Bota
Zelensky dhe ukrainasit, ndër finalistët e çmimit Sakharov
Populli ukrainas dhe përfaqësuesit e tij, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, janë ndër kandidatët e përzgjedhur për Çmimin “Sakharov” për Lirinë e Shprehjes, që jepet çdo vit nga Parlamenti Evropian. Kandidatura mbështetet nga katër grupe politike dhe ka shanse shumë të mira për të dalë fitues.
Një fitore e mundshme do të kishte një ngarkesë të fortë simbolike, duke qenë se do të ishte një tjetër nderim nga institucionet e BE-së për popullsinë e Ukrainës, ashtu si Unioni dhe shtetet e tij anëtare vazhdojnë të furnizojnë qeverinë e Kievit me armë dhe të godasin ekonomikisht Moskën.
Dy të nominuarit e tjerë në garë për çmimin janë bashkë-themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, i propozuar nga deputetët Italian të Lëvizjes ‘Pesë Yjet’ dhe Komisioni i së Vërtetës së Kolumbisë, i krijuar në vitin 2016 për të hedhur dritë mbi konfliktin e gjatë midis autoriteteve kombëtare dhe lëvizjeve paraushtarake, dhe i propozuar nga Grupi i Majtë.
Vendimi përfundimtar do të merret dhe do të shpallet më 19 tetor. Dorëzimi i çmimit është planifikuar për në dhjetor, në seancën e fundit plenare, së bashku me një çek për fituesin prej 50 mijë eurosh.