Kronike
Shkodra si Barbagia, gjashtë vrasje, asnjë në pranga
Shkodra pa frikë mund të konsiderohet kryeqendra e vrasjeve pa autorë! Në 9 muajt e parë të 2022-shit janë ekzekutuar 6 persona. Të gjitha vrasje të pazbardhura nga Policia e Shkodrës, ndaj dhe saga e hakmarrjeve vazhdon ku së fundmi viktimë mbeti një 19 vjeçar.
Erjon Xhenje, vetëm 19-vjeçar u ekzekutua mbrëmjen e së dielës, në lagjen “Kiras” në brendësi të një lokali. Në lagjen “Zooteknike”, është gjetur i djegur motori që dyshohet se është përdorur nga autorët.
Më 2 shtator, u ekzekutua 57-vjeçari Ismet Çekorja, babai i Bajram Çekores, ky i fundit në kërkim për atentatin ndaj Alban Bruçit. 5 ditë para vrasjes, Ismet Cekorja dha një intervistë për mediat, ku mohoi faktin se djali i tij është i përfshirë në ngjarjen për të cilën akuzohet.
Më 15 qershor, mbeti i vrarë 76-vjeçari Lulash Qepuri, pronar i një lokali në Shkodër. I moshuari u qëllua me armë në lokalin e tij nga një person i maskuar. Sipas dëshmisë së djalit të viktimës, autori ka lëvizur në këmbë nga ura e Bardhajve në drejtim të lokalit ku ndodhej me babanë e tij, dhe pasi ka qëlluar, është larguar duke përfituar nga errësira në zonë, në drejtim të Hotit të ri dhe më pas Postribës duke humbur gjurmët.
Një tjetër vrasje, ishte ajo e Naim Bajrit, ndodhur më 3 qershor. Bajri po konsumonte kafen e mëngjesit në afërsi të punës së tij bashkë me punëtorin Astrit Zeneli. Autorët ishin brenda makinës tip ‘Benz’ teksa qëlluan në drejtim të viktimës me 9 plumba, 8 prej të cilëve kapën shënjestrën, ndërsa me një plumb u plagos punëtori.
Më 12 prill, 55-vjeçari Nazim Bandula u vra në lagjen “Partizani” të Shkodrës, pak metra larg banesës së tij. Bandulla ishte një person i njohur për drejtësinë, pasi më parë i ishte vendosur dhe tritol në banesë.
Më 13 shkurt, 47-vjeçari Prek Tonaj u qëllua për vdekje armë zjarri kallashnikov nga një person i maskuar në ambientet e një lokali. Tonaj ishte punonjës i Ujësjellës Kanalizimeve në Shkodër. Ishte arrestuar 11 vite më parë pas dyshimeve se planifikonte vrasje për të marrë gjakun e të vëllait.