Connect with us

Bota

Dialog? S’ka dialog? Putin kërcënon

Mobilizimi i pjesshëm në Rusi i të paktën 300,000 rezervistëve, mbështetja për referendumin për aneksimin e republikave të vetëshpallura të Ukrainës Lindore në Federatën Ruse dhe kërcënime të reja për Perëndimin.

Këto ishin temat për të cilat foli presidenti Putin përmes një rusishte të ashpër dhe që sipas analistëve, më së shumti ishte për konsum të brendshëm për të rritur konsensusin që po lëkundet ndaj luftës.

Në një sinjal tjetër duket se Rusia po përgatitet për një konflikt të zgjatur dhe ndoshta të intensifikuar, teksa dhoma e ulët e parlamentit votoi të martën për të forcuar ligjet kundër dezertimit në ushtri.
“Rusia posedon armë të ndryshme të shkatërrimit në masë, disa janë edhe më moderne se ato që zotërojnë vendet e NATO-s. Dhe në përgjigje të kërcënimit ndaj integritetit territorial të vendit tonë, ne do ti përdorim. Ky nuk është bllof” – tha presidenti Putin.

Fjalimi televiziv i udhëheqësit rus drejtuar kombit vjen një ditë pasi rajonet e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore njoftuan planet për të votuar për t’u bërë pjesë integrale e Rusisë. Përpjekjet e mbështetura nga Kremlini për të përfshirë katër rajone mund t’i hapin rrugën Moskës për të përshkallëzuar luftën pas sukseseve të Ukrainës.

“Ne nuk kemi asnjë të drejtë morale të lëmë njerëzit afër nesh të copëtohen nga kasapët. Ne nuk mund të largohemi pa iu përgjigjur dëshirës së tyre të sinqertë për të përcaktuar fatin e tyre. Do të bëjmë gjithçka për ta realizuar” – deklaroi Putin

Askush nuk ka dyshime për rezultatin e referendumeve dhe në fakt asnjë organizatë ndërkombëtare nuk do t’i njohë ato. Lëvizja e Putinit duket si lëvizja e një lojtari pokeri, i cili përballë humbjes, vë baste të larta.
Mbetet të shihet se si do të reagojë opinioni publik ndaj ashpërsimit të masave në favor të pushtimit. Tani për tani, trupat ruse vijnë nga provincat e largëta. Por, nëse rekrutët do të fillonin të vinin nga qytetet e mëdha, humbjet e reja mund të krijonin probleme të mëdha për Putinin dhe politikën e tij.

Advertisement