Politike
Reforma Territoriale, PS ‘stoike’, PD: Kanë frikë…
Partia Socialiste duket se ka arritur në përfundimin se ndarja aktuale territoriale e Shqipërisë është e duhura. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fund të mbledhjes së grupit tha sot se kanë arritur në përfundimin se PS i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.
“Ka pasur propozime edhe për zvogëlim edhe për zmadhim të numrit. Nisur nga fakti që kanë kaluar vetëm 7 vite nga reforma e fundit. Të gjitha reformat janë përmirësuar. Ne kemi përmirësuar edhe shërbimin online. Kemi konkluduar që pozicioni ynë në komisionin e posaçëm është t’i qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.”- tha Balla nga Kryesia e Kuvendit.
Partia Demokratike e quan këtë lëvizje të socialistëve si një tallje me qytetarët. Bashkëkryetarja e Reformës Territoriale-Administrative, deputetja e PD-së Dhurata Çupi, në një postim në rrjetet sociale, thotë se Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vërtetë elektorale dhe kërkon rezultat në tavolinë.
Ndërkohë që nga 12 qarqe Grupi Parlamentar i PD propozon rigrupimin në 6 Rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë.
Deputetët do të vijojnë diskutimet edhe gjatë kësaj jave dhe pritet që drafti final të miratohet nga Grupi Parlamentar të martën e javës së ardhshme, për të kaluar më pas në diskutimet publike dhe politike deri në 30 Shtator.
‘Vendimi i PS, për të mos ndryshuar hartën territoriale, është tallje me qytetarët që duan ndryshim tê hartës. Është tallje me partnerët që u angazhuan nê proçes. Ështe tallje me parlamentin. Ështe shpërdorim i taksave të qytetarëve, për njê proçes të paracaktuar nga vullneti i Edi Ramës. Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vertete elektorale dhe kërkon rezultat ne tavoline. Kështu ka bêre në çdo zgjedhje. Kur ndryshoi hartën territoriale në 2015, kur ndryshoi në mënyrë të njëanshme sistemin zgedhor. Edi Rama ka frikë nga vota. Përgjigja e qytetarêve do të jetë referendumi. Ne do të kërkojmë referendum për ndryshimin e hartës territoriale. Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e zgjedhësve.’- tha Çupi.