Politike
Rama premton një tjetër bonus për pensionistët
Kryeministri Edi Rama ka premtuar një tjetër bonus për pensionistët në vendin tonë. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkruan se me marrjen e këstit të parë të taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e energjisë në muajin prill, do të programohet edhe bonusi i radhës për pensionistët. Sipas Ramës, aktualisht të gjithë pensionistët po marrin bonusin e Pakos së Madhe 8 miliardë lekëshe.
“Të gjithë pensionistët po marrin këto ditë sipas premtimit bonusin e Pakos së Madhe dhe urojmë ta kenë sa më të mbarë e me shëndet të plotë, vitin që sapo ka nisur. Me marrjen e këstit të parë të taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e energjisë në muajin prill, do të programojmë një tjetër bonus për pensionistët, që barra e inflacioni i luftës për ta të vazhdojë të jetë sa më pak e ndjeshme”,-shkruan Rama.
Në prag të vitit 2023, Rama dhe qeveria njoftuan paketën e ndihmës me vlerë 8 miliardë lekë që prek 1 milionë qytetarë. Kategoritë janë: 695 mijë pensionistë që marrin 8 mijë lekë të reja, punonjësit e administratës do të përfitojnë 20 mijë lekë të reja ata që paguhen më pak se 60 mijë lekë dhe 10 mijë lekë përfitojnë ata që paguhen mbi 60 mijë lekë të reja. Me bonus 20 mijë lekë të reja u trajtuan dhe 6700 gra kryefamiljare.