Shkrime
Stuhia është duke ardhur/ Izolimi i SHBA dhe ambiciet e Pekinit, situate si në pragun e Luftës
Shkruar nga Federico Fubini
Politologu i shquar amerikan, Odd Arne Westad, paralajmëron se rendi aktual botëror po rrëshqet rrezikshëm drejt skenarëve të vitit 1914. Përmes një vështrimi mbi krizat kronike në Ukrainë dhe Iran, ai zbërthen ngjashmëritë frikësuese mes rënies gjeopolitike të Uashingtonit dhe dritares së mundësive që po i hapet Kinës për të guxuar rimarrjen me forcë të Tajvanit…
Libri më i re i politologut të Universitetit Yale, Odd Arne Westad, me titull “The Coming Storm” (Stuha në ardhje), është shndërruar në një nga ngjarjet më të diskutuara të javëve të fundit. Përmes një analize të mprehtë gjeopolitike, Westad guxon të tërheqë paralele të drejtpërdrejta dhe mjaft shqetësuese midis rendit të sotëm ndërkombëtar dhe teatrit diplomatik që i parapriu Luftës së Madhe në vitin 1914.
Në këtë ekuacion të ri, Kina luan rolin e Gjermanisë perandorake të asaj kohe – një fuqi në rritje dhe revizioniste – ndërsa Shtetet e Bashkuara pozicionohen në rolin e Perandorisë Britanike, e cila lëkundej mes rënies dhe pasigurisë strategjike.
Infrastruktura e kësaj interviste për “Corriere”, Westad zbërthen mekanizmat e kësaj ngjashmërie historike, duke vënë theksin te një fenomen paradoksial: edhe pse udhëheqësit e sotëm komunikojnë më shumë se kurrë, ata vuajnë nga një paaftësi kronike për të kuptuar synimet reale të njëri-tjetrit.
Nga kriza në Ukrainë dhe Iran, e deri te rreziku i një llogaritjeje fatale në ngushticën e Tajvanit, profesori i Yale paralajmëron se iluzioni i një “suksesi të shpejtë ushtarak” mund të tërheqë sërish botën drejt greminës, pikërisht ashtu siç besonin qeveritë europiane përpara se kriza e Ballkanit t’u dilte përfundimisht nga kontrolli.
A prisni një marrëveshje mes Donald Trump dhe Xi Jinping?
Besoj se samiti mes tyre është një shembull tipik i asaj që shkruaj në librin tim: arti i të folurit pa u kuptuar. Sot udhëheqësit botërorë komunikojnë intensivisht, dhe ky në vetvete është një fakt pozitiv.
Mirëpo, njëloj si përpara vitit 1914, ata perceptojnë shumë pak mbi qëllimet dhe objektivat e vërteta të palës tjetër. Mes Trumpit dhe Xi-së pres bisedime të rëndësishme për çështje tregtare dhe teknologjike, por një dialog serioz për çështje më të gjera strategjike mbetet tejet i vështirë.
A po vuan Trump nga një izolim ndërkombëtar?
Besoj se po, dhe ky izolim buron nga vetë brendësia e Shteteve të Bashkuara. Kjo është një tjetër ngjashmëri e madhe me Britaninë e Madhe përpara Luftës së Madhe, kur ajo kaloi nga një periudhë ku diktonte thuajse gjithçka në punët ndërkombëtare, në një fazë pasigurie të thellë.
Dhe ajo pasiguri e kishte zanafillën në Londër. Kjo na kujton shumë atë që po ndodh sot në SHBA. Vetë amerikanët po tërhiqen nga një pjesë e mirë e ndërveprimeve globale, sidomos met miqtë dhe aleatët e tyre tradicionalë.
Dhe çfarë pasojash do sjellë kjo?
Kjo qasje prodhon pasiguri dhe tensione. Ajo krijon një paqëndrueshmëri që i hap rrugën një konflikti potencial në të ardhmen, sepse Kina dhe Rusia po vëzhgojnë me vëmendje. Ato do të vlerësojnë vetë nëse angazhimi tradicional i Shteteve të Bashkuara në NATO, në Europë, apo në marrëveshjet e sigurisë me Japoninë dhe Koresë së Jugut, funksionon ende realisht apo jo.
Pse ju shqetëson kjo gjë?
Sepse siç e pamë edhe në vitin 1914, ky është pikërisht një nga ato aspekte që mund të çojë në keqkuptime të rënda mbi atë që mund të arrihet përmes presioneve politike ekstreme dhe aksioneve ushtarake.
Por një ndryshim nga e kaluara është se sot nuk ekzistojnë aleanca kaq të ngurta sa të tërheqin automatikisht të gjithë në luftë pas një incidenti të vetëm…
Kjo është e vërtetë. Një pjesë e problemit në vitin 1914 ishte ekzistenca e aleancave formale. Ato supozohej të parandalonin kundërshtarët nga nisja e luftërave, por fuqitë revizioniste si Gjermania dyshonin se aleancat e ngritura kundër tyre ishin vërtet të besueshme.
E njëjta gjë më shqetëson edhe te disa nga fuqitë e sotme, si Rusia por edhe Kina. Ky është një paralelizëm që më shqetëson vërtet. Në atë kohë, qeveritë mendonin se ajo që ndodhte në Ballkan do të mbetej brenda Ballkanit. Derisa erdhi dita që ky iluzion u shpërbë.
Konfliktet në Ukrainë dhe në Iran po dalin tmerrësisht të vështira për t’u mbyllur. A po kthehen ato në luftëra kronike?
Disa nga këto luftëra po bëhen kronike, duke u kthyer në pjesë të pandashme të rajoneve ku zhvillohen. Ato mund të mos shfaqen gjithmonë me të njëjtën formë apo intensitet. Për shembull, në Ukrainë konflikti mund të vijojë me më pak përplasje të drejtpërdrejta në Donbas.
E njëjta gjë vlen edhe për Iranin. Në rastin e një armëpushimi të gjatë, asnjë nga problemet themelore nuk do të zhdukej, sepse lufta nuk i ka zgjidhur shkaqet e përplasjeve. Pra, këto konflikte mund të konsiderohen kronike nëse prekin vetëm ato zona dhe kanë implikime të kufizuara. Por ekziston edhe mënyrë tjetër e të parit të gjërave: ato priren të bëhen endemike ose të përfshijnë gradualisht vende të tjera.
Cilit prej këtyre dy skenarëve i besoni më shumë?
Nëse do të ndodhte një ngjarje me përmasa globale, ajo mund të shërbente si shkëndijë për një luftë mes fuqive të mëdha. Ky është pikërisht shqetësimi im më i madh lidhur me llojin e konflikteve kronike që kemi aktualisht në disa pjesë të botës.Nisur nga rastet e Iranit dhe Ukrainës, a do të arrijë Kina në përfundimin se është më mirë të tregohet e kujdesshme, apo se ka ardhur momenti për të rimarrë me forcë Tajvanin, duke qenë se Amerika është e dobësuar dhe e shpërqendruar?Pekini do të peshojë mirë se çfarë do të thotë e gjithë kjo për interesat e veta. Dhe bashkimi me Tajvanin është padyshim në krye të listës së prioriteteve të tij. Kinezët do të analizojnë me kujdes se sa është potenciali i të tjerëve për të ndërhyrë në një operacion të mundshëm ushtarak kundër Tajvanit.Kriza në Iran ka shpërfaqur disa dobësi të ndërhyrjeve amerikane jashtë vendit, duke i shpërqendruar shumë Shtetet e Bashkuara nga Lindja e Largët, në një kohë kur po mbarojnë rezervat e municioneve amerikane.
Dhe ku qëndron saktësisht paralelizmi me vitin 1914?
Në atë kohë ekzistonte bindja se objektivat strategjikë mund të arriheshin përmes një aksioni të shpejtë dhe të rrufeshëm. Ky është elementi që më alarmon më shumë. Unë nuk mendoj se Xi Jinping zgjohet në mëngjes dhe thotë: “Sot është dita e duhur, do të realizoj bashkimin kombëtar!”.Por, nëse do të ndodhte diçka që do ta shtynte udhëheqjen kineze në atë drejtim, ajo mund të rrezikonte fare mirë të arsyetonte me të njëjtën logjikë si gjermanët në verën e vitit 1914./“Corriere della Sera”
