Aktualitet
KUR SHQIPËRIA KISHTE HALLE TË TJERA, ILIR BUTKA MENDONTE PËR KINEMANË
Ka njerëz që presin që koha t’u krijojë mundësinë. Ka edhe nga ata që përpiqen ta ndërtojnë vetë terrenin ku një ide mund të mbijetojë. Ilir Butka i përket kësaj kategorie.
Në fillim të viteve ’90, kur Shqipëria po kalonte një nga periudhat më të vështira të tranzicionit dhe kinemaja ishte larg të qenit prioritet, Butka vinte nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, ku kishte punuar në filmin e animuar.
Në mars të vitit 1991 ai ishte mes mijëra shqiptarëve që kaluan Adriatikun drejt Italisë. Por eksperienca jashtë vendit nuk e shkëputi nga Shqipëria. U kthye dhe nisi të ndërtonte gradualisht një rrugë që do ta lidhte filmin shqiptar me tregun dhe festivalet ndërkombëtare.
Në vitin 2000 krijoi Albania Film Commission, me synimin për të promovuar Shqipërinë si destinacion për produksione të huaja. Vetëm një vit më vonë kjo nismë prezantohej në Festivalin e Kanës.
Në vitin 2003, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, ishte ndër njerëzit që ngritën Tirana International Film Festival, në një periudhë kur një festival ndërkombëtar filmi në Tiranë dukej shumë më tepër ambicie sesa normalitet.
Butka nuk qëndroi vetëm te organizimi. Si producent u përfshi në bashkëprodhime ndërkombëtare si “Honeymoons” dhe dokumentari “La Nave Dolce”, ky i fundit kushtuar pikërisht eksodit shqiptar drejt Italisë që ai vetë kishte përjetuar.
Nga viti 2014 deri në 2019, Ilir Butka drejtoi Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Gjatë kësaj periudhe u shtua përpjekja për bashkëprodhime, pjesëmarrje në tregjet evropiane të filmit dhe lidhjen e producentëve shqiptarë me financimet dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë frymë erdhi edhe Balkan Film Market, i konceptuar për ta kthyer Tiranën në një pikë takimi mes kineastëve, producentëve, financuesve dhe institucioneve të filmit nga Ballkani dhe Evropa.
Në vitin 2020, Presidenti i Italisë Sergio Mattarella e dekoroi Butkën me titullin “Cavaliere dell’Ordine della Stella d’Italia” – një moment domethënës për njeriun që tri dekada më parë kishte mbërritur në Itali si emigrant.
Sot, historia vazhdon.
Butka është drejtor artistik i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, i rikthyer në Tiranë pas 14 vitesh mungesë.
Nëse e sheh të gjithë rrugëtimin e tij, ka një vijë që përsëritet vazhdimisht: përpjekja që filmi shqiptar të mos mbarojë në momentin kur përfundojnë xhirimet.
Duhet një festival ku të shfaqet.
Një treg ku të prezantohet.
Partnerë me të cilët të bashkëprodhohet.
Salla ku publiku ta shohë.
Dhe institucione që ta mbështesin.
Në një Shqipëri që për shumë vite kishte halle shumë më të mëdha se kinemaja, Ilir Butka zgjodhi të mendonte edhe për të. Dhe vazhdon ta bëjë.
#NTV #IlirButka #KinemajaShqiptare #FilmShqiptar #FestivaliFilmitShqiptar #Tirana #Kulture #Cinema #NTVNews