Connect with us

Shkrime

Kotësia e Vuçiç-it

Nga Dreni Himbeqa

Për dy dekada marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian janë karakterizuar me batica dhe zbatica, për këtë periudhë kohore Beogradi ka përfituar miliarda euro grante për projekte të ndryshme infrastrukturore nga Unioni.

Megjithatë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ka vendosur të bojkotojë samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet të martën në Tiranë.

Arsyeja e protestës së Vuçiç – ndonëse e pakuptimtë – ka të bëjë me emërimin e politikanit serb, Nenad Rashiç, si ministër për Komunitete dhe Kthim nga ana e kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit.

Për avokatin serb, Milan Antonijeviç, kjo indinjatë e Vuçiç’it ndaj BE-së, tregon dobësinë e tij.

Serbia, sipas tij, duhet të jetë në çdo tavolinë ku merren vendime për rajonin, e jo të bojkotohet një gjë e tillë, pasi kështu izolohet vendi.

Në anën tjetër Nemanja Todoroviç Stiplija, kryeredaktor i gazetës European Western Ballkans, është shprehur i habitur se si Vuçiç bën ndërlidhjen e një procesi tjetër siç është dialogu me Kosovën me një proces të BE-së i cili është jetik për Ballkanin Perëndimor.

“Kjo ngjarje nuk ka të bëjë me dialogun me Prishtinën, nuk është takim Kurti-Vuçiç, por ka të bëjë me të ardhmen e një vendi. Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe BE-së, si dhe e ardhmja e qytetarëve të Serbisë nuk duhet të vuajnë nëse dikush është zgjidhur ligjërisht në një pozitë në qeverinë e Kosovës. Prandaj bojkoti i Vuçiç është i kotë”, ka theksuar Stiplija, shkruan e përditshmja serbe, Danas.

Pas vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta ngarkuar politikanin serb, Nenad Rashiç, me detyrën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një lidhje telefonike në televizionin Pink, ka thënë se kreu i ekzekutivit kosovar zgjodhi “llumin më të keq serb”.

“Zgjedhja e Rashiç’it, njeriut që fitoi më pak se 1 për qind, si dhe Rada Trajkoviç’it, e cila është në kabinetin e tij, tregon se ata duan përndjekjen, dëbimin dhe zhdukjen e serbëve në Kosovë”.

Sa i përket Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të organizohet të martën e 6 dhjetorit, në Tiranë, Vuçiç kishte pohuar se askush nga pala serbe nuk do të shkojë në kryeqytetin e Shqipërisë.

“Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë dhe ju kaloni bukur, udhëtoni me avion, flisni marrëzira, të gjithë nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor”, u shpreh ai.

Advertisement