangjelit, reagimi i forcave të rendit ka qenë në mënyrë të përsëritur joproporcional. Përdorimi i gazit lotsjellës, i konsideruar një mjet i luftës dhe një veprim kriminal kur përdoret në turma ku ka të moshuar, gra dhe fëmijë, bashkë me plumbat e gomës, e bëjnë protestën më të dukshme dhe më të prekshme. Ky reagim i ashpër, në vend që të shuajë tensionet, i ushqen ato, duke i dhënë më shumë legjitimitet kauzës së protestuesve.
Lorenc Vangjeli: Në këtë situatë jemi. E dyta, unë jam totalisht kundër dhunës, për shumë arsye, për kundër dhunës në definicion. Dhunës së pushtetit. Po në këtë rast, pavarësisht se ngjan si paradoksale, duket se policia është ajo që i jep karburant protestës. Deri tek hedhja e ca molotovëve, hedhja e fishekzjarreve, që është një simbolikë, si me thënë, ndezja e një zjarri që të duket edhe më mirë përmasa e protestës. Demonstruesit janë në të drejtën e tyre.
Nuk ka as nevojë për asnjë lloj shpikje. Ligji e ka të qartë që reagimi i policisë duhet të jetë proporcional. Reagimi i policisë, demonstratë mbas demonstrate, ka qenë jo proporcional. Dhe mbi të gjitha, përdorimi i gazit lotsjellës, që konsiderohet edhe si armë luftarake. Në turmë ka të moshuar, ka gra, mund të ketë të mitur. Përdorimi i gazit është kriminal.
Domethënë, dhe të them që është paradoksale se është pikërisht ky reagim joproporcional i policisë, i cili e bën edhe më të dukshme dhe më të prekshme protestën. Deri këtu besoj se jemi dakord të gjithë, ndërkohë që unë mendoj diçka tjetër.
Shqipëria, apo Tirana, që në këtë rast është e gjithë Shqipëria, nuk do më shumë se 100 veta për t’u destabilizuar. 50. Pra çështje, çështje vullneti. 50 veta që të destabilizojnë. Dhe kjo bëhet me mënyra nga më të ndryshmet. Problemi është që unë kam frikë, u bëftë Zoti ta kem gabim, po kam përshtypjen që ka dy qytetarë të Tiranës të cilët janë të interesuar për këtë lloj destabiliteti të kontrolluar deri në një shkallë të caktuar. Çfarë kanë arritur protestat deri tani? Kanë arritur të japin fotografinë e krizës edhe morale, edhe politike që ka Shqipëria. Politika nuk është më ai mjeti, instrumenti që do të zgjidhte problemet e pafundme të shoqërisë shqiptare. Tani politika dhe kryesisht qeverisja është vënë përballë dhe rrëfehet me gisht nga qytetarët. Edhe zjarri i molotovëve, dhe ajo dritë që, që del atje, e nxjerr në dritë të keqen, këtë lloj zullumi i cili është shtuar. Ka krizë institucionale, e cila prapë nuk po zgjidhet me mjetet tona.
Destabiliteti i intereson dy njerëzve. Për arsye të ndryshme, për motive të ndryshme, po që në këtë rast, pavarësisht se janë shumë të kundërt, bëhen bashkë. Destabiliteti i intereson Sali Berishës, sepse në këtë mënyrë faktorizon opozitën, dhe kur të vijë puna për të zgjidhur këtë situatë, ai ka një vend në tryezë, është bashkëbiseduesi kryesor në tryezë. Po destabiliteti i intereson edhe Edi Ramës, për t’u hequr pastaj si njeriu që është zjarrfikësi i zjarreve, si njeriu i cili garanton stabilitetin. Kështu që ne jemi në një spirale, e cila duket se është pa zgjidhje.