Kronike
Rrëzimi i ekstradimit të biznesmenit kinez, roli i politikës
Gjykata e Tiranës pritet që shqyrtojë ditën e nesërme kërkesën e autoriteteve kineze, për ekstradimin nga Shqipëria të biznesmenit 32-vjeçar Liangbin Chen. Mësohet se çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Albert Meçe.
Burimet thonë se në prapaskenë po përgatitet një skenar për rrëzimin e ekstradimit me argumentin se kërkesa nuk është paraqitur konform ligjit.
Por ndërkohë autoritetet konfirmojnë se dokumentet janë siç i parashikon ligji. Arsyet përse për këtë rast ka kaq shumë interes edhe ne radhët e politikës mbeten të paqarta, por dyshimet janë se eksponentë të caktuar janë tejet të interesuar për fatin e biznesmenit.
Kujtojmë se 10 ditë më parë Prokuroria e Apelit shkaktoi skandal kur kërkoi ndryshimin e masës së arrestit nga me burg, në arrest shtëpie, ndërsa duhet se në prapavijë po tentohet që të rrëzohet kërkesa për ekstradimin e tij drejt Kinës.
Liangbin Chen, me profesion programues kompjuterik rezultonte në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohej për “Mashtrim me pasoja të rënda”. Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit rreth orës 14:00 të datës 11 korrik të këtij viti gjatë kontrolleve të pasagjerëve të linjës ajrore “Air Albania”, në fluturimin Londër-Tiranë.
Shtetasi kinez u arrestua për qëllime ekstradimi për arsye të masës së sigurimit “arrest në burg”, lëshuar nga autoritetet kineze pasi ai njihet si kreu i një grupi kriminal që ka realizuar grabitjen me mashtrim me vlerë 140 milionë euro.
Ndaj tij fillimisht Gjykata e Tiranës la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, por Chen kërkoi zbutjen e saj dhe largimin nga qelia, për shkak se pretendonte që kishte sëmundje në kokë.
Çështja shkoi në Apel dhe gjykata vendosi masën “Arrest shtëpie” për shtetasin kinez, me arsyetimin se i rrezikohej jeta në qelinë e burgut.
BalkanËeb ka mësuar nga burime se Prokurorja Arta Marku ka vendosur të refuzojë ankimin e Prokurorisë së Tiranës që kërkonin vazhdimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Chen.
Gjithashtu mësohet se që në fillim të seancës Marku deklaroi se heq dorë nga ankimi dhe se personi nën hetim nuk duhet të qëndrojë në kushtet e paraburgimit, për shkak të kushteve shëndetësore.
Seanca gjyqësore në Apel vijoi kështu me shqyrtimin e kërkesës për zbutje mase, të dorëzuar nga i akuzuari që zotëron miliona, ndërsa në përfundim u njoftua edhe zyrtarisht që u la në fuqi masa e “arrestit në shtëpi” të vendosur nga shkalla e parë, për shkak se prokurori i çështjes (Arta Marku në këtë rast), hoqi dorë nga ankimi.