Shkrime
Në selinë blu nuk pritet të ketë surpriza. Anëtarët e Partisë Demokratike do t’u drejtohen kutive të votimit për të konfirmuar kryetarin e tyre. Një proces që zyrtarisht përshkruhet si zgjedhje, por që praktikisht ngjan më shumë me një referendum për liderin aktual. Në fletën e votimit do të jetë vetëm një emër: Sali Berisha. Kundërshtarë nuk ka. Garë reale jo e jo. Suspansë politike aq më pak. Megjithatë, historia e vërtetë nuk është ajo e votimit të së shtunës. Historia është përsëritja. Sepse Partia Demokratike, partia e parë opozitare e Shqipërisë postkomuniste, partia që lindi mbi premtimin e pluralizmit, konkurrencës dhe debatit të lirë, hyn në një tjetër proces zgjedhor duke u rikthyer sërish te njeriu që e ka dominuar për pjesën më të madhe të ekzistencës së saj politike.
Në politikë ka liderë që humbasin dhe largohen. Liderë që humbasin dhe zëvendësohen. Liderë që humbasin dhe transformojnë partinë.
Berisha mbetet ndoshta rasti i rrallë i një politikani që humbet, largohet dhe rikthehet – në një parti që duket se ende nuk arrin ta imagjinojë veten jashtë gravitetit të tij politik. Në shumë mënyra, historia e Partisë Demokratike është historia e Berishës. Dhe ndoshta edhe anasjelltas.
Sot, në moshën 81-vjeçare, pas më shumë se tri dekadash në qendër të politikës shqiptare, ish-presidenti, ish-kryeministri dhe lideri historik i opozitës pritet të rikonfirmohet në krye të një partie që ka humbur zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, që vjen pas trembëdhjetë vitesh opozitë dhe që ende nuk ka prodhuar një figurë të aftë të ndërtojë një tranzicion real politik. Por pyetja që rëndon mbi këtë proces nuk është nëse Berisha do të fitojë. Rezultati duket i ditur. Pyetja është një tjetër.
A mund të ekzistojë Partia Demokratike pa Berishën?
Nëse pluralizmi shqiptar do të kishte një fotografi simbolike, njëra prej tyre do të ishte ajo e dhjetorit të vitit 1990: studentët në protestë, rrëzimi i frikës dhe lindja e partisë së parë opozitare pas gati pesë dekadash diktaturë.
Pak muaj më vonë, në vitin 1991, Sali Berisha do të zgjidhej në krye të Partisë Demokratike.
Asokohe, PD-ja ishte ndryshe.
Ajo ndërtohej mbi një frymë konkurruese, mbi debat, mbi rivalitet real dhe mbi idenë se një parti demokratike duhej të mishëronte pikërisht atë që sistemi komunist kishte mohuar: pluralizmin e mendimit.
Instituti i Studimeve Politike e përshkruan paradoksin e sotëm si një transformim të gjatë nga një parti konkurruese në një “parti-lider”, ku individi dominon mbi institucionin.
Sipas analizës së ISP-së, Partia Demokratike nisi me zgjedhje reale konkurruese, por gradualisht kaloi drejt modeleve formale ose gjysmë-formale të votimit, shpesh me fitues të paracaktuar ose me kandidatë simbolikë.
Në këtë kuptim, votimi i së shtunës nuk shihet si një episod i izoluar.
Ai është vazhdimësi.
Tabela historike e zgjedhjeve të PD-së – ajo që sot do të qarkullojë sërish në rrjetet sociale – tregon një histori interesante: partia ka pasur kryetarë të ndryshëm, por vetëm një gravitet politik konstant. Berisha u largua në vitin 1992 për t’u bërë President i Republikës, por rikthimi erdhi pas krizës së vitit 1997.
U largua sërish në vitin 2013 pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, duke i lënë drejtimin Lulzim Bashës. Dhe u rikthye përsëri në vitin 2021, pasi u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara dhe u përjashtua nga grupi parlamentar nga vetë Basha.
Ajo që nisi si përplasje mes një lideri historik dhe trashëgimtarit të tij politik, përfundoi në një luftë për vulën, logon dhe vetë identitetin e partisë.
Në qershor të vitit 2024, Gjykata e Apelit vendosi që vula e Partisë Demokratike t’i kalonte grupimit të Berishës, duke mbyllur – të paktën juridikisht – një betejë që kishte zgjatur më shumë se dy vjet.
Por për shumë demokratë dhe analistë, beteja politike nuk përfundoi aty. Ajo thjesht u rikthye te pika e nisjes.
