Kosova
Armatimi nga Amerika, mesazh i qartë besimi ndaj shtetit të Kosovës dhe institucioneve të sigurisë
Organizata “Albanians for America” ka shprehur mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas procedimit për eksportimin e artikujve të mbrojtjes dhe shërbimeve ushtarake për Kosovën në vlerë mbi 14 milionë dollarë. Kjo organizatë ka vlerësuar se ky është një mesazh i qartë i besimit ndaj shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj të sigurisë.
SHBA-ja ka qenë në përkrahje të Kosovës, nga dronët dhe sistemet e mbrojtjes, e deri te mbështetja për transformimin e FSK-së në ushtri profesionale dhe të denjë për NATO.
“Angazhimi i FSK-së në misione ndërkombëtare dhe përgatitjet për pjesëmarrje në forcën stabilizuese në Gazë janë dëshmi e rolit gjithnjë e më aktiv të shtetit tonë pranë aleatëve”.
Ndër të tjera, thuhet se mbështetja e Amerikës për Kosovën mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajon.
Të enjten, Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar Kongresin e Shteteve të Bashkuara për një leje të propozuar eksporti, e cila parashikon dërgimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të lidhura me sektorin e mbrojtjes drejt Kosovës.
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë më 2008, Kosova ka gëzuar mbështetje të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve të saj të sigurisë dhe mbrojtjes.
SHBA-ja ka qenë donatori më i madh bilateral në fushën e mbrojtjes, duke ofruar ndihmë të konsiderueshme materiale, logjistike dhe trajnuese për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).