Shkrime
Pse krerët e BE zgjodhën të mblidhen në Tiranë
Nga Ylli Pata
Prej shpalljes së vend për t’u mbledhur në Tiranë nga presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, në opinionin publik nuk u analizua asnjë ditë se pse ndodhi kjo.
Pra që udhëheqësit e Gjermanisë, francës, Italisë, pra të 27 vendeve të Bashkimit Europian vendosën që në Tiranë të mblidhen në një samit politik të nivelit të lartë. Jo vetëm që deri para pak kohësh ky akt politik as që nuk mendohej kurrë, por askush në Europë nuk e ka konsideruar një zhvillim të tillë.
Nëse Europa donte të jepte një masazh apo sinjal simbolik për Ballkanin, mund të mbante një samit në Greqi apo në Kroaci, siç ka ndodhur në të shkuarën. Në vitin 2003, në Samitin e Selanikut, nën presidencën greke të BE-së, u hap rruga politike për zgjerimin e Bashkimit Europian drejt Ballkanit. Në 2020-n, në kulmin e pandemisë së Covid 19, ku bota ishte nën Lockdown, liderët e 27 vendeve të BE-së hapën negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Nëse do të ishte një lëvizje thjesht simbolike, krerët e Europës mund të mblidheshin në Maqedoninë e Veriut apo në Mal të Zi, dy shtete që janë të kërcënuara realisht nga influenca agresive e Moskës, që vijon të jetë kërcënuese.
Mund të mblidheshin në Beograd, për t’i bërë karshillëk Vladimir Putinit, në një ndarje të thellë e të qartë me rastin e Ukrainës. Ose ose edhe në Bosnjë e Hercegovinë, një vend ku Bashkimi Europian e ka në protektorat. Bosnja drejtohet nga Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar, që është një zyrtar i emëruar nga 27 vendet anëtare, të cilët financojnë një buxhet vjetor nga paratë e taksapaguesve europiane.
Por u zgjodh Tirana, një kryeqytet që asnjëherë më parë nuk ka pasur këtë hapje kaq dy kanatesh prej Brukselit, apo Berlinit e Parisit, që janë influentët më të mëdhenj të vendimeve që merren nga Europa politike.
Kur kërkon një pse të këtij vendimi apo akti politik, asnjë kontekst tjetër nuk të vjen ndërmjen vetëm atij politik. E pikërisht politikisht duhet gjykuar ky zhvillim, i cili nuk ka asnjë faktor tjetër në morinë e argumenteve që mund të shtrohen apo vijnë spontanisht si mundësi logjike.
BE, që në vija të trasha nga mediat perëndimore mendohen si Berlini e Parisi, në fakt nuk është vetëm kështu. Pasi Europa politike realisht që ka peshë më shumë ai që financon pjesën më të madhe e që janë Gjermania e Franca, por BE-ja është edhe Italia, Spanja, Polonia e Hungaria, Republika Çeke, por edhe Bullgaria që bëri gjëmën prej dy vjetësh me Maqedoninë e Veriut. Apo edhe Rumania, e cila ndodhet në kufirin e zjarrit me Rusinë e Vladimir Putinit.
Samiti Europian i Tiranës, sipas të gjitha gjasave nuk është një vendim i marrë në momentin e fundit, por siç ndodh me një makineri gjigande dhe e komplikuar pushteti, ka qenë pjesë e një protokolli të përcaktuar të paktën prej një ose dy vitesh. E kjo jo pa arsye.
Shqipëria është një zgjedhje e qartë politike. E pikërisht si sinjal politik vjen edhe bojkoti nga Presidenti i Serbisë, i cili mungesën e samitit të Tiranës, e ka shpallur demonstrativisht si një qëndrim politik.
Kjo zgjedhje e BE nuk ka ardhur as rastësisht, e as për arsye bizarre.
Bashkimi Eurpian ka investuar politikisht në Shqipëri një process të rëndësishëm antikorrupsion, siç është reforma në drejtësi. Bashkimi Europian ka në Shqipëri një trup të rëndësishëm institucional, që drejton dhe monitoron përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.
E këtë nuk e ka bërë sin ë rastin e Kosovës, ku së bashku me SHBA vendosën që të administrojnë vendin që e çliroi dhe shpëtoi nga spastrimi etnik. Por që së bashku me aktorë politikë në Tiranë, e sidomos me publikun-shumicën e tij, vendosën që të ndërmarrin një akt politik. E pikërisht, duke qenë se BE e konsideron Shqipërinë, një vend që është pjesë e investimit politik të Europës, ka marrë vendimin që aty në kryeqytetin e Shqipërisë të shpërndajë mesazhe të rëndësishme në një nivel super të lartë politik.
Mesazhe që ka shumë gjasa që të jenë të forta, e sipas të gjitha gjasave do të jenë të tilla. Duke nisur nga përmendja e investimit të madh për SPAK e reformën në drejtësi, ku të kërkojnë një rekord të qartë të pandëshkueshmërisë. E sipas gjasave ky do të jetë edhe mesazhi kryesor i Samitit të Tiranës.
Ndaj dhe Sali Berisha me Ilir Metën duan të protestojnë kundër BE-së, për të treguar si dhe Vuçiçi, se ata nuk pajtohen me këtë politike. Se në fakt, ata nuk janë pajtuar prej kohësh me këtë politikë.
Kancelari gjerman Scholz, e ka lexuar në raportet që i janë dhënë se një diplomat nga më të mirët e Gjermanisë është linçuar, sharë e dhunuar verbalisht nga Ilir Meta kur ishte President, Sali Berisha dhe establishment i tij. Bernd Botschard sot është në ekipin diplomatic të kancelarit që do të marrë me vete në Tiranë. Pikërisht për t’i treguar Ilir Metës se kush është realisht Non Grata.
Georgia Meloni, kryeministrja e Italisë, vërtetë është një politikane e së djathtës dhe një kundërshtare politike e së majtës italiane. Por ajo si kryeministre e një vendi të madh, apo edhe si grua, nuk ja fal Berishës e Metës sharjet pa doganë ndaj Federica Mogherinit, e cila ishte shefe e diplomacisë së BE-së, kur u kryeqëzua me fjalor burgu nga media pranë Berishës e Metës.
Edhe një detaj tjetër, në Tiranë, më 6 dhjetor do të jetë prezente si zyrtare e rëndësishme e Brukselit dhe ajo: Romana Vlahutin, diplomatja që hapi “Kutinë e Pandorës” në Shqipëri e mori mbi vete sharje e fjalë të pista pa doganë nga “ajka” politike e mediatike e klubit Berisha-Meta. Ndaj dhe Berisha kërkon të protestojë, e këtu ka shumë arsye që ta bëjë…