Në politikë ka votime dhe ka zgjedhje.
Në të parat, procesi zhvillohet, kutitë hapen, votat numërohen – por rezultati dihet paraprakisht.
Në të dytat, ekziston pasiguria, konkurrenca dhe mundësia reale që diçka të ndryshojë.
Paradoksi i Partisë Demokratike, sipas shumë analistëve, është se ndërsa ajo ka qenë historikisht partia që solli pluralizmin në Shqipëri, sot duket gjithnjë e më shumë si një parti ku votimi ka mbijetuar, por zgjedhja është zbehur.
Instituti i Studimeve Politike, që ka monitoruar për vite proceset e demokracisë së brendshme në partitë shqiptare, e vendos theksin pikërisht këtu. Sipas ISP-së, në historinë e saj PD-ja ka kaluar nga gara reale me votim të fshehtë dhe rivalitet të fortë, te zgjedhje formale, kandidatë simbolikë dhe procese ku fituesi dukej i përcaktuar përpara se të hapej votimi. Vetë Berisha e sheh krejt ndryshe.
Në deklaratat publike të kësaj jave, ai e ka cilësuar votimin e së shtunës si një nga format “më moderne” të demokracisë partiake, duke argumentuar se sistemi “një anëtar, një votë” përfaqëson standardin më të lartë të zgjedhjes së liderëve politikë.
“Çdo demokrat duhet të jetë krenar që voton në një proces të tillë”, deklaroi ai, duke këmbëngulur se mungesa e rivalëve nuk lidhet me mbylljen e garës, por me faktin se figura të tjera kanë hezituar të përballen në një proces ku rezultati nuk është i garantuar.
Disa prej figurave që kishin shfaqur interes për të kandiduar – përfshirë ish-deputetin Ervin Salianji – mbetën jashtë garës, ndërsa drejtuesit e partisë argumentuan se nuk përmbushnin kriteret statutore. Vetë Berisha i përshkroi disa prej tyre si njerëz që nuk mund të pranoheshin për shkak të lidhjeve me “bashkëpunëtorë të qeverisë dhe krimit”.
Salianji reagoi ashpër, duke e cilësuar procesin një “farsë të turpshme” që, sipas tij, dëmton rëndë besueshmërinë morale të opozitës përballë socialistëve të Edi Ramës. Për një parti që prej më shumë se një dekade kërkon të bindë shqiptarët se mund të ofrojë standarde më të mira qeverisëse, mënyra se si menaxhon garën e vet të brendshme nuk është një detaj procedural. Është pjesë e mesazhit politik.
Preç Zogaj, një nga figurat historike të së djathtës shqiptare, është edhe më i drejtpërdrejtë.
“Këto nuk janë zgjedhje”, u shpreh ai këtë javë, duke argumentuar se Berisha po shkon drejt rikonfirmimit “duke shkelur statutin në favor të vet” dhe duke aplikuar standarde të ndryshme për rivalët potencialë.
Sipas tij, Partia Demokratike nuk ka njohur realisht garë të fortë që prej fillimit të viteve ’90.
Mentor Kikia e përshkruan procesin me një metaforë më të ashpër: jo zgjedhje, por referendum për Berishën.
“Nuk ka zgjedhje, ka një shprehje vullneti apo votëbesimi ndaj një individi”, tha ai, duke argumentuar se një proces me një kandidat të vetëm nuk prodhon alternativë reale, por vetëm konfirmim të status quo-së.
Edhe brenda vetë Partisë Demokratike, pranimi i heshtur i mungesës së konkurrencës duket pothuajse normalizuar.
Deputeti demokrat Xhelal Mziu e justifikoi mungesën e rivalëve me argumentin se Berisha mbetet “i pakonkurrueshëm”, ndërsa anëtari i Kryesisë, Grigels Muçollari, pranoi publikisht se partia “do të ishte më mirë nëse do të kishte një garë”, por shtoi se mungesa e kandidatëve që plotësojnë kriteret e ka kthyer procesin në një lloj referendumi për kryetarin aktual.
Përtej debatit procedural, megjithatë, pyetja më e rëndësishme mbetet politike:
Pse një parti që ka humbur shtatë beteja elektorale në trembëdhjetë vite vazhdon të rikthehet te i njëjti lider?
Sepse nëse problemi do të ishte vetëm mungesa e një rivali në një proces formal, historia do të ishte më e thjeshtë.
Pse PD rikthehet gjithmonë te Berisha
Në një kuptim të ngushtë politik, rikthimi i Berishës mund të shpjegohet lehtë. Ai mbetet politikani më mobilizues i së djathtës shqiptare. Lideri me bazën më të konsoliduar militante. Njeriu që, pavarësisht moshës, ruan ende aftësinë për të ndezur sallat, për të polarizuar debatin publik dhe për ta kthyer opozitën në një makineri konfrontimi politik.
Versioni tjetër – ndoshta më i rëndësishmi – ka të bëjë me vetë Partinë Demokratike dhe paaftësinë e saj për të prodhuar një elitë të re politike. Në tri dekadat e fundit, PD ka nxjerrë ministra, kryeministra, presidentë, drejtues institucionesh dhe dhjetëra figura publike. Por shumë pak prej tyre kanë arritur të ndërtojnë autonomi reale politike jashtë hijes së liderit historik.
Ai mbetet figura që krijoi partinë, fitoi zgjedhjet e para pluraliste, rrëzoi socialistët në vitin 2005 dhe mbajti të bashkuar bazën në momentet më të vështira të krizës së brendshme. Kjo është arsyeja pse edhe pas humbjeve të përsëritura elektorale, një pjesë e demokratëve vijojnë ta shohin atë jo si pjesë të problemit, por si zgjidhjen e vetme të mundshme.
Deputeti demokrat Tritan Shehu e përshkroi këtë javë kandidimin e Berishës si një proces “natyrshëm të pakontestueshëm”, duke argumentuar se mbështetja e bazës ndaj tij është e qartë dhe e konsoliduar.
Edhe figura të tjera pranë drejtimit aktual e kanë paraqitur mungesën e rivalëve jo si simptomë krize, por si tregues të peshës politike që Berisha vazhdon të ketë brenda partisë.
Por pikërisht këtu qëndron paradoksi.
Sepse një lider që mbetet i pazëvendësueshëm për shumë kohë, gradualisht fillon ta bëjë edhe vetë partinë të pazotë për të prodhuar zëvendësues.
Në këtë pikë, historia e Partisë Demokratike kthehet edhe në historinë e një tranzicioni të papërfunduar.
Në vitin 2013, pas humbjes përballë Edi Ramës, Berisha dha dorëheqjen. Për shumëkënd, ishte fundi i një epoke dhe fillimi i një tjetër. Lulzim Basha u zgjodh në krye të partisë me premtimin për modernizim, evropianizim dhe ndërtimin e një opozite më pak konfliktuale.
Për herë të parë pas më shumë se dy dekadash, Partia Demokratike dukej sikur po provonte seriozisht të imagjinonte veten pa Berishën.
Por tranzicioni nuk funksionoi. Basha humbi zgjedhjet e vitit 2017. Humbi sërish në vitin 2021. U kritikua për mungesë force politike, paaftësi organizative dhe një opozitë që shpesh dukej e paqartë mes bojkotit dhe institucionalizmit.
Më pas erdhi shpallja non grata e Berishës nga Shtetet e Bashkuara dhe vendimi i Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar – një lëvizje që, në vend se ta largonte përfundimisht liderin historik nga partia, prodhoi efektin e kundërt.
“Foltorja”, ndarja e demokratëve, beteja për vulën dhe rikthimi i Berishës në krye të strukturave të partisë u kthyen në provën më të fortë të një realiteti politik: Partia Demokratike mund të ndahej, të humbiste apo të dobësohej, por vazhdonte ta kishte të vështirë të funksiononte pa figurën që e kishte ndërtuar.
Për disa analistë, ky nuk ishte thjesht rikthim personal i Berishës.
Ergys Mërtiri e ka përshkruar shpesh krizën e opozitës si mungesë të kulturës së konkurrencës dhe të meritokracisë politike, ku individët me potencial ose largohen, ose mbeten përherë në rresht të dytë.
Dashamir Shehi, nga ana tjetër, ka argumentuar se opozita shqiptare vuan nga një sindromë më e gjerë: liderët konsumohen, por partitë nuk krijojnë trashëgimtarë politikë.
Debati mbi zgjedhjet e sotme në Partinë Demokratike shkon përtej mungesës së rivalëve. Për kritikët, problemi nuk është vetëm fakti që në fletën e votimit ndodhet një emër i vetëm, por kultura politike që e bën këtë të duket normale.
Preç Zogaj e ka përshkruar procesin si mungesë reale gare, ndërsa Mentor Kikia më shumë si referendum sesa si zgjedhje.
Nga ana tjetër, mbështetësit e Berishës argumentojnë se mungesa e rivalëve nuk lidhet me krizën e demokracisë së brendshme, por me faktin se askush tjetër nuk ka ndërtuar të njëjtën peshë politike brenda partisë.