Connect with us

Shkrime

Kë mbrojti Edi Rama në Strasburg

Nga Enton Abilekaj

Mund të jetë i vërtetë pretendimi mburravec i Kryeministrit, se fjalimi i tij ra si bombë në Asamblenë Parlamentare të KiE. Jo për faktin se ishte caktuar për të folur për temë krej tjetër, por sepse tema, e papritur për sallën, u trajtua me oratori të rrallë dhe u shndërrua në akuzë për institucionin më të lartë të të Drejtave të Njeriut. Megjithëse nuk kishte asgjë të re, retorika e shkëlqyer, akuzuese dhe imponuese, i shtangu pjesëmarrësit.

Kishin përgatitur pyetje për Shqipërinë, për korrupsionin, për ‘Open Balkan’, për marrëdhëniet atipike të Kryeministrit me Erdoganin. Kishin konspektuar raportin e sapopublikuar të Komisionit Europian, ku flitej për korrupsion të lartë, për pastrim parash dhe ligje që favorizojnë krimin. Prisnin të dëgjonin avokatinë e qeverisjes së Shqipërisë, dëgjuan akuzat për qeverisjen e Europës, prisnin të kërkonin llogari, gjetën një akuzues shpërfillës për statusin personal, prisnin Kryeministrin problematik të Shqipërisë, panë luftëtarin e UÇK-së të shenjtëruar dhe të plagosur në kohë paqeje, që duke treguar plagët e Hagës, drejtonte gishtin nga Strasburgu, ku, sipas tij, u krye mëkati fillestar.

Ky ishte teprimi i parë. Një luftëtar nuk mund të jetë shenjtor. Nuk ishin të tillë as Kalorësit e Tempullit, që edhe sot në paqe kanë status të veçantë nga Kisha. Ata janë ndoshta më shumë se shenjtorë, por jo shenjtorë. Për t’i nxjerrë të pafajshëm, nuk kishte pse t’i paraqiste si shenjtorë, do të mjaftonte të fliste më shumë për krimet e serbëve në Kosovë se për ato të rusëve në Ukrainë, do të mjaftonte të fliste për vetëmbrojtjen në rrethana të pabarabarta, që i bëri ata heronj, por jo shenjtorë.

Pamundësia për të shpjeguar këtë, për të folur më shumë për krimet serbe, për të treguar se lufta nuk ishte rastësi historike, por vazhdimësi historike, se kërcënimi nuk iku me Milosheviçin, por vazhdon edhe sot, se lufta e nacionalistëve të sotëm serbë ka sjellë edhe Gjyqin ndaj viktimave, Kjo pamundësi pra, e bëri të paqartë dhe arrogant, e bëri të drejtonte gishtin te një rezolutë që kërkon atë që do ta kërkonte çdo i pafajshëm, hetimin e paanshëm ndërkombëtar për trafik organesh.

Pamundësia për të shpjeguar vetëmbrojtjen, e çoi tek akuzat mbi Drejtësinë ndërkombëtare, në tentativën për të intimiduar Gjykatën, në sjelljen harbute ndaj ndërhyrjeve që i kujtonin se e kishte shënjestrën gabim.

Në seancën e pyetjeve ishte viktimë e politikave presonale me të cilat ka zgjedhur të drejtojë diplomacinë. Duhet të mbronte edhe Thaçin edhe Vuçiçin, edhe viktimën edhe agresorin, duhet që ndërkohë që shante Putinin si autokrati që sulmon Ukrainën, të mbronte Erdoganin, autokratin që sulmon Sirinë sa herë t’i duhet. Në këtë tentativë të dëshpëruar, të përplasjes së argumenteve, mund ta ndihmonin vetëm sulmet personale dhe arrogante ndaj deputetëve.

Bojkoti ishte i pritshëm. Të gjitha grupet parlamentare e refuzuan darkën ku pritej të vazhdonte bisedën. Rrugës për në Paris, i mbeti në dorë vetëm flamuri i nacionalizmit, pas të cilit brohorisnin shpirtrat e çuar peshë dhe mendjet e nxehura paq nga denoncimi i guximshëm që Edi Rama i bëri Perëndimit. Frustrimi i luftëtarëve të UÇK-së dhe i çdo patrioti ndaj Gjykatës Speciale, revolta e çdo shqiptari ndaj shurdhërisë pa kuptim që mban sistemin e vizave me Kosovën, trishtimi i çdo ballkanasi për sjelljen e butë dhe gati joshëse të Perëndimit ndaj Serbisë, shpërthyen bashkërisht në një ekzaltim triumfialist, njësoj atëherë kur “në Paris u mblodh UNO-ja”.

Vetëm 2 orë me tren për t’u kthyer 76 vjet mbrapa në historinë kur një njeri i vetëm zgjodhi të humbiste paqen pas fitores së luftës, vetëm për të mbajtur pushtetin e tij. Dhe njësoj, të njëjtët shpirtra dhe të njëjtat mendje, i thanë “të lumtë goja, fol e mbro të drejtat tona”.

Është shumë e vështirë për të ndalur ortekun populist, përpara se të marrë gjithkënd me vete dhe të përplaset diku për të bërë hatanë. Ndërsa orteku vrapon, ajo që lë mbrapa është mungesa e një kërkese zyrtare nga pala shqiptare për anulimin e Rezolutës së Dick Marty. Një kërkesë nga Kryeministri i Shqipërisë, që gjykata e Pavarur ndërkombëtare të mos i hetojë ish – komandantët e UÇK-së, megjithëse ata janë të pafajshëm. Bojkotimi i deputëteve të të gjitha krahëve për kryeministrin, që u nis të mbronte Thaçin, por mbrojti Vuçiçin dhe lartësoi Erdoganin si shpëtimtar të BE-së.

Nga mënyra se si foli dhe nga rezultati, duket sikur Edi Rama nuk ishet nisur të mbronte askënd përveç vetes. Ai grup deputetësh që në seancë, ishin e vetmja audiencë europiane, pjesa tjetër e audiencës ishte shqiptare. Gjithçka ishte gati për pagëzimin e dytë të kryeministrit që në pagëzimin e parë mori emrin Paulin. Me ujin e shenjtë të UÇK-së, këtë herë nuk donte emër të ri, por vetëm heqjen e emërtimit të vjetër “mik i Vuçiç”. Dhe, ndërsa për Thaçin dhe UÇK-në nuk ndryshoi asgjë, madje duket më keq pas zemërimit që shkaktoi, për vete u rehabilitua.

Advertisement