Connect with us

Aktualitet

Nga protesta tek sfida e sistemit. A po hyn Shqipëria në një fazë të re?

Nga Red Varaku

Në teorinë politike, protestat zakonisht lindin si reagim ndaj një padrejtësie konkrete, por fitojnë rëndësi historike vetëm kur arrijnë të transformohen në një kritikë më të gjerë ndaj rendit ekzistues.
Historia moderne ofron shembuj të shumtë ku një ngjarje e vetme ka shërbyer si katalizator për pakënaqësi të akumuluara prej vitesh, duke e shndërruar një kauzë të kufizuar në një lëvizje kombëtare.
Në Shqipëri duket se po shfaqen elemente të një procesi të ngjashëm. Megjithëse mobilizimi i fundit lidhej fillimisht me çështjen e Zvërnecit, debati publik ka filluar gradualisht të zhvendoset nga Zvërneci drejt një diskutimi më të gjerë mbi natyrën dhe funksionimin e sistemit politik të ndërtuar pas vitit 1990.
Ky transformim është i rëndësishëm sepse ndryshon vetë objektin e protestës. Kur qytetarët protestojnë kundër një vendimi, ata kërkojnë korrigjimin e atij vendimi. Kur protestojnë kundër një qeverie, ata kërkojnë zëvendësimin e saj. Por kur protesta fillon të vërë në diskutim legjitimitetin e mekanizmave që prodhojnë vazhdimisht të njëjtat probleme, atëherë kemi të bëjmë me një sfidë ndaj vetë sistemit.
Në këtë kontekst, termi “sistem” nuk i referohet vetëm institucioneve formale të shtetit, por një rrjeti më të gjerë marrëdhëniesh politike, ekonomike dhe sociale që kanë dominuar jetën publike shqiptare për më shumë se tre dekada.
Megjithatë, historia e lëvizjeve qytetare tregon se identifikimi i problemit nuk mjafton për të prodhuar ndryshim politik. Sfida kryesore e çdo mobilizimi që pretendon të ketë ndikim afatgjatë është kalimi nga protesta tek organizimi.
Kjo sepse protestat mund të krijojnë energji politike, por vetëm organizimi mund ta transformojë atë energji në forcë të qëndrueshme shoqërore ose elektorale.
Pikërisht këtu qëndron pyetja më e rëndësishme për zhvillimet aktuale në Shqipëri. A do të mbetet kjo lëvizje thjesht një shprehje e pakënaqësisë, apo do të evolojë në një projekt më të strukturuar politik dhe qytetar?
Advertisement