Shkrime
Po të martën çfarë ka
Nga Denis Dyrnjaja
Opozita proteston. Prej ditësh flitet për këtë. Do jetë një protestë paqësore apo me nota imponuese ku mund të ketë edhe akte simbolike force për të shprehur dufin e pakënaqesisë?! Berisha thotë se nuk do ketë dhunë por edhe gudulisje nuk do të jetë. Meta flet për një protestë model qytetarie. Rama e cilëson protesta e rublave duke u përpjekur ta njësojë axhendën e opozitës me atë të një vendi jo mik sikurse e cilësojnë Rusinë.
E gjitha retorikë politike. Edhe ata e dinë që nuk e rrëzojnë dot Ramën me këtë protestë e me shumë protesta si kjo, edhe Rama e di se në PD nuk kanë nevojë për 500 mijë euro nga Rusia për t’u bërë pis se kanë shumë miliona në valixhet e mbyllura nga pushteti i 8 viteve (2005-2013).
Media ajo televizive dhe online kërkon lajmin aty ku ska lajm për nesër. Rendje për të prodhuar në mënyrë të sforcuar lajm, kur lajm ska. Të hënën ish deputetja e PD Grida Duma nis një emision televiziv. Ky fakt ka marrë vëmendje mediatike thuajse sa pritshmëritë për protestën e opozitës. Pse kjo lëvizje?! Një zgjedhje personale apo një lakmues se gjërat në PD nuk janë aq optimiste sa ç’janë pritshmëritë. Ndoshta kjo ska lidhje por është zgjedhje krejt personale e znj Duma për një eksperiencë të ndryshme afër habitatit të saj personal, por të natyrshëm, komunikimit dhe mardhenies me publikun.
Mesa duket një thirrje e brendshme e saj për të ridimensonuar veten. Monika Kryemadhi tha se kjo lëvizje e një gruaje të afirmuar si Grida vjen për të përballuar faturën e dritave. Autogol i padëshiruar në fushën e znj. Duma. Sigurisht këtë së beson as vetë znj. Kryemadhi, ndërkohë znj.Duma ky status nuk i konvenon me realitetin personal.
Për hir të miqësisë nuk do ta replikojë e përgënjeshtrojë se lëvizja nuk lidhet me pamundësinë e saj financiare për t’ia dalë në fund të muajit si shumë shqiptarë të pamundur që në fakt nuk ja dalin dot me faturat e energjisë, ilaçeve, kërkesës së fëmijëve për një lodër a një argëtim më shumë, që në fakt nuk është as luks, por normalitet. E meqë jemi te fundjava e protestës e fillimjava e emisionit dhe angazhimit të ri mediatik të znj, Grida Duma të hënën, pyetja që vjen natyrshëm është: po të martën çfarë do ndodhë?! A do të ndryshojë diçka në ditën dhe jetën e shqiptarëve?!
Çfarë ndodh me një minator në Bulqizë, me përditshmërinë e tij, çfarë ndodh me një mësues që shkon në një fshat të thellë të Librazhdit, me një polic rrugor që mund ta rraskapisë dielli e shiu në Qafë të Muzinës, apo me një infermier që punon 12 orë në një spital privat me idenë fikse të mësojë sa më parë gjermanisht për të ikur në Berlin, Hamburg a Frankfurt kur e pret një pagë dinjitetoze.
Asgjë nga këto me gjasë, nuk do ndryshojë në përditshmërinë e shqiptarëve që presin gomomen e radhës për në Angli. Pra fundjava dhe fillimjava ngjajnë si ato kalatë e rërës në plazh që i projekton bukur, i realizon shkëlqyer dhe një valë deti i rrëzon menjëherë rrëmbyer. Shqiptarët duan më shumë se kaq. Duan një mundësi që të mos jenë në sprovën e valës se detit e cila në çdo rast e rrëzon kalanë e gënjeshtërt mediatike e politike